Përleshja fizike në Kuvendin e Kosovës, 13 korrik 2023 Pamjet: Kuvendi i Kosovës

Çka thotë dosja e prokurorisë për përleshjen fizike në Kuvend në mes të zv/kryeministrit Bislimi dhe deputetit Lushtaku?

Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurve, tre prej tyre deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe njëri zëvëndëskryeinistër në Qeverinë e Kosovë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi akuzohet për përdorimin e forcës fizike ndaj deputetit Mërgim Lushtaku gjatë seancës së rregullt plenare të Kuvendit të Kosovës.

Incidenti ndodhi pasi Bislimi e kishte hequr një fotografi të kryeministrit Albin Kurti në formën e Pinokios, e cila ishte vendosur paraprakisht nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Sipas dosjes së Prokurorisë, në këtë moment, deputeti Mërgim Lushtaku, në shenjë revolte, u ngrit nga vendi i tij dhe u drejtua drejt foltores ku ndodhej kryeministri dhe me një shishe të vogël me ujë që mbante në duar, hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti.

Më pas, Bislimi, në shenjë revolte me gjendjen e krijuar, e ka përdorur shishen e tij të ujit, duke e gjuajtur dhe goditur në fytyrë të dëmtuarin Lushtaku.

Pasi kjo ndodhi, ai gjithashtu e ka goditur edhe me grushte dore në fytyrë të dëmtuarin Lushtaku.

Veprime të cilat, sipas dosjes së prokurorisë, janë regjistruar dhe shihen në kamerat e sigurisë brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.

Më këto veprime, sipas Prokurorisë i pandehuri Bislimi ka kryer veprën penale – sulmi, të paraparë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, deputeti Mërgim Lushtaku sipas dosjes së prokurorisë, ka përdorur po ashtu forcë fizike kundër tani të dëmtuarit Besnik Bislimi, ashtu që pas krijimit të situates së eskaluar në Kuvend, të përshkruar si më lartë, tani i pandehuri Mërgim Lushtaku me dashje e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin Bislimin, duke e goditur të njëjtin me shuplakë në fytyrë, veprime të cilat janë regjistruar dhe shihen në kamerat e sigurisë brenda sallës së Kuvendit. Sipas Prokurorisë me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale – sulmi.

Prokuroria Themelore e Prishtinës, përmes njoftimit për media, më 30 tetor ka bërë të ditur se pas zhvillimit dhe zgjerimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurve, Besnik Bislimi, Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa dhe Bekim Haxhiu.

Kjo aktakuzë ka të bëjë me veprimet apo ngjarjen e datës 13 korrik 2023, gjatë mbajtjes së një seance plenare në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku ndodhi një përleshje fizike mes deputetëve.

Sipas akuzës, të pandehurit Besnik Bislimi, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu, ngarkohen për veprën penale – sulmi sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, i pandehuri Hajdar Beqa akuzohet edhe për veprën penale – asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Në lidhje me të pandehurin Bekim Haxhiu, sipas prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka kryer edhe veprën penale – lëndimi i lehtë trupor duke u bazuar në dispozitat e KPRK-së.

Prokuroria Themelore i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të ndëshkohen në përputhje me ligjin për veprat penale për të cilat janë akuzuar.

KALLXO.com pati raportuar se gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ka ndodhur një përplasje fizike në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë kohës sa ministri i Financave, Hekuran Murati është ngritur nga karrigeja e tij, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të tij dhe më pas ka ndodhë një përleshje fizike.

Kjo shkaktoi që Kuvendi të ndërpresë transmetimin.

Si ndodhi incidenti me grushte në Kuvend për të cilin u ngrit aktakuzë ndaj zv/kryeministrit Bislimi dhe tre deputetëve të PDK-së