Foto: Atdhe Mulla

Konjufca: Telekomi buzë falimentimit nga skema e mashtrimit mafioz

Me 42 deputetë në sallë dhe me 1 orë vonesë ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për gjendjen në Telekomin e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, si propozues i seancës, Glauk Konjufca tha se Telekomi është në buzë të falimentimit dhe se, sipas tij, ky nuk është një bankrotim spontan, “por shkatërrim i qëllimshëm dhe skenar me paramendim”.

“Autorët e këtij krimi të organizuar me përfitime qindra-milionëshe janë akterët e pushtetit në bashkëpunim me pronarët e Dardafonit. Protagonisti kryesor në pushtet, ishte kryeministër i viti 2009 Hashim Thaçi, akterët kryesor të Telekomit ishin Shyqri Haxha dhe Rexhë Gjonbalaj, biznesmnët janë grupi Devolli, kurse partia orkestruese padyshim që është PDK-ja e z. Kadri Veselit”, tha ai.

Sipas Konjufcës, Telekomi vazhdimisht ka shërbyer si parajsë e tenderëve të majm dhe keqpërdorimeve të pa llogaritshme financiare

“Pushtetarët kanë vendosur edhe në cilat oborret të vendosen antenat e Telekomit për vjeljen e qerasë.  Ajo që përbën kulmin e së keqes është kontrata mes Telekomit dhe Dardafonit e lidhur me 2009. Në Kosovë Z-Mobile e ka ngrënë dhe është duke e ngrënë Telekomin e Kosovës, për ta bankrotuar ‘Vala’-n”, shtoi ai.

Konjufca konsideron se kjo është një shkelje e pafajshme e cila duhet të ndëshkohet.

“Episodi i dytë i krimit është kur  Z-Mobile paditi Telekomin dhe fitoi në arbitrazh. Kjo lëndë është humbur qëllimisht, Telekomi nuk është mbrojtur fare në arbitrazh. Jo vetëm që Dardafoni përfitoi qindra-miliona, por tash dëshiron t’ia merr Qeverisë dhe buxhetit edhe 30 milionë euro shtesë”, u shpreh ai.

Konjufca nga LVV-ja, tha se për ta shpëtuar Telekomin, duhet të ndodhin 3 hapa.

“1. Qeveria ta zbatojë  një rezolutë që është në fuqi, e cila është miratuar në korrik të vitit të kaluar. Hapi 2 është mosnjoha e asnjë borxhi të Kosovës nga ana e Qeverisë për Z-Mobile-in. Hapi 3 duhet të jetë mosvazhdimi i kontratës me Z-Mobile. Qeveria është aksionar i plotë dhe tash për tash Qeveria i ka në dorë të gjitha të drejtat ligjore që të mos e vazhdojë kontratën. Z.kryeministër, nëse ministri Valdrin Lluka është i kapur nga Z-Mobile, ju e keni rastin të tregoni që s’jeni i shitur”, theksoi Konjufca.

Ai tha se me disa pika të harmonizuara në fund do t’ia paraqesin Kuvendit një rezolutë për këtë çështje.