Rrugëtimi Nëpër Jetë e Kohë i “Hyjneshës në Fron”

Ekspozita “Rrugëtimi” ka arritur që të sjellë hyjneshën e rrëmbyer, të fjetur, krenare, hyjneshën e pleshmërisë, hyjneshën mendimtare, hyjneshën pa shall, hyjneshën e jetës, por edhe hyjneshën e përkulur, të braktisur, të mistershme, të errësirës, të ngulfatur dhe nënëmadhen që nga kohët e lashta e deri në kohët e sotme.

Kuratori i ekspozitës Skender Boshtrakaj tha se “Rrugëtimi” është një reflektim i femrës nëpër periudha të ndryshme, kurse “Hyjnesha në Fron” ka filluar që të bëhet një lloj ikone jo vetëm e artit parahistorik, por edhe e institucioneve.

“Arjeta përdor brumin historik dhe traditën si inspirim dhe kisha dëshiru që këtë shembull me e përfill dhe me e përcjell edhe artistët tjerë që traditën tonë, informacionin kulturor, pa marrë parasysh cilës kohë historike i takon, me e shfrytëzu si brumë, sepse ky është synimi jonë,” tha Boshtrakaj.

Nën meloditë e violinës 13 hyjneshat e skulptores Arjeta Miftari qëndronin mbi një pëlhurë të bardhë kurse dyshemeja ishte e mbushur me trëndafila të bardhë, të kuq dhe qirinj.

Edhe vetë artistja Arjeta Miftari, si muratori, e lidhi ekspozitën e saj me traditën dhe modernen.

“Vetë fjala edhe emërtimi i ekspozitës ‘Rrugëtimi’ më ka bo përshtypje që me e lidh tradicionalen me modernen. Arsyeja pse kam vendos sot të dukemi kështu, kam dashur t’i bashkëngjitem të gjitha hyjneshave që sot i kam ekspozuar në këtë formë dhe duken si një tryezë që po bisedojnë së bashku,” u shpreh skulptorja.

Skulptorja nga qyteti i Pejës e veshur në rroba tradicionale përveç vendosjes së shallit në hyjneshat e saj kishte zgjedhur që shallet të cilët ishin në tri ngjyra të kuqe të bardhë dhe të zezë t’ua dhuronte edhe vizitorëve.

Shalli i kuq dhe i zi të cilat ishin pjesë e kësaj ekspozite sipas saj simbolizojnë flamurin kombëtar, kurse shalli i bardhë paqen.

“Shalli për mu ka karakterizu gjithmonë një urëlidhëse në mes të traditës shqiptare edhe meje si krijuese, po ashtu nënës time që ka mbajtur shall dhe mua si fëmijë më ka frymëzu që unë në vazhdimësi të barti një element siç është shalli dhe ta trashëgoj nga ajo që ka qenë frymëzim i imi gjatë gjithë krijimtarisë sime,” tha Miftari.

Hyjneshat të cilat qëndronin përkrah njëra-tjetrës në Galerinë e Fakultetit të Arteve kanë karaktere të ndryshme sqaroi skulptorja.

“Gjatë realizmit të punës së një hyjneshe e kam ndërtuar edhe karakterin e saj dhe pastaj e kam emërtu. Nuk e kam pasur shumë të vështirë pasi që për shembull kur e kam skulpturuar hyjneshën e pleshmërisë i kam vendosur edhe barkun dhe e kam treguar simbolin e nënës, femrës shtatzënë,” u shpreh ajo.

Hyjneshat e skulptores Arjeta Miftari qytetarët do të kenë mundësi t’i shohin deri me 30 prill kur do të bëhet edhe mbyllja e ekspozitës “Rrugëtimi”.