Foto: KALLXO.com

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë: Sfidë që parku arkelogjik Ulpiana është ende pronë private

Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka folur për parkun arkeologjik Ulpiana, në të cilin para disa javësh u zbulua dedikimi nga perandori Justinian (527-565 pas Krishtit) dhe gruas së tij Theodora të një “urbs Dardaniae”, një nga shumë pak dedikime latine të çiftit perandorak në epokën e vonë romake.

Zbulimi ishte mundësuar nga Zyra e BE-së në Kosovë përmes një invetimi prej 1 milion eurove.

Ambasadori në emisionin “Kallxo Përnime”, tha se para se të bëhej ky investim nuk e kishin ide që do të zbulohej ndonjë gjë në Ulpianë.

“Unë nuk do të doja të hyja në këto gjëra historike, por duhet të pranoj që kur filluam ta financonim këtë projekt nuk ishim në dijeni, mirëpo unë në fakt jam një vizitor i shpeshtë i punës së ekipit, i cili po bën punë të shkëlqyer, që është një ekip i përbashkët” – tha ai.

Szunyog tha se është informuar që në Ulpianë mund të bëhen zbulime shumë interesante.

“Por kjo është një përpjekje e përbashkët e ekipit francez, por edhe e arkeologëve vendas dhe unë jam një vizitor i shpeshtë atje. Por, ajo që do të thosha është se jam informuar nga ky ekip qysh vitin e kaluar se ka një potencial shumë interesant për zbulimet që mund të bëhen”- tha Szunyog.

Ai shtoi se sfidë mbetet fakte që parku ende është në pronë private.

“Do të thosha gjithashtu se ekziston edhe sfida specifike që e gjithë kjo është ende pronë private dhe është në pronësi të dikujt. Ka një aktivitet të caktuar aty, po ndodhin gërmimet”- shtoi ai.