Dy filma për fëmijë shfaqen sonte në sheshin ‘Zahir Pajaziti’

Dy filma francezë shfaqen sonte në ora 20:00 në ekranin 9-metra të gjatë të vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti”, në natën e tretë të Outdoor kinemasë, nga Kino Armata.

Filmat shfaqen në kuadër të Javës së filmave francezë për fëmijë, “Kino n’Shehër”, projekt që organizohet në kuadër të bashkëpunimit në mes të Kino Armatës, Komunës së Prishtinës, qendra për të rinj “Termokiss” dhe Aleancës Franceze në Prishtinë.

Sonte do të shfaqen filmat “Pinchaque, le tapir columbien” nga Caroline Attia Lariviere dhe “L’été de Giacomo” nga Alessandro Comodin.

Filmat janë të përshtatshëm për moshat 6+.

Ky festival i filmave francezë për fëmijë ka nisur më 13 gusht dhe do të zgjasë deri më 29 gusht.

Gjatë gjithë kësaj jave të filmit francez janë parashikuar të shfaqen 14 filma për fëmijë me temat rreth mjedisit e rinisë.