Prishtina, maj, 2023. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Projektet e mëdha të Prishtinës që përfshihen në buxhetin e 2024-es

Komuna e Prishtinës në vitin 2024 pritet të ketë buxhetin më të lartë ndonjëherë- mbi 123 milionë euro. Derisa, fokus pritet të jenë investimet në projekte kapitale, si infrastrukturë, ndërtim i shkollave e projekte me kredi e partneritet ndërkombëtar.

Këtë buxhet në seancën e miratimit në shtator kryetari Përparim Rama e quajti “buxhet i transformimit e projekteve të mëdha”.

Siç dihet, nga viti 2019 me ligjin për kryeqytet, Prishtina ka 17 milionë euro më shumë në buxhetin vjetor. Derisa, në rritje te buxhetit ka ndikuar edhe suficiti i bartur nga vitet paraprake dhe rritja e koeficinetit të pagave që ka ndikuar direkt në buxhetin për paga dhe mëditje.

Mbi 40 milionë euro do jenë të alokuara vetëm për investime kapitale nga buxheti i vitit 2024. 

Kryetari Përparim Rama dhe kabineti i tij planifikojnë që në vitin e ardhshëm të procedohet tutje me shumë projekte që janë premtuar në fushatën zgjedhore, e disa tashmë janë në proces.

Infrastruktrura dhe investime kapitale

Disa nga projketet më të mëdha të investimeve kapitale pritet të jenë ‘Ndërtimi i nënkalimit në rrugët ‘Agim Ramadani’ dhe ‘Ibrahim Lutfiu’, për të cilin janë ndarë rreth 4 milionë euro. Ky projket ka më shumë se dy vite që është bartur nga një vit buxhetor në tjetrin. Kjo pasi fillimisht projekti ishte futur në projektbuxhet pa pasur ndonjë plan të hartuar se si do procedohet tutje.

Me ndërtim të këtij tuneli pritet të bëhet edhe lidhja e pjesës së vjetër të qytetit me qendrën.

Në vitin 2023 komuna ka marr vendim të ndaj buxhet të veçantë për formimin e ‘Arkitektit të Kryeqytetit’ përmes të cilit do ofrohen konsulenca nga ekspertë për projektet që tashmë janë pjesë planit për investim si dhe fushatës së kryetarit. Për konsulencën arkitekti i kryeqytetit janë ndarë 900 mijë euro për vitin 2024.

Në vitin 2024 pritet të nis po ashtu ndërtimi i një nënkalimi në lagjet Kalabri-Dardani, ndërtimi i “Unaza Qendër” dhe lidhja me lagjen ‘Arbëria. Këto projekte janë pjesë e premtimeve të kryetarit për lidhje të lagjeve.

“Do lidhim lagjet, ku do mundesohet edhe lidhja me qendër për pak minuta”- kishte deklaruar Rama gjatë fushatës zgjedhore.

Projektet për ndërtime të nënkalimeve e lidhjeve mes lagjeve kanë kosto më të lartë se që komuna mund të mbulojë me buxhetin që ka për investime kapitale, lidhur me këtë, kryetari disa herë ka deklaruar se do punohet për marrje të fondeve e kredive.

Projekt tjetër që është planifikuar të nis në vitin 2024 është ndërtimi i një ishulli urban Arbëri-Pallati i Rinisë për të cilin janë ndarë 3.5 milionë euro.

Vitin e ardhshëm komuna ka në plan të vazhdoj edhe ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’ tek Katedralja, i cili tashmë është në proces të transformimit. Derisa, nuk është bërë ende e ditur nëse do ketë vazhdim të këtij sheshi me faza (deri tek Posta dhe rrethi me flamur) siç është përmendur nga kryetari.

Një ndër projektet më të mëdha që ka nisur në vitin 2023 do vazhdoj edhe në vitin 2024 ai për ndërtimin e rrugës A e që pritet të zgjidhet edhe problemi me kolektorin e ujërave të zeza në lagjen ‘Kalabria’për të cilin janë ndarë 6 milionë euro.

Komuna po ashtu pritet të nis instalimin e panaleve solare në fshatin Shkabaj dhe në disa parcela që prekin edhe Komunën e Obiliqit për projektin ‘Solar for Kosovo’ në vlerë 80 milionë euro, ku përfshihen dy grante nga Banka Gjermane për Zhvillim, KFW dhe Bashkimi Evropian.

 Komuna tashmë ka miratuar marrëveshje me komunën e Obiliqit për këto panele si dhe është ndarë parcelë 25 hektarë në fshatin Shkabaj, ku përmes energjisë nga panelet fitojnë rreth 12 mijë konsumatorë të rinj të kryeqytetit. Derisa, alokimi i këtyre fondeve duhet të votohet edhe në Kuvendin e Kosovës si marrëveshje ndërkombëtare.

Projektimi i detajuar dhe tenderimi do nis nga viti i ardhshëm, derisa funksionalizmi i tij pritet të bëhet në vitin 2026.

Investime në shërbime publike

Komuna edhe këtë vit do vazhdoj me instalim të ndriçimit të mençur-proces ky që tashmë ka nisur në disa lagje. Po ashtu parashihet edhe instalim i  kamerave të sigurisë  në sheshe, hapësira publike dhe nënkalime.

Për transportin publik janë ndarë 4 milionë euro, komuna tashmë është në pritje për 30 autousë të rinj që pritet ti bashkohen flotës së 50 autousëve aktual në menaxhim të ndërmarrjes ‘Trafiku Urban’.

