Nikolla Gruevski - Foto: REL/Reuters

Kërkohet amnisti për Nikolla Gruevskin

Ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski të enjten duhet të paraqitet në vuajtjen e dënimit prej dy vjet burg, por në rast se dorëzon edhe një kërkesë për shtyrjen e vuajtjes së dënimit, procedura mund të shtyhet për disa ditë.

Ndërkohë, mbështetësit e tij i kanë dorëzuar një kërkesë presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov, që të shfrytëzojë, siç thonë, autoritetin e tij dhe ligjet në fuqi për të falur ish kryeministrin, i cili sipas tyre, po ndiqet për motive politike.

”I bëjmë thirrje presidentit të Republikës, Gjorge Ivanov, i cili është politikani i vetëm në Maqedoni, i cili ka kredibilitet për t’i dhënë fund ndjekjeve politike që po ndodhin në Maqedoni. Kështu si ne mendojnë edhe shumë qytetarë tjerë, por nga frika e pasojave nga pushteti aktual nuk dalin në protesta, por edhe ata kërkojnë nga kreu i shtetit që t’i përfaqësojë me dinjitet interesat e kombit maqedonas”, ka deklaruar Aleksandar Trajkovski, një nga pjesëmarrësit në protestën në mbrojtje të Gruevskit.

Ish kryeministri është dënuar me dy vjet burg për shpërdorim të detyrës në rastin e blerjes së një makine qeveritare në vlerë prej 600 mijë euro. Për të njëjtën vepër janë dënuar edhe dy zyrtarë tjerë qeveritarë.

Njohësit e çështjeje juridike thonë se Nikolla Gruevski mund të falet, por për një pjesë të dënimit, ndërsa procedura fillimisht duhet të kalojë në Ministrinë e Drejtësisë dhe më pas të aprovohet nga kreu i shtetit. Osmani Kadriu, profesor i së drejtës kushtetuese, nuk beson se presidenti do të përsëriste rastin me faljen e mbi 50 personave të përfshirë në aferën e përgjimeve, vendim që e kishte tërhequr pas presioneve të shumta si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

I pyetur të komentojë nismën, kryeministri Zoran Zaev ka thënë se nuk beson se diçka e tillë do të ndodhë, por ka hyrë në detaje lidhur me kërkesën për falje.

“Bëhet fjalë për nismë të individëve dhe nëse komentoj atëherë mund të prejudikoj gjëra të panevojshme. Nuk besoj se diçka e tillë do të ndodhë në Maqedoni”, ka deklaruar Zaev.

Ndërkohë, VMRO DPMNE-ja mbetet në qëndrimin se ndjekja politike e Nikolla Gruevskit siç thonë, bëhet për më shumë arsye para së gjithash për të shpërqendruar vëmendjen nga shumë afera që kanë përfshirë qeverinë aktuale.

“Ne në vazhdimësi po shohim tendencën e pushtetit për të larguar vëmendjen nga ngjarjet shumë të rëndësishme që po ndodhin në shtet. LSDM-ja po tenton që të fsheh dështimet në të gjitha sferat, sjelljen e saj ndaj popullatës dhe shtetit në përgjithësi, mossundimin e ligjit, rënien e ekonomisë, ndjekjen e kundërshtarëve politikë dhe mosrespektimin e vullnetit të popullit në referendumin më 30 shtator. Është e papranueshme ajo që po ndodhë pasi në një proces të montuar po dënohen ish kryeministri i Maqedonisë i cili nuk ka bërë asnjë vepër penale. Ne ende nuk kemi parë se nëse nga rasti për të cilën është gjykuar Gruevski është dëmtuar buxheti i shtetit”, ka deklaruar Oliver Andonov, ish zëvendësministër nga VMRO DPMNE-ja.

Nikolla Gruevski i cili ka drejtuar për dhjetë vjet qeverinë, po gjykohet edhe për shpërdorime të tjera të detyrës zyrtare, për mashtrime zgjedhore, dhunë të porositur ndaj ish-drejtuesve të opozitës në një Komunë të Shkupit, e keqpërdorime tjera financiare. Të gjitha shpërdorimet e bëra janë zbuluar nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve të publikuar nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev. (REL)

08 Nëntor 2018 - 21:00

REL 08/11/2018 - 21:00
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend