Foto: KALLXO.com
Seminari i shqipes, mbahet tryeza për Idriz Ajetin dhe Eric Hampin
Studiuesit Idriz Ajeti dhe Eric Hamp janë dy prej emrave të njohur të shkencës së albanologjisë.
Për të kujtuar këtë kontribut në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe është mbajtur sot tryeza shkencore për Eric Hamp dhe Idriz Ajetin.
Idriz Ajeti ishte një prej themeluesve të institucioneve kryesore shkencore, arsimore dhe kulturore në vend. Ndërsa dha një kontribut të çmuar edhe për unifikimin dhe standardizimin e shqipes letrare.
Gjuhëtari Shkumbin Munishi ka thënë se akademik Idriz Ajeti ishte ndër studiuesit më të shquar në fushën e albanologjisë,
Sipas Munishit, Ajeti ishte nismëtar i revistës “Gjurmime albanologjike” dhe njëri prej themeluesve të Seminarit të shqipes.
“Akademik Ajeti ka thënë një kontribut domethënës për standardizimin e shqipes në trevat shqiptare në ish-Jugosllavi. Qëndrimet dhe pikëpamjet e Ajetit por edhe studiuesve të tjerë në trevat shqiptare në ish- Jugosllave i hapën rrugë standardizimit të shqipes së sotme”, ka thënë Munishi, drejtor i Seminarit.
Ndërsa akademik Bardh Rugova ka folur për kontributin e albanologut amerikan, Eric Hamp.
Sipas Rugovës, Eric Hamp ishte ndër albanologët më të shquar, studimet e të cilit sollën rezultate të vlefshme shkencore për shqipen.
Rugova ka thënë se Hamp ishte një mbështetës i madh i çështjes së Kosovës.
“Hamp është i njohur edhe për letrën që ia kishte drejtuar presidentit amerikan Clinton, në kohë kur po bëheshin gati përgatitjet për ndërhyrje në Kosovë, me kërkesë për ndërhyrje sa më të shpejtë”, ka thënë Rugova.
Në fund, një fjalë rasti ka mbajtur edhe akademik Rexhep Ismajli, i cili solli kujtime rreth bashkëpunimit të tij më dy albanologët Hamp dhe Ajeti.
Të dy, edhe Ajeti edhe Hamp kanë vdekur në fillim të këtij viti.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe, që po mbahet në Prishtinë, do të vazhdojë edhe për një javë me aktivitete të ndryshme për shkencën e albanologjisë.