Me ardhjen e këtyre autobusëve që janë blerë me kredi të BERZH(Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim), komuna do vazhdoj reformën në trafik publik, duke bërë edhe ridizajnim të linjave. Do shtohen linja në lagjet e reja të kryeqytetit që janë në ndërtim e sipër (Arbëri, Prishtina e Re, Zllatar).

Prishtina e ka problem të kahmotshëm menaxhimin e mbeturinave si shkak i mungesës së pajijsve të mjaftueshme për mbledhje të mbeturinave, shërbim i cili mbulohet nga ndërmarrja ‘Pastrimi’ e cila në vazhdimësi përballet me borgj ndaj Kompanisë për Menaxhim të Deponove (kjo e fundit disa herë i ka bllokuar qasjen ndërmarrjes në deponinë e mbeturinave në Mirash të Obiliqit).

Komuna madje ka plane që, përpos ‘Pastrimit’ që mbulon 7 komuna, të inkorporojë edhe një kompani private për territorin e kryeqytetit.

Sipas një deklarimi të nënkryetarit të komunës Alban Zogaj në një seancë të Kuvendit Komunal, “në Prishtinë janë vetëm 10 kamionë për mbledhje të mbeturinave”.

Në vitin 2024 parashihet edhe ndërtimi i kontejnerëve nëntokësorë dhe gjysëm-nëntokësor. Në disa lagje të kryeqytetit aktualisht janë disa kontejnerë nëntokësor që janë vënë qysh në qeverisjen e ish kryetarit Isa Mustafa, por nuk janë vënë në përdorim pasi kompania ‘Pastrimi’ nuk ka makineri adekuate për të nxjerrë mbeturinat nga ky lloj i kontejnerëve.

Për menaxhim të mbeturinave komuna ka ndarë mbi 2.4 milionë euro si dhe është hapur tender për blerje të mbi 1 mijë kontejnerëve, derisa ka plane edhe për blerje të kamionëve.

Po ashtu parashihet edhe ndërtim i tualeteve publike në lagjet ‘Qendra’, Tophane, Dodona, Bregu i Diellit, Ulpiana, Dardania, Lakrishte dhe Aktash.

Një ndër projektet me të mëdha në shërbimet publike është renovimi i objekteve të vjetra banesore në kryeqytet.

Proejkti i emëruar ‘Eficienca e energjisë në objekte të vjetra banesore’ do ketë kosto 10 milionë euro.

Ndërtesat e vjetra publike në lagje si ‘Dardania’, ‘Ulpiana’, ‘Lakrishtë’ dhe Qendra pritet të bëhen pjesë e një projekti eficient të komunës për ndërhyrje në fasada, kulme, dyer e dritare, varësisht nga nevoja.

 Lidhur me pagesën, parashihet që 7 milionë të jenë kredi me BERZH, 2 milionë nga komuna dhe 1 milion nga Ndërmarrja Publike Banesore.

Investime në Kulturë, Shëndetësi, Sport…

Një ndër projeket më të mëdha në fushën e Kulturës për vitin 2024 do jetë projekti për ndërtimin e sallës së koncerteve, si dhe muzeu i artit që do adaptohen në objektin e ish shtëpisë së mallrave “Gërmia”.

Dizjani i artistit japonez Kengo Kuma, është përzgjedhur fitues, për detajet e fundit të këtij projekti.

Në vitin 2024 pritet të bëhet edhe rigjenerim artisktik në tunel të kurrizit dhe adaptimi i Tulltores në qendër për art dhe teknologji.

Në fushën e sportit po ashtu pritet të kryhen investime si Qendra Olimpike e Prishtinës dhe Arena Multifunksionale në Bërnicë.

Në Bërnicë po ashtu do ndërtohet edhe një thertore publike dhe tregu i kafshëve.

Po ashtu parashihet edhe ndërtimi i Shtëpisë për mbrojtjen e fëmijëve në situatë emergjente.

Derisa, në shëndetësi një ndër projektet më të mëdha do jetë ai i ndërtimit të Spitalit të Kryeqytetit, sipas të dhënave, lokacioni do jetë në Çagllavicë.

Nuk mund ti ndalim pacientët që shkojnë direkt në emergjencë e jo në qendrat e kujdesit parësor. Vetëm vitin e kaluar 92 mijë vizita i ka pasur Qendra Emergjente në QKUK, prej tyre 38 mijë kanë qënë nga Prishtina, kjo e arsyeton nevojën që Prishtina të ketë spitalin e vetë”- ka deklaruar drejtori i shëndetësisë Izet Sadiku më 9 tetor.

Investime në arsim

Sa i përket shkollave, do nis ndërtimi i shkollës në lagjen ‘Kalabria’, ndërtimi i shkollës 7 shtatori dhe ato që janë në Partneritet Publiko Privat.

Risi pritet të jetë ndërtimi i liceut artistik në afërsi ish ndërtesës së Rilindjes- e cila do jetë shkollë fillore dhe e mesme e arteve.

Në vitin buxhetor për 2024 parashihet të nis edhe furnizimi me ushqim dhe pije për nxënës të klasave 1-5 dhe çerdhet si dhe pilotim i mësimit gjithditor.

Buxheti i vitit 2024 do kaloj edhe në një rishikim si dhe në fillim të vitit bëhet edhe bartja e suficitit buxhetor të 2023 që mund të ndikoj edhe në dinamikë të punëve.