Talat Xhaferi tregon se a kishte tentim atentat ndaj Albin Kurtit në Shkup

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka treguar versionin e tij për lajmin që qarkulloi në media se kishte pasur përpjekje për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, gjatë qëndrimit të këtij të fundit në Shkup më 10.02.2024.

Xhaferi në një intervistë në “Kallxo Përnime” tha se lajmi që kishte qarkulluar nuk ka të bëjë me realitetin. Ai sqaroi se këtë e konfirmon sipas të dhënave të verifikuara që i posedon.

“Çështja e informacionit është kompetencë e institucioneve përkatëse shtetërore që kanë të bëjnë me përcjelljen e situatës dhe sigurisë shtetërore, përfshirë edhe sigurisë së bartësve të institucioneve më të larta në shtete përkatëse. Çështja ishte për të ardhë keq sepse përmes mediumit publik shtetëror jepet një informacion për gjoja përgatitje, inskenim, skenim të një atentati të mundshëm, gjë që sipas të dhënave që kam, e që janë të verifikuara, pra nuk janë të dhëna vetëm pse si kryeministër që e them, nuk ka të bëjë me realitetin”- ka konstatuar Xhaferi.

Ai tha se në rrjete sociale ka postime të natyrës kërcënuese që u drejtohen bartësve të funksioneve të larta shtetërore, duke theksuar se edhe ndaj tij ka pasur të tilla.

“Ka të bëjë me faktin që përderisa ka qenë në rrjedhë Këshilli i Sigurimit në Kombet e Bashkuara, në rrjete sociale, që gati për çdo ditë ndodhin, individë të caktuar kanë postime të asaj natyre në formën e kanosjes për neve si bartës të funksioneve të larta shtetërore, përfshirë edhe faqen time ku porosi të tilla i kam edhe unë edhe duke qenë kryetar Parlamenti edhe tash kryeministër”- shpjegoi Xhaferi.

“Ato janë çështje me të cilat merren institucionet përkatëse, dhe informacionet e mia flasin se ka pasë korrespodencë institucionale mes agjensionit kosovar të informacionit dhe shërbimeve përkatëse të Maqedonisë së Veriut”- thekson ai.

Më tej, Xhaferi ka sqaruar se ka pasur komunikim përgatitor që sipas tij, është protokoll i funksionimit të institucioneve përkatëse për përgatitje të paralajmëruar që kryeministri [Kurti] do të qëndrojë për event të organizuar në Shkup.

“Ka pasur komunikim përgatitor që është protokoll i funksionimit të institucioneve përkatëse për përgatitje të paralajmëruar që kryeministri do të qëndrojë për event të organizuar në Shkup dhe sipas rregullave merren masat për të siguruar dhe rezulton që në Maqedoninë e Veriut dhe kudo në botë, ka status dhe protokoll të vecantë të sigurisë së shtuar dhe institucionet përkatëse në Maqedoni kanë paraljamëruar edhe qytetarët që në kohën sa zgjatë evimenti do të jetë regjim i veçantë i komunikacionit dhe lëvizjeve në qytet dhe është kërku mirëkuptim i qytetarëve që të respektojnë kërkesat e personave zyrtar”- u shpreh ai.

Kryeministri maqedonas vlerëson se lajmi që ka qarkulluar i ka shkaktuar dëm vetë mediumit publik, në këtë rast Radiotelevizionit të Kosovës.

“Që në përgatitje të eventit kur është paralajmëruar që do organizohet eventi, shërbimet kanë bërë komunikimin e duhur të marrjes masa përkatëse për organizimin dhe sigurimin e duhur që është në protokollet e paraparë dhe në vendet ndërkombëtare dhe unë kam thënë edhe në paraqitje tjera që kjo dëm i ka shkaktuar vetë agjencionit kosovar të informacionit për besueshmërinë e shkëmbimit të informatave në të ardhmen”- tha mes tjerash Xhaferi.

I pyetur se nëse ai mendon që Agjencia Kosovare e Inteligjencës ia ka dhënë këtë informacion RTK-së, Xhaferi tha se “ato informacione janë të shkallës së lartë të sigurisë dhe janë informacione sekrete që nuk janë për publikun”.

“Ato janë informacione që duhet t’i kenë institucionet përkatëse dhe në bazë të tyre bëjnë veprimet përkatëse që korrespodojnë me procedurat e tyre profesionale, prandaj them se dëmi më i madh i është bërë agjencionit kosovar për informacion”- potencoi ai.

Ndaj raportimit të Radiotelevizionit të Kosovës “Plani për atentat ndaj Kryeministrit Albin Kurti, RTK sjell detaje”, ka pasur reagime duke vënë në dyshim faktet dhe burimet e përdorura.

Madje edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut kishte demantuar lajmin, duke mohuar të ketë pasur tentim atentati ndaj kryeministrit Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 10.02.2024, deklaroi se nuk është ndjerë i rrezikuar, edhe pse ka mësuar se ka shumë kërcënime për të nga Beogradi zyrtar.

Kurti para mediave tha se gjatë qëndrimit të tij në Shkup ka vërejtur se ka shumë forca policore që po kujdeseshin për mbledhjen me partitë socialdemokrate.

“Unë kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura që kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo unë sapo erdha nga Shkupi këtu, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë që shumë forca policore të cilët u kujdesen për mbledhjen në Shkup me partitë socialdemokrate e ku mysafiri kryesor ishte kryetari i Partisë Socialdemokrate gjermane”- është shprehur kryeministri.

Para se të shkonte në Shkup, Kurti përfaqësoi Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB, në të cilën temë diskutimi ishte çështja e Rregullores së Bankës Qendrore.

Atje ishte ballafaquar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pretendonte se ka pasur persekutim ndaj qytetarëve serb.

Këto deklarata Kurti i kishte quajtur gënjeshtra.

“Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitetit serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata publike ndërkombëtare” – tha në fjalimin e tij, kryeministri Kurti.

Duke pretenduar se Kosova është pjesë e Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se euro në territorin e Kosovës përdoret në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërkaq Kurti ka insistuar se dinari nuk është i ndaluar në Kosovë, porse, sipas tij, euroja është valuta e vetme sa i përket pagesës.

Në anën tjetër, më 28.01.2024, Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që mban këtë post në këtë shtet.

Qeveria teknike do të funksionojë për 100 ditë dhe do të ketë mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen më 8 maj. Pro zgjedhjes së ekzekutivit votuan 65 deputetë, 3 ishin kundër dhe asnjë abstenim.

Dimitar Kovaçevski, ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut, më 25.01.2024 ka paraqitur në Kuvend dorëheqjen e tij dhe të kabinetit qeveritar, me të cilin ka udhëhequr nga 11.01.2022.

Raportimet për atentat ndaj Kurtit, ai thotë se nuk u ndje i rrezikuar