Ndryshimi i masave anti-COVID i papranueshëm për gastronomët

Pas paralajmërimit të Ministrisë së Shëndetësisë për ndryshimin e masave për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, Shoqata e Gastronomëve kanë thënë se këto ndryshime janë në dëm të bizneseve të gartsronomisë.

Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve ka thënë për KALLXO.com se në diskutimet për masat e reja nuk është marrë mendimi i tyre dhe kjo është e papranueshme për bizneset.

“Natyrisht që këto janë të papranueshme për neve, sepse kjo po e ngarkon edhe më tepër sektorin e gastronomisë, sepse edhe lehtësirat që i kishte në vitin e kaluar përkatësisht me TVSh prej 8% tani është 18% “, ka thënë Vranica.

Vranica ka kërkuar që në ndryshimet e masave me të cilat janë të prekur gastronomët, të ftohen nga ministri i Shëndetësisë.

“Gjithmonë kur nuk kemi qenë pjesë e diskutimeve kur është diskutu, që na ka taku që të jemi pjesë e diskutimeve. Që nga prilli i vitit të kaluar kemi pas një deklaratë të përbashkët që duhet me u kunsultu të gjithë që kanë nënshkru këtë deklaratë, që është bërë në kohën e ministrit Vitia”, është shprehur ai.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, sot ka paralajmëruar ndryshim të masave kundër COVID-19.

Sipas deklaratës së ministrit, ndryshimi i masave do të jetë në përputhje me numrin e rasteve të reja të infektimeve.

“Natyrisht se do të ketë ndryshim të masave. Masat do të jenë në proporcion me zhvillimet dhe përhapjen e rasteve. Do të jenë në balancim me nevojat e zhvillimit të fëmijëve nëpër shkolla, me mbajtjen e shkollave hapur e të ekonomisë hapur”, ka thënë Latifi.

Dje ka pasur një rritje rekorde të rasteve pozitive, ku vetëm për 24 orë janë konfirmuar 2.050 mostra pozitive.

Sipas institucione të Shëndetësisë, varianti dominues në Kosovë, ditëve të fundit, është Omicroni