Edi Rama për Ismail Kadarenë: Monumenti më i madh i kulturës shqiptare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar për vdekjen e shkrimtarit, Ismail Kadare, duke e quajtur atë si “monumentin më të madh të kulturës shqiptare”.

“Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë i monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përballësisë dhe asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment, po vetëm ideja e ribotimit të mesazheve të publikuara për ditëlindjen e tij”- ka shkruar Rama, duke ripostuar në vijim një status të cilin e kishte publikuar me rastin e ditëlindjes së Kadaresë.

“Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit”- kishte shkruar ai.

“Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare – ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve…”, kishte shkruar Rama, duke i përcjell edhe disa vargje të shkrimtarit.

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare ka vdekur në mëngjesin e sotëm (01.7.2024) në moshën 88 vjeçare në Tiranë.

Ismail Kadare është autori më i njohur i letërsisë shqipe dhe shkrimtari më i përkthyer shqiptar në gjuhët e huaja.

Kadare u lind më 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës së Letërsisë në Universitetin e Tiranës.