Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Raportimet për atentat ndaj Kurtit, ai thotë se nuk u ndje i rrezikuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk është ndjerë i rrezikuar, edhe pse ka mësuar se ka shumë kërcënime për të nga Beogradi zyrtar.

Kurti para mediave tha se gjatë qëndrimit të tij në Shkup, ka vërejtur se ka shumë forca policore që po kujdeseshin për mbledhjen me Partitë Socialdemokrate.

“Unë kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura që kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo unë sapo erdha nga Shkupi këtu, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë që shumë forca policore të cilët u kujdesen për mbledhjen në Shkup me Partitë Socialdemokrate e ku mysafiri kryesor ishte kryetari i Partisë Socialdemokrate gjermane”- është shprehur kryeministri.

Rtklive ka raportuar më 10.02.2024, në 12:30h se ishte planifikuar atentat në Shkup ndaj ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Kurti dy ditë më parë përfaqësoi Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB, në të cilën temë diskutimi ishte çështja e rregullores së Bankës Qendrore.

Kurti e ka quajtur gënjeshtër deklarimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se në Kosovë ka persekutim ndaj qytetarëve serbë.

Kurti në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) tha se një ide e tillë është thjeshtë gënjeshtër.

“Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitetit serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata publike ndërkombëtare” – tha në fjalimin e tij, kryeministri Kurti.

Duke pretenduar se Kosova është pjesë e Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se euro në territorin e Kosovës përdoret në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërkaq Kurti ka insistuar se dinari nuk është i ndaluar në Kosovë, porse, sipas tij, euroja është valuta e vetme sa i përket pagesës.

Përmbledhje – Ballafaqimi Kurti-Vuçiq në KS të OKB-së për dinarin dhe Banjskën

Shënim: Artikulli është edituar në ora 16:45h, duke vendosur si hyperlink artikullin e parë të www.rtklive.com, të cilët kanë raportuar me burime për tentim atentatin ndaj kryeministrit Albin Kurti.