array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Përdorimi i faqeve dhe mjekëve fiktivë për shitje të suplimenteve për diabet

Deklarata

Diabetikët në Kosovë po mashtrohen! Në farmaci nuk ka ilaçe që mund t’ju shpëtojnë nga sëmundja. Si të ulni sheqerin në gjak në 4.5 mmol/L në 2 orë dhe të shpëtoni nga diabeti për një kohë të gjatë?

Faqet në Facebook

Vlerësimi

Rrenë

Konstatimi i bërë në artikull se “Diabetikët në Kosovë po mashtrohen! Në farmaci nuk ka ilaçe që mund t’ju shpëtojnë nga sëmundja. Si të ulni sheqerin në gjak në 4.5 mmol/L në 2 orë dhe të shpëtoni nga diabeti për një kohë të gjatë?”- është i rremë. Nuk është ofruar asnjë dëshmi se diabetikët po mashtrohen në Kosovë, ndërkohë që endokrinologët thonë se trajtimi i diabetit në Kosovë bëhet bazuar në protokolet dhe ilaçet e miratuara në Kosovë. Në artikull janë përdorë emra të mjekëve fiktivë, si dhe janë thirrur në institucione që nuk ekzistojnë në Kosovë. Pos kësaj ilaçi i promovuar nuk ka Autorizim të Marketigut në Kosovë.

Artikulli

Më 26.05.2024 faqja në Facebook, ‘Elegant xwt4’ (arkiva), ka publikuar një artikull me titull, “Efekti i vezëve të ziera tek njerëzit me diabet”.

I njëjti artikull është shpërndarë edhe në faqen e internetit ‘heal.sunny-year.com’, (arkiva) me titull “Diabeti nuk vjen nga ëmbëlsirat! Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kërkimeve të Kosovës emëroi armikun kryesor të diabetit dhe ndau një mënyrë të thjeshtë për të kontrolluar sheqerin në gjak”.

Artikulli citon Arben Hasanin si profesor nga Kosova dhe ekspert kryesor në biokiminë e metabolizimit dhe patokiminë e diabetit mellitus. 

Në artikull janë dhënë shumë shpjegime, mirëpo të gjitha dërgojnë tek një rekomandim, që një supliment i vetëm mund ta shërojë diabetin. 

“Diabetikët në Kosovë po mashtrohen! Në farmaci nuk ka ilaçe që mund t’ju shpëtojnë nga sëmundja. Si të ulni sheqerin në gjak në 4.5 mmol/L në 2 orë dhe të shpëtoni nga diabeti për një kohë të gjatë?”- thuhet në artikull në fund të cilit rekomandohet përdorimi i një ilaçi.

Krypometër ka verifikuar pretendimet që janë ngritur në këtë artikull, duke filluar nga vërtetësia e përmbajtjes së artikullit si dhe pretendimet për shërim të diabetit.

Në bazë të ligjit për Odat e profesionistëve shëndetësor, neni 8 thotë se anëtarësimi në këto Oda është i detyrueshëm për të gjithë doktorët e mjekësisë, doktorët e stomatologjisë, farmacistët e diplomuar, infermierët e diplomuar, mamitë e diplomuara, fizioterapeutët e diplomuar, laborantët e lartë mjekësorë, logopedët e diplomuar, foniatët e diplomuar, psikologët klinikë, profesionistët tjerë shëndetësor me kualifikim të mesëm dhe të lartë të përcaktuar në regjistrin zyrtar të ministrisë të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre shëndetësore në Republikën e Kosovës.

Pra, për të ushtruar profesionin e mjekut në Kosovë secili profesionist shëndetësor duhet të licencohet nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Lista e gjithë mjekëve të licencuar dhe që mund të ushtrojnë profesionin e tyre në Kosovë është e publikuar në ueb-faqen e Odës së Mjekëve të Kosovës. 

Krypometër, fillimisht ka kontrolluar listën (arkiva) e Odës së Mjekëve të Kosovës dhe aty nuk figuron asnjë mjek me emrin Arben Hasani i cili citohet në këtë artikull dhe thuhet se është drejtori i Qendrës Kombëtare të Kërkimeve të Kosovës.

Krypometër ka kontrolluar organogramin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe atë të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (shiko statutin e SHSKUK-së), por nuk figuron asnjë institucion me emrin Qendrës Kombëtare të Kërkimeve të Kosovës.

Mjeku i cituar në artikull “Arben Hasani” është i ilustruar me një fotografi, që pas kërkimeve në ‘PimEyes’, rezulton se është përdorë në disa faqe të internetit në Çeki (arkiva ), duke u cituar me emër tjetër.

Për shërimin e diabetit, artikulli (arkiva) rekomandon produktin ‘Gluconax’ të cilin e ofrojnë me çmim 41 euro.

Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thotë se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”, prandaj Krypometër ka kontrolluar nëse ‘Gluconax’ ka një autorizim të tillë.

Pas kërkimeve në listën e produkteve me Autorizim për Marketing në Republikën e Kosovës rezulton se produkti ‘’Gluconax” nuk ka Autorizim Marketingu të lëshuar nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Krypometri ka biseduar me endokrinologun Amir Rexhepi, duke e pyetur se a e njeh këtë produkt dhe rekomandon për pacientët që kanë diabet.

“Nuk e njoh këtë produkt që ju po ma prezentoni. Për trajtimin e diabetit, sikurse çdo sëmundje tjetër, duhet besuar vetëm mjekëve dhe asesi të përdoren produkte ose barna pa këshillimin e mjekut”- ka thënë Rexhepi për Krypometër.

Tutje, ai ka shpjeguar se si trajtohet sëmundja e diabetit.

“Diabeti është një sëmundje kronike që ndodh kur trupi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose nuk përdor insulinën në mënyrë efikase. Insulina është një hormon që ndihmon qelizat të marrin glukozën nga gjaku për ta përdorur si energji. Kur kjo ndodh, niveli i glukozës në gjak rritet, duke shkaktuar hiperglikemi”- tha Rexhepi për Krypometër.

Gjithashtu artikulli i publikuar në ueb faqen ‘heal.sunny-year.com’, ka logon e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), por pas kontrollit rezulton se faqja e RTSH ka një pamje tjetër. Krypometri ka kontrolluar nëse në faqen zyrtare të RTSH-së, por aty nuk është hasur asnjë artikull i publikuar që ka këtë përmbatje çfarë është publikuar në faqen ‘heal.sunny-year.com’ (arkiva).