PDK akuzon Përparim Ramën: Po i tjetërson hapësirat publike për ndërtim

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, në një konferencë për media ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, se është shndërruar në ‘zyrë projektuese’ që pronat publike t’i tjetërsoj e t’i jap për ndërtim.

Shefi i asamblistëve të PDK-së në kryeqytet, Leutrim Retkoceri, është shprehur se me kalimin e planit rregullues për lagjen ‘Kalabria’ ku parashihet që toka komunale tek Stacioni i autobusëve t’i rritet koeficienti për ndërtim në 3.0, është tentim i ngjashëm me rastin e tjetërsimit të pronës në Badovc, ku do përfitonin kompani ndërtimi të afërta me kryetarin.

“Përparim Rama kaloi planin e Kalabrisë, ku 15 hektarë të kësaj prone i ktheu për ndërtim të lartë. Kjo u arrit falë bashkëpunimit me LVV-në, njësoj si me rastin e shkëmbimit të pronave në Badovc, ku Rama u mundua të këmbejë pronën publike për të akomoduar kërkesat e disa kompanive të ndërtimit të afërta me të”- u shpreh Retkoceri.

Ai shtoi se gjatë diskutimit për këtë plan kanë arritur të plotësojnë pjesërisht disa prej kërkesave të tyre.

“Lajmi i mirë është që ky plan ka arritur pjesërisht të adresojë kërkesat tona për rikthimin e hapësirave të gjelbra, shtimin e çerdheve dhe shkollave si dhe rikthimin e kopshtit botanik. Ne si PDK kemi propozuar që plani të votohet pa pjesën e Stacionit të autobusëve, por nuk pati mbështetje”- ka theksuar Retkoceri.

Ai shfaqi shpresën se përgjigja që do të jepet nga Ministria e Pushtetit Lokal do të krijojë hapësirë ligjore që pronat komunale të kthehen si pronë e qytetit.

Ndërsa, nënkryetarja e PDK-së, Besianë Musmurati potencoi se Përparim Rama nuk do ndalet me kaq pasi ngjashëm do tentojë të veprojë edhe me planin zhvillimor komunal.

“Njësoj ka pas synime për tjetërsim të kësaj toke edhe nga administratat e kaluara komunale, por askush nuk ka guxuar deri më sot.  Me votimin për planin e Kalabrisë u vulosën marrëveshjet milionëshe që do gjenerohen me privatizim të pasurisë së Prishtinë. Ne mendojmë që Përparim Rama nuk do ndalet vetëm me planin e Kalabrisë. Ai do sjellë në votim edhe plane tjera që prapë mund të tjetërsojnë pronën publike dhe të betonizojë qytetin”- tha Musmurati.

Sipas saj, ka një pangopshmëri që pa procese të planifikuara mirë e pa plane zhvillimore të jepen toka komunale për këmbim.

“Si në rastin e Badovcit e si në rastin e Stacionit të Autobusëve, pra kudo që ka hapësirë të madhe publike, tokë komunale, nga 10-30 hektarë, të bëhen toka për ndërtim e pazare”- shtoi më tej Musmurati.

Më 03.06.2024, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar planin e hollësishëm rregullues 2024-2032 për lagjen ‘Kalabria’ në kryeqytet. Plani u rregullua pas diskutimit mes LDK-së dhe partive opozitare që propozuan ndryshime në plan, ne mesin e propozimeve të aprovuara është edhe rritja e koeficientit në 3.0 për pronën publike tek Stacioni I Autobusëve.

PDK kërkoi që plani të votohej pa pjesën tek stacioni, por drejtori i urbanizmit, Arbër Sadiku kishte deklaraur se nuk mund të bëhet ndarje e parcelave pasi do duhej ridizajnuar kufijtë e lagjes.

Plani u përkrah nga partitë tjera opozitare, përpos PDK-së që kërkoi të ndalej tjetërsimi i pronës publike me qëllim të betonizimit të qytetit.

Arrihet marrëveshje, miratohet plani rregullues për lagjen ‘Kalabria’ në kryeqytet