Galeria e Arteve të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Dy persona të infektuar në Galerinë e Arteve në Prishtinë, të hënën rihapet Galeria

Në vendin e pikturave e gjallërisë artistike, në Galerinë e Arteve coronavirusi ka prekur dy punëtorë.

Fatmirësisht gjendja e tyre është e mirë, këtë e konfirmoi për KALLXO.com, drejtoresha e kësaj galerie, Arta Agani.

“Dy punëtorë janë të infektuar. Gjendjen e kanë shumë të mirë me pak apo pa simptoma”, tha ajo.

Dy personat të cilët rezultuan pozitiv janë vetizoluar.

Testi për COVID-19 i është bërë edhe katër punëtorëve të tjerë të cilët rezultuan negativ, tregon drejtoresha.

“Katër nga ne jemi testuar, sepse të tjerët nuk kanë pasur kontakt, dhe kemi rezultuar negativ”, shtoi tutje.

Galeria do të rihapet të hënën, pas dy javësh sa qëndroi e mbyllur, konfirmon Agani.

“Galeria të hënën hapet pas izolimit preventiv dy javësh të stafit, sipas rekomandimeve të IKShPK-së”, shtoi ajo.

Përhapja e coronavirusit në Kosovë ka detyruar që shumë biznese e institucione të mbyllen për shkak të rrezikut për përhapjen e këtij virusi.

Kujtojmë se në vend janë 1615 persona të infektuar me COVID-19, ku 963 prej tyre janë shëruar dhe 34 të tjerë nuk i mbijetuan virusit.

Sipas IKShPK-së të gjithë personat të cilët ndërruan jetë nga kjo pandemi patën edhe sëmundje të tjera shoqeruese.