Albanologu bullgar: Seminari - mundësi për të përforcuar studimet në fushën e albanologjisë

Interesimi për shqipen nga studentë të huaj vazhdon të rritet.

Vladimir Georgiev Vladimirov, student nga Sofja e Bullgarisë, është një prej të interesuarve për gjuhën shqipe.

Si student i vitet të IV në Degën e Ballkanologjisë në Sofje, Georgiev po merr pjesë në edicionin e sivjetmë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që po mbahet në Prishtinë.

Georgiev përveç që ndjek kurset e shqipes për të huaj, që ofrohen gjatë seminarit për studiuesit dhe studentët e huaj, ka interesim për të njohur ambiente të shumta të Kosovës, por edhe institucionet shkencore dhe kulturore.

Georgiev ka dhënë vlerësime për Seminari e Shqipes duke pohuar se ofron mundësi për të përforcuar studimet për fushën albanologjike.

Në një bisedë për KALLXO.com, Georgiev zbulon se kontaktet e para me shqipen i mori në universitet.

“Aty takova shumë studentë nga vendet ballkanike, pavarësisht shumë afërsive në traditë dhe ushqimit, ne komunikonin anglisht. Ndërkohë kuptova që në kuadër të Departamentit të Ballkanologjisë ishte drejtimi i gjuhës shqipe”, ka thënë ai.

Ndërsa ka thënë se ka përshtypje të mira për kryeqytetin kosovar edhe pse e viziton për herë të parë.

Ndërsa ajo që ka veçuar është pastërtia që karakterizon kryeqytetin kosovar, shërbimet hotelerike dhe ambienti relaksues për pjesëmarrësit e Seminarit.

“Prishtina është qytet i pastër për kontekstin ballkanik, por me një trafik të dendur”, ka thënë ndër të tjera Georgiev.

Ai thotë se pjesëmarrja në Seminar i ka dhënë një mundësi për të prezantuar hulumtimet e tij në fushën e shqipes.

Në kuadër të pjesës së referimeve, Georgiev është prezantuar të hënën me referimin: “Strategjia dhe metoda inovative për të mësuar më shpejt një gjuhë të huaj në kontekstin e studimeve akademike të gjuhë shqipe si gjuhë të dytë”.