'Kosova, një histori e shkurtër'
Mal Berisha, ish-ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” para dy javësh, ka folur për dokumentarin e tij kushtuar Kosovës.
Studiuesi Mal Berisha, para pak kohësh ka realizuar një dokumentar me historianin e njohur anglez, Noel Malcolm. Historiani dhe shkrimtari, Malcolm ka shkruar librin “Kosova, një histori e shkurtër’’.
Ish-ambasadori ka shpjeguar se çfarë e shtyu atë të realizojë dokumentar me historianin Malcolm. Ai në një intervistë për emisionin Kallxo Përnime”, ka thënë se libri ka qenë arsyeja kryesore që e bëri atë të merret me dokumentar.
“Një ndjenjë shumë e thellë e respektit dhe mirënjohjes që më ka pushtuar që ditën që e mora librin në duar, e cila shkonte në rrjedhën e gjërave që unë doja të dija për Kosovën ose nuk i dija apo edhe që i mësova. Arsyeja tjetër është që historia që harrohet rrezikon të përsëritet dhe ne shqiptarët harrojmë shumë shpejt dhe sidomos historinë e Kosovës kemi filluar ta harrojmë e cila është e lavdishme por edhe e dhimbshme dhe në një moment të caktuar ajo është zgjidh falë njerëzve si Malcolm, të cilët e kanë thënë të vërteten për ne….”, tha Berisha.
Berisha, ka folur për dokumentarin dhe historianin Noel Malcolm.
Ai thotë se kushdo që i ka bërë ‘argatin’, shqiptarëve për të ka qenë njeri shumë i madh.
“Ky njeri kaq i madh, dijetar kaq i madh, është njeri shumë më i thjeshti që mund të takosh. Ai që ka punuar për Shqipërinë, shqiptarët, për Kosovën, për popullin shqiptar, për kombin shqiptar unë e admiroj edhe nëse ka bërë shumë pak, ndërsa ky (Malcolm), ka bërë gjëra shumë të mëdha” – thotë Berisha.
Ai ka shtuar se mendon që përderisa i ka parë gjithë këto gjëra tek Malcolm i njëjti ka parë tek Berisha respektin dhe mirënjohjen.
“Me sa duket ai ka lexu tek unë respektin, admirimin, dëshirën e madhe për të qenë afër tij për me kuptu dhe me mësu prej tij dhe kjo mund të ketë qenë arsyeja edhe që më ka dhënë intervistë. Në dokumentar paraqitet vetëm 10-15% e intervistës, unë kam një kolazh të tërë të intervistave me të edhe për çështje të tjera e për figura të tjera që kanë kontribuar për çështjen e Kosovës dhe Shqipërisë”- tha Berisha.
Historiani Noel Malcolm në vitin 1998 publikoi librin për Kosovën, i cili u bë udhërrëfyes për shumë diplomatë të huaj në çështjen e Kosovës.
Në librin “Kosova një histori e shkurtër’’, autori e paraqet një pasqyrim objektiv të Kosovës gjatë luftës me Serbinë.
Historia e Kosovës që nga periudha e pushtimit Romak e deri në ditët e sotme është në fokus të “Kosova: Një histori e shkurtër” të historianit anglez Noel Malcolm.
Kjo është edhe vepra që e cilësoi atë si më të mirin e autorëve të huaj në konkursin e albanologjisë. Dr. Malcolm trajton me objektivitet ngjarjet historike dhe rivlerëson të vërtetën historike të deformuar nga mitet dhe trajtimi tendencioz i historiografisë serbe.
Ky dokumentar, Berisha thotë se është realizuar si shenjë mirënjohjeje për historianin, shkrimtarin, Noel Malcolm, për shkrimin e librit “Kosova, një histori e shkurtër’’, që ndikoi në çështjen e vendit.
Dokumentari i Berishës u shfaq edhe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ku i pranishëm ishte edhe vet historiani Malcolm.
Dokumentari u shfaq pjesë-pjesë edhe në emisionin “Kallxo Përnime”.
‘S’jam fajtor për bombardimet e NATO-s në ’99’
Historiani Malcolm thotë se sapo mbaroi së shkruari historinë e Bosnjës, ia dha detyrë vetës të shkruante edhe për historinë e Kosovës, që iu deshën tre vjet.
Malcolm që e shkroi librin ‘Kosova, një histori e shkurtër’, e cila u botua në vitin 1998, akuzohej se ky libër ishte arsyeja se pse NATO e bombardoi Serbinë.
Por Macolm në një dokumentar të realizuar nga studiuesi shqiptar, Mal Berisha, 25 vjet pas botimit të këtij libri, thotë se nuk ndihet fajtor për bombardimet e NATO-s.
“Një libër historie është libër historie. Nuk është një lloj dokumenti politikash për konfliktet. Nuk ndihem fajtor për ato bombardime. Ka pasur simpatizues serb në të ‘90-at që kanë vendosur stikera me paralajmërimin “ky libër inkurajon fushatën e bombardimeve të NATO-s” – Noel Malcolm, autor i librit ‘Kosova, një histori e shkurtër”, ka thënë Malcolm në dokumentar.
Tutje ai shpjegon edhe si e ka mësuar gjuhën shqipe.
“Për këtë, kishte laboratorë gjuhësorë në Cambridge, ku thjesht mund të shkoje dhe të merrje një kurs me kaseta dhe thjesht e krejt i pavarur, nëse do të kishe disa orë të lira, do të uleshe dhe do të studioje. Kështu, mbi këtë bazë, fillova të mësoj një gjuhë të re çdo vit. Por ishte një gjuhë që nuk mund ta mësoja me atë metodë, sepse aty nuk kishte asnjë kurs në dispozicion. Dhe kjo ishte gjuha shqipe. Mua më intrigoi kjo lloj gjuhe dhe njerëzit, me të cilët ishte më e vështirë të njihesha”, – thotë Malcolm
“Gjeta në bibliotekën e universitetit një libër të vjetër me titull, “Shqipja pa mësues”, dhe fillova ta mësoj. Në atë kohë, padyshim që mund të udhëtoja në Kosovë, megjithëse serbishtja ime ishte më e mirë se shqipja, por askush nuk priste që unë të flisja shqip”, – thotë Malcolm
Jetesa në Kosovë
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Britani, Mal Berisha ka rrëfyer jetën e tij në Kosovë.
Berisha tregon që me të mbaruar lufta, ka jetuar në Kosovë 9 vjet, pasi që ka punuar për UNMIK-un.
“Ditën që Kosova u shliru kam marr një vendim të prerë, tani dua me shku me pa Kosovën, fill mas asaj kam ardh këtu, 5 vjet e para i kam bërë përtej urës së Ibrit” – thotë Berisha.
Ai ka rrëfyer edhe për përjetimet e tij gjatë asaj kohe dhe ballafaqimin e serbët.
“Kam përjetuar evakuime me trupa speciale nga sulmet që i bënin serbët Gjykatës, kam dëgju dëshmitë rrënqethëse të masakrave që i dëftonin dëshmitarët në sallën e gjyqit, kam përjetu zhgënjimin e tmerrshëm të një drejtësie të padrejtë që njerëzit të cilët vinin dhe rrëfenin se si ua kanë vra fëmijen nëpër duar, si ja kanë marr djalin nga shpia, si ia kanë marr nipin nga shpia dhe që devalvoheshin dëshmitë e tyre……”, ka rrëfyer Berisha.“….. ka ndodhur që pastaj për shkaqe që edhe sot e asaj dite demonstrohen në një mënyrë të caktuar në lidhje me atë se çfarë meriton Kosova dhe çfarë ka vuajt. Kishte njerëz nga ata ndërkombëtarët, të cilët punonin me agjendë të dikujt tjetër. Dhe ata ndërkohë që duhej të i jepnin drejtësi atij që ishte viktimë e këtij trajtimi çnjerëzor, gjenin mjete artificiale në mënyrë që të zhvleftësohej dëshmia”, – rrëfen Berisha.
Ai kujton që përkthyesit serb që punonin në atë kohë për UNMIK-un, i thonin që ‘ju shqiptarët e Shqipërisë jeni më ndryshe, s’jeni si këta kosovarët”.
“Ju jeni më të qytetëruar z. Berisha, s’jeni si këta dhe unë ju thoja që nuk e dini se çka jam unë me ma pas bo atë që ua keni bërë kosovarëve këta janë shumë të durueshëm, kosovarët janë shumë të qytetëruar dhe shumë tolerant se po të ma kishi bërë mua këtë dhe njerëzve të mi, nuk do isha ky që jam…” – ka rrëfyer studiuesi Berisha.
Berisha është studiues dhe diplomat shqiptar i cili ka shërbyer si ambasador në Angli.
Studiuesi dhe diplomati shqiptar, Mal Berisha ka deklaruar se i dërguari i posaqëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak duhet të dorëhiqet nga ky post.
Berisha në emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se nuk mundet ai që të jetë i paanshëm kur vjen nga një shtet që është kundër Kosovës.
“Aty ka diplomatë që punojnë ndoshta me agjenda tjera, aty ka diplomatë që erdhën në Prishtinë por që përfaqësojnë shtetin e vet e i cili është kundër Kosovës, siç është Sllovakia. Dhe unë guxoj me thanë hapur edhe po ta kisha përballë atë njeri, që gjëja e parë që do të bënte është të dorëhiqej”, – ka thënë Berisha.
Ai ka shtuar se njeriu më i arsyeshëm për këtë pozitë sipas tij, është dikush nga Gjermania apo Anglia.
“Një anglez një gjerman, apo të jetë nga një vend që e ka njohur Kosovën”, – tha Berisha
Ndërsa këtë situatën aktuale ai e krahason me kohën e Rambujesë.
“Vuçiqi është duke kërkuar më shumë se Asociacionin, unë jam për me bo Asociacionin e Komunave siç janë në gjithë botën, të cilat nuk kanë kompetenca ekzekutive, nuk dirigjohet nga dikush tjetër” – ka thënë Berisha.