Pamje nënshkrimi i marrëveshjes. Foto: Facebook/ Adrian Berisha

Arrihet marrëveshja për menaxhimin e hapësirës së Teatrit ‘Oda’

Teatri “Oda”, Qendra Multimedia dhe Komuna e Prishtinës kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi për menaxhimin dhe shfrytëzimin e hapësirës së Teatrit “Oda”.

Teatri “Oda” funksionon në kuadër të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Adrian Berisha, drejtor për Kulturë në Komunën e Prishtinës ka bërë të ditur përmes llogarisë së tij në Facebook, se marrëveshja është arritur për një periudhë 5 vjeçare.

Marrëveshja është arritur në mes të Florent Mehmetiti, drejtor i teatrit Teatrin “Oda”, Jeton Nezirajt, drejtor i Qendrës Multimedia dhe Adrian Berishës, drejtor i Kulturës për Prishtinë.

“Me vullnet të përbashkët për të krijuar kushte dhe mundësi më të mira për skenën e pavarur, ne u pajtuam për menaxhimin e përbashkët të hapësirës së Teatrit ODA, ku Komuna e Prishtinës do të mbulojë shpenzimet komunale dhe të renovimit të hapësirës që pritet të ndodhe gjatë këtij viti, ndërsa ODA dhe Qendra Multimedia, ashtu siç kanë bërë deri më tani, do të kurojnë programin vjetor”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Berishës, marrëveshja mundëson gjithashtu shfrytëzimin e hapësirës për aktivitete kulturore te Komunës dhe aktiviteteve tjera jo-komerciale te komunitetit artistik.