Për 5 muaj institucionet nuk arritën ta zgjedhin Guvernatorin e BQK-së

Nga 29 marsi postin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës e ka marrë përkohësisht Bashkim Nurboja, kryetar i Bordit mbikëqyrës. Kjo pasi procesi për zgjedhjen e Guvernatorit nuk ka përfunduar ende. Konkursi për këtë pozitë ishte hapur në nëntor të vitit të kaluar dhe ende lista e kandidatëve nuk është miratuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Në disa mbledhje me radhë të këtij Komisioni, deputetët, anëtarë nuk kanë arritur ‘pajtim’ për këtë proces. Sipas ligjit për BQK-në, neni 38 pika 6 procedurat për emërimin e Guvernatorit duhet të përfundojnë 45 ditë para përfundimit të mandatit. Që nga nëntori i vitit të kaluar institucionet nuk arritën ta zgjedhin Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po e quan skenar të Lëvizjes Vetëvendosje mos përmbylljen e këtij procesi.

E gjithë kjo sipas Shalës është që në krye të Bankës Qendrore të vij Bashkim Nurboja. KALLXO.com kishte raportuar për të kaluarën e Bashkim Nurbojës si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai tha se procesi aktualisht është në pikën e njëjtë dhe se presin në mbledhjen e radhës të dihet për hapat e tjerë.

“Në mbledhjen e fundit nuk ka pasur vota të mjaftueshme që procesi të vazhdoj më tutje pikërisht për shkak të inskenimeve dhe një skenari që praktikisht shumica parlamentare kishin bërë që të dështoj procesi në mënyrë që të vazhdoj vendosja e përkohshme e strukturave politike në këtë rast të Lëvizjes Vetëvendosje në krye të BQK-së, dhe kjo ka ndodhur fatkeqësisht. Ne atë ditë kemi ngrit shqetësimin që BQK-ja ka mbetur edhe pa zëvendësguvernator dhe që të dy zëvendësguvernatorët janë vendosur nga këto struktura të përkohshme. Procesi tashmë ka mbetur në pikën e njëjtë pa ndryshu dhe presim mbledhjen tjetër se çfarë hapa apo çfarë qëndrimi do të merr shumica”- tha ai për KALLXO.com.

Deputeti i PDK-së, Shala tha se kanë dy opsione para vetës në lidhje me këtë proces, kthimi në pikën zero të procesit ose sjelljen e listës së kandidatëve për BQK-së të nxjerrë nga monitoruesit britanik.

Ndonëse ai theksoi se “procesi për zgjedhjen e Guvernatorit të BQK-së tashmë është i lënduar”.

“Janë dy opsione, një është në pikën zero i cili parimisht ka qenë edhe synim i mazhorancës për të pasur mundësi dhe hapësirë që strukturat e saj të përkohshme të vendosen, gjë që ka ndodhur praktikisht. E tërë loja dhe skenarët kanë qenë që të dështoj procesi të vendosen strukturat e përkohshme dhe këto të vazhdojnë një periudhë sa më të gjatë kohore