A po humb vlera e parave të Trust-it në tregjet financiare?
Lëvizjet e shpejta në investimet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (TRUSTI) gjatë muajit mars shkaktuan kritika nga opozita se në mungesë të bordit, Fondi pensional nuk po arrin të tërheqë investimet nga tregjet financiare në rënie.
Ministri i Financave Hekuran Murati, teksa po i përgjigjej pyetjeve të deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti në Komisionin parlamentar ku po raportonte për problemet në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, i njohur si Trust-i, tha se pretendimet e opozitës nuk qëndrojnë.
“Pretendimet për humbje të mëdha të mjeteve nuk qëndrojnë pasi Fondi ka të bëjë me një performancë negative prej 1.01 për qind dhe jo me humbje të shumave të mëdha të mjeteve, deklaroi të premten ministri Hekuran Murati.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti javën e kaluar deklaroi se rreth 2.5 miliardë euro kursime pensionale të investuara në tregjet financiare janë në mëshirë të fatit dhe kjo po ndodh për shkak të mungesës së Bordit të Trust-it.
Trust-i ka mbetur pa Bord drejtues që prej 1 marsit 2023.
Hoti shtoi se në mungesë të Bordit nuk ka kush të marrë vendim për tërheqjen e investimeve të Trustit Pensional nga tregjet financiare në rënie.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, të premten deklaroi se këto humbje janë luhatje ditore që ndodhin në vazhdimësi, jo një fenomen vetëm për këtë vit. Në të njëjtën kohë, ai shtoi se nuk ka të bëjë fare me faktin se Trust-i nuk ka Bord.
“Shqetësuese janë deklaratat publike të disa deputetëve se Trust-i pëson humbje për shkak se ministri i Financave e ka lënë këtë institucion pa Bord. Kjo nuk qëndron, ju po flisni për luhatje ditore dhe kjo është totalisht joserioze”, tha ai.
Murati tutje theksoi se vitin e kaluar kur ky institucion ka pas Bord, performanca negative ka qenë 5.54 për qind.
“Në këto fonde pensionale luhatjet e kësaj përqindje janë dukuri e rregullt. Pra, bëhet fjalë për një performancë negative prej 1.01 për qind për këtë vit. Ndërkaq, sipas raportit të Trust-it, vitin e kaluar ka arritur në 5.54 për qind. Performanca nuk varet nga Bordi, por nga luhatjet në treg” – ka theksuar më tej Murati.
Derisa, Adrian Zalli, drejtor menaxhues i Trust-it, tha se rënia e këtij muaji vjen si pasojë e kthimeve negative nga bankat amerikane.
“Rënia u shënua në muajin mars. Kemi ende një kthim pozitiv nga bankat evropiane, ndërsa kemi pasur një kthim negativ nga bankat amerikane, me falimentim të njërës prej tyre”- tha Zalli.
Adrian Zalli tutje potencoi se nga mjetet e Trust-it, të investuara në Bankat e Kosovës janë diku rreth 580 milionë euro, derisa pjesa tjetër janë të investuara në fonde investive.
Në një deklarim për KALLXO.com, zëdhënësi i Trust-it, Jeton Demi bëri të ditur se këto dy javët e fundit ka pas luhajtje më të madhe të performancës, sipas tij, të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën.
“Performanca është e ndryshme çdo ditë dhe këto dy javët e fundit ka pasur luhatshmëri më të madhe. Këto luhatje kanë ndodhur në të kaluarën dhe do të ndodhin edhe në të ardhmen, pasi janë pjesë përbërëse e tregjeve financiare” – tha Jeton Demi, zëdhënës në Trust.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia e vlerës ka ndodhur muajt e fundit për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë, krizën energjetike dhe inflacionin dyshifror. Të gjitha këto kanë shkaktuar luhatje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës i ka dy portofole investuese: 1) Portofolin Standard (për kontribuuesit e moshës nën 63 vjeç) dhe 2) Portofolin Konservativ (për kontribuuesit e moshës 63 vjeç e lart).
Sipas Jeton Demit, Portofoli Standard ndryshon varësisht trendit të tregjeve financiare, me një shkallë të mbrojtjes varësisht nga shtrirja dhe thellësia e lëvizjes në tregje, kurse në Portofolin Konservativ ka vazhdimisht kthim pozitiv nga investimet.
Trust-i mbledh mjetet e kontribuuesve kosovarë me kontrata pune. Shuma e saj arrin gati 2.3 miliardë euro.
Me ligjet në Kosovë, 70 për qind e mjeteve të Trust-it investohen në tregjet financiare ndërkombëtare në periudha afatgjata, për të rritur vlerën e tyre, ndërsa 30 për qind investohet në Kosovë.