Femra si Hieroglif

Galeria e Ministrisë së Kulturës  ka hapur dyert e saj për pikturat dhe vizatimet e studentes së UP-së Afërdita Gërbeshi.

Ekspozita personale me titullin “Monument” është e dyta e kësaj artisteje.

Kuratori i ekspozitës Ismet Jonuzi tha se në këtë ekspozitë janë paraqitur krijime që e tejkalojnë mënyrën e punës shkollore dhe sipas tij piktorja ka krijuar nënshkrimin e vet.

“Ajo në një farë mënyre kombinon vizatimin me pikturën që kryesisht janë ato njëtonëshe. Dikund vizatimi me ngjyrë të zeza dhe një ton monogram ku shpesh e shohim ngjyrën e blertë, të kuqe si prapavijë, kurse pjesa tjetër e ciklit është ajo ku piktorja përfundon nga figura e femrës në një figurë abstrakte ku nuk ka figurë dhe nuk ka konkrete diçka, por thjesht është një lojë mes vijës, konturës dhe tonit të ngjyrës,” sqaroi ai.

Vizatimet e artistes sipas tij janë në mes të artit egjiptian dhe piktorit francez Henri Matisse.

ekspozita1

Merita Jashanica e cila kishte ardhur që të shihte pikturat tha se ato janë realizuar shumë mirë dhe vërehet llojllojshmëria brenda ekspozitës.

“Punimet janë shumë të mira, e kam përcjellë punën e saj që nga fillimi. Si model e ka çdo herë trupin e femrës, pra bazohet në subjektin e femrës, i cili paraqitet në forma të ndryshme dhe në forma abstrakte,” tha ajo.

Piktorja Afërdita Gërbeshi sqaroi  se është e lumtur që Galeria e Ministrisë së Kulturës i ka ofruar mundësinë që të paraqesë veprat e saj para publikut.

“Jam duke marrë pjesë në këtë ekspozitë me dy cikle-pikturë dhe vizatim, pikturat i kam quajtur “Lojë” dhe vizatimet “Monument”. Është një miks punimesh ku kam paraqitur anët e femrës, emocionet, psikologjinë, individualitetin dhe ndjeshmërinë e saj, pastaj jetën e femrës dhe të kaluarën e saj,” sqaroi piktorja.

Afërdita Gërbeshi e ka realizuar ekspozitën e saj të parë personale në vitin 2010 të titulluar “Expoart” si dhe ka qenë pjesë e tetë ekspozitave të tjera kolektive.

femra