Si e bindi diplomati shqiptar historianin Noel Malcolm për të realizuar dokumentarin me të?

Ish ambasador i Shqipërisë në Angli dhe studiuesi, Mal Berisha, në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka folur për dokumentarin dhe historianin Noel Malcolm.

Ai thotë se kushdo që i ka bërë ‘argatin’, shqiptarëve për të ka qenë njeri shumë i madh.

“Ky njeri kaq i madh, dietar kaq i madh, është njeri shumë më i thjeshti që mund të takosh. Ai që ka punuar për Shqipërinë, shqiptarët, për Kosovën, për popullin shqiptar, për kombin shqiptar unë e admiroj edhe nëse ka bërë shumë pak, ndërsa ky(Malcolm), ka bërë gjëra shumë të mëdha”, thotë Berisha

Ai ka shtuar se mendon që përderisa i ka parë gjithë këto gjëra tek Malcolm i njëjti ka parë tek Berisha respektin dhe mirënjohjen.

“Me sa duket ai ka lexu tek unë respektin, admirimin, dëshirën e madhe për të qenë afër tij për me kuptu dhe me mësu prej tij dhe kjo mund të ketë qenë arsyeja edhe që më ka dhënë intervistë. Në dokumentar paraqitet vetëm 10-15% e intervistës, unë kam një kolazh të tërë të intervistave me të edhe për çështje të tjera e për figura të tjera që kanë kontribuar për çështjen e Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Berisha

Historiani britanil, Noel Malcolm në vitin 1998 publikoi librin për Kosovën, i cili u bë udhërrëfyes për shumë diplomatë të huaj në çështjen e Kosovës.

Në librin “Kosova një histori e shkurtër’’, autori e paraqet një pasqyrim objektiv të Kosovës gjatë luftës me Serbinë.

Historia e Kosovës që nga periudha e pushtimit Romak e deri në ditët e sotme është në fokus të “Kosova: një histori e shkurtër” të historianit anglez Noel Malcolm. Kjo është edhe vepra që e cilësoi atë si më të mirin e autorëve të huaj në konkursin e albanologjisë. Dr. Malcolm trajton me objektivitet ngjarjet historike dhe rivlerëson të vërtetën historike të deformuar nga mitet dhe trajtimi tendencioz i historiografisë serbe.