Arrihet marrëveshje, miratohet plani rregullues për lagjen ‘Kalabria’ në kryeqytet

Pas një diskutimi maratonik rreth 12-orësh, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar planin e hollësishëm rregullues 2024-2032 për lagjen ‘Kalabria’ në kryeqytet.

LDK dhe partitë opozitare arritën marrëveshje që të propozonin disa ndryshime në planin rregullues të cilin e prezantoi kabineti i kryetarit Përparim Rama.

Ndryshimet e votuara në planin rregullues janë si në vijim:

– Prona publike tek Stacioni i Autobusëve të jetë me koeficient 3.0 nga 7.0 sa kishte propozuar komuna,

– Përgjatë “Rrugës A”, koeficienti për banorët do jetë nga 1.5 në 2.4,

– Hapësira e parkut “Botanika” me koeficient 1.0,

– Të shënjohen hapësirat e shërbimeve publike komunale,

– Parku “Kalabria” me koeficient 1.25.

planin që paraqiti drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiku, parashihej që në pronën publike te Stacioni i Autobusëve të shkohej me koeficient maksimal 7.

Ishte pikërisht kjo pikë që nxiti debat tek opozita pasi kundërshtuan që prona publike të shfrytëzohej për “betonizim”.

Derisa kryetari Rama potencoi se me këtë rritje koeficienti rritet vlera e pronës publike.

Meqë LDK qeveris me pakicë, vendosi që të bëjë kompromis me partitë opozitare për t’u marrë vesh lidhur me propozimet që ata kishin për këtë plan.

Të pranishëm në seancë ishin edhe banorë të lagjes të cilët tash e disa muaj po kërkojnë miratimin e këtij plani.

Shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, u shpreh se pas diskutimeve erdhën në ndryshimet e propozuara.

“Pas shumë diskutimeve kemi arritur në këtë përfundim me ndryshimet e propozuara: Rritja e koeficientit për banorët nga 1.5 në 2.4, të kthehen hapësirat e gjelbra, parku “Botanika” që ka qenë në planin e kaluar të kthehet si ka qenë në koeficientin 1.0, derisa hapësira e Stacionit llogaritet me koeficinet 3.0”- u shpreh ai.

Derisa, Leutrim Retkoceri nga PDK tha se do qëndrojnë në seancë për hir të qytetarëve, por janë kundër ndërtimit në pronë publike.

“Si PDK kemi kërkuar të rritet zona e gjelbërimit, shkolla e QMF të shënjohen si zona për shërbime komunale publike. Ne do qëndrojmë në seancë. Me çfarëdo koeficienti PDK nuk do e përkrahë ndërtimin në pronën publike. Ne qëndrojmë por nuk bëhemi pjesë e një ‘Badovci të dytë’ për ndërtime”- tha Retkoceri.

Gëzim Mehmeti nga AKR po ashtu tha se “për hir të interesit të qytetarëve sot kanë bërë kompromis”. “Nuk është zgjidhje ideale, por për interesin qytetar kemi kaluar mbi personalen”- u shpreh Mehmeti.

Plani i hollësishëm rregullues për lagjen “Kalabria” ishte anuluar nga kabineti i Përparim Ramës në mars 2022 me arsyetimin se janë shkelur procedurat ligjore dhe duhej të shihej interesi publik.

Atëkohë, Rama u kishte thënë banorëve se planin e ri do e paraqisnin pas 6 muajsh, por nuk ishtë sjellë si pikë diskutimi në Kuvend deri më sot.

I gjithë procesi i zvarritjes për sjellje të këtij plani ishte përcjellë me kërkesa të vazhdueshme të banorëve për miratim. Madje në seancën e 24.05.2024 shumë qytetarë erdhën në seancë në shenjë proteste, duke kërkuar që sa më shpejt të paraqitej plani rregullues.

Seanca pёr planin rregullues tё ‘Kalabrisë’ nё kryeqytet, banorёt shpërndajnë fletushka tek asamblistët – FOTO