Arsyetimi i Apelit për lirimin e ish-kryeshefit të PTK-së, Shyqri Haxha

Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të gjykatës Themelore, për ish-kryeshefin e PTK-së, Shyqri Haxha, i cili ishte i akuzuar për lidhje të kontratës së dëmshme.

Ky vendim është marrë nga kolegji i gjyqtarëve, Skender Çocaj – kryetar, Abdullah Ahmeti dhe Kadrije Goga Lubishtani – anëtarë të kolegjit.

Shyqri Haxha akuzohej se kishte lidhur kontratë për faturim të ri pa pëlqim paraprak të aksionarit në këtë rast – Qeverisë së Kosovës. E ku më pas aksionari kishte bërë shkëputjen e njëanshme të kontratës e cila ishte lidhur me kompaninë Amdocs, e ku Qeveria e Kosovës është paditur në Arbitrazh për kompensim të dëmit.

Gjykata e Prishtinës, në mars të këtij viti kishte liruar nga akuza Haxhën, vendim të cilin edhe Apeli e ka vërtetuar.

Prokuroria kishte parashtruar ankesë kundër këtij vendimi për shkak të pretendimeve për shkelje të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe shkeljes së ligjit penal.

Prokuroria kishte propozuar që vendimi i Gjykatës së shkallës së parë të anulohej dhe që çështja të kthehej në rigjykim dhe rivendosje.

Gjykata e Apelit, pasi ka vlerësuar pretendimet e prokurorisë, ka vendosur se ato nuk janë të bazuara.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, nuk është arritur të provohet se i akuzuari Shyqri Haxha ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, dhe për këtë arsye është liruar nga akuza.

Tutje, sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore të prokurorisë lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike janë të paarsyeshme. Sipas vendimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë ka bërë vlerësime të drejta dhe ka konstatuar se nuk ka prova të mjaftueshme që i akuzuari të ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohej, dhe se veprimet e tij nuk paraqesin elemente të veprës penale.

Gjatë arsyetimit të vendimit të tyre, Gjykata e Apelit thekson se kanë bazuar vendimin në provat materiale të administruara gjatë procesit gjyqësor para gjykatës së shkallës së parë.

Këto prova përfshijnë një kontratë midis PTK dhe AMDOCS Development Limited, e cila dëshmon faktin se kjo kontratë është nënshkruar për kryerjen e shërbimeve të faturimit, një letër nga ish-Ministria e Ekonomisë dhe Financave lidhur me ndërprerjen e kontratës së Platformës së faturimit, e cila konfirmon faktin se ish-MEF i ka kërkuar PTK-së të ndërpriste kontratën për shkak të privatizimit të PTK-së.

Në përfundim, provat materiale përfshijnë një vendim të datës 13 maj 2010, i cili vendos për mos vazhdimin e projekteve nga ana e PTK-së. Gjykata e Apelit ka vlerësuar se këto prova janë të mjaftueshme dhe se janë të mbështetura me faktet që kanë të bëjnë me çështjen juridiko-penale në fjalë.

I akuzuari Shyqri Haxha, gjatë procesit gjyqësor kishte bërë deklaratën se nënshkrimi i kontratës me “AMDOCS” nga ana e tij ishte një akt ceremonial.

Vendimi i gjykatës së shkallës së parë, pas shqyrtimit të të gjitha këtyre aspekteve, ka konstatuar se në veprimet e Shyqri Haxhës nuk ekzistojnë elementet e veprës penale – Lidhja e kontratës së dëmshme, pasi drejtori i prokurimit në momentin e nënshkrimit të kontratës ishte Fatmir Gjonbalaj.

10 vjet pas lidhjes së kontratës 9-milionëshe, Prokuroria e Prishtinës në vitin 2020 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, Shyqri Haxha, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale – lidhja e kontratës së dëmshme.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Haxha, më 16 prill 2010, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, me dashje dhe me qëllim që të shkaktojnë dëm material, duke mos marrë aprovimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës, kishte lidhur kontratë për faturim të ri me ç’rast i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së.

Ngase me kërkesë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën dhe është detyruar të paguajë shumën prej 9 milionë euro si dhe shpenzime tjera të cilat janë bërë lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate. Vlera e përgjithshme kishte arritur në 9,891,022.81 euro.

Raportimet e ngjashme nga KALLXO.com – LINK