Visoka: Shqipëria nuk i ka ndihmuar Kosovës në Këshill të Sigurimit

Gëzim Visoka, profesor i asocuar në Universitetin e Dublinit, në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si dhe integrimin e vendit në BE, ka kritikuar Shqipërinë që nuk ka bërë asgjë lidhur me Kosovën në Këshillin e Sigurimit.

“Shqipëria e ka humbur mundësinë ideale për ta përfaqësuar ose avancuar një agjendë që përfaqëson identitetin shqiptar, politikën e jashtme shqiptare por edhe interesat e shqiptarëve në rajon” – ka thënë Visoka.

Ai ka shtuar se është për çudi si Shqipëria ka qenë lidere për Ukrainën por jo edhe për Kosovën.

“Kosova është në agjendë të Këshillit të Sigurimit dhe deri më tani Shqipëria ka pasur një qasje reaktive, d.m.th. është për çudi me pa se si Shqipëria ka qenë lidere për Ukrainë dhe kurrë nuk e ka marrë iniciativën me organizu ngjarje apo agjendë normative për Kosovën” – shtoi ai.

Ai më tej ka shtuar se ka pritur nga Shqipëria ta shtyjë përpara mundësinë e lobimit kundër çnjohjeve.

“Me normu nevojën sepse çnjohjet janë forma të agresionit diplomatik, janë destabilizuese dhe si të tilla duhet me u ndalu në sistem ndërkombëtar, nuk janë të rregulluara në këtë sistem. D.m.th. kur je anëtar i Këshillit  të Sigurimit ke mundësi ta nxjerrësh një deklaratë të parimeve ose të krijosh një grup miqësh dhe ajo s’e ka përdorur këtë mundësi” – shtoi ai.

Sipas Visokës, i cili edhe ka studiuar rreth fenomenit të çnjohjeve, ku edhe si vend studimi ka pasur Kosovën, problemi me çnjohjet është mohimi i tyre.

“Fakti që Kosova i mohon, krijon amulli dhe i krijon mundësi Serbisë t’i keqpërdorë si procese. Unë kam propozuar që Kosova çnjohjet t’i definojë si kërcënime diplomatike, si agresion diplomatik i Serbisë. Pra mos me i mohu por me i pranu si forma të presionit sepse qëllimi i Serbisë ka qenë me e ngritë fuqinë negociuese në raport me Kosovën në Bruksel” – ka shtuar Visoka

Ndryshe Shqipëria më 1 qershor të vitit të kaluar kishte marrë presidencën e Këshillit të Sigurimit.

Shqipëria i është bashkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si anëtar jo i përhershëm.

Shqipëria në Këshill ka treguar vendosmëri përkrah SHBA-së në udhëheqjen e Këshillit me disa rezoluta për Ukrainën.

https://kallxo.com/lajm/shqiperia-ne-keshillin-e-sigurimit-te-okb-se-kerkon-shtim-te-llogaridhenies/