Ilustrim, Foto: Kallxo.com, Gastronomia

Komuna e Prishtinës ndan 180 mijë euro për blerje të senzorëve akustik që do masin zhurmën në lokale

Komuna e Prishtinës ka shpallur tender me vlerë 180 mijë euro për furnizim me senzorë akustik për matjen e zhurmës në qytet.

Sipas të dhënave nga Zyra e Prokurimit në komunë, senzorët akustik për matjen dhe monitorimin e zhurmës do vendosen për lokalet biznesore të cilat në kuadër të aktivitetit kanë edhe zhurmë apo muzikë.

Në përgjigjet nga Zyra e Prokurimit në Komunën e Prishtinës, thuhet se kjo bëhet me qëllim që të mos tejkalohet zhurma e cila mund të jetë shqetësim për qytetarët.

“Senzorët akustik për matjen e zhurmës do të vendosen në lokale fillimisht, për shkak se për këtë janë ankesat me të mëdha”, thuhet në përgjigjien e zyrës së prokurimit.

Në pyetjen nëse pronarëve të lokaleve do u kërkohet investim për këta senzorë akustik, nga kjo zyrë deklaruan që vendojsa dhe monitorimi do bëhet nga organet kompetente.

“Senzorët akustik do të vendosen nga Komuna e Prishtinës, si dhe monitorimi do të bëhet nga organet kompetente”, potencuan nga kjo zyrë.

Furnizimi me këta senzorë të zhurmës është duke u bërë përmes procedurës së hapur, derisa kriter për dhënie do jetë operatori ekonomik që ofron çmimin më të ulët.

Kontrollimi i zhurmës/muzikës nëpër lokale ka qenë pjesë e premtimeve të kryetarit Përparim Rama gjatë fushatës zgjedhore.

Lidhur me këtë plan të komunës, Arian Vranica, përfaqësues i Gastronomëve të Kosovës për KALLXO.com ka bërë  të ditur se janë të njoftuar me këtë vendim.

Sipas tij, shoqata ka pasur takime me kandidatët për kryetar të komunave ku janë dhënë propozime për këtë çështje.

“Si përfaqësues të SHGK-së, së bashku me pothuajse të gjithë kandidatët për kryetar të komunave në zgjedhjet e fundit lokale, kemi zhvilluar takime, në të cilat i kemi dhënë propozimet tona në lidhje me disa çështje që ndërlidhen me sektorin e gastronomisë”, tha Vranica.

Ai shtoi se shoqata ka bërë propozim për një iniciativë së bashku me komunën e Prishtinës, për trajtimin e zhurmës.

“Ne e kemi ofruar propozimin tonë për të bërë një iniciativë të përfshirë me SHGK-në dhe Komunën e Prishtinës, për trajtimin e problemit të zhurmës. Propozimi pra ka buruar nga ShGK, tani është politike dhe zotim i Komunës, e cila së bashku me ne do të trajtojë këtë problematike, rrjedhimisht jemi të njoftuar për këtë çështje”, shtoi tutje Vranica.

Vranica theksoi se kjo është mënyra më e mirë për të zbatuar një rregullore që do draftohet në pajtim me banorët dhe bizneset.

“Mendojmë që kjo është mënyra më e mirë për të zbatuar një Rregullore e cila do të draftohet fillimisht në pajtim me banorët dhe bizneset, e me pastaj monitorimi dhe zbatimi do të bëhet përmes senzorëve, të cilët janë të ndërlidhur me institucionet që merren me zbatimin e ligjit”, shtoi ai.

Sipas tij, ka pabarazi dhe në shumë raste e kanë dëshmuar që zyrtarët e institucioneve që merren me zbatimin e ligjit, nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për monitorim të çdo shkelje.

Përfaqësuesi i Gastronomëve potencoi se nuk kanë kundërshtim sa i përket vendosjes së senzorëve për matjen e zhurmës.

Si shoqatë nuk kemi kundërshtim, sepse ne i kemi propozuar këto dhe duhet të shterrim komunikim të gjerë publik për të kuptuar rëndësinë e vendosjes së monitorimit përmes pajisjeve teknologjike dhe uljen e pabarazisë ndërmjet bizneseve që egziston në klimën e përgjithshme të të bërit biznes në Kosovë”, shtoi Vranica

Banorët e Prishtinës vazhdimisht janë ankuar për zhurmën e madhe nga lokalet e gastronomisë, që sipas tyre, vazhdon deri në orët e vona.

Zonat me dendësinë më të madhe të lokaleve me muzikë e ndeja janë ‘Qendra’ dhe ‘Mati 1’

Gjatë vitit të kaluar policia dhe inspekcioni komunal kanë organizuar aksion vetëdiijësues nëpër këto zona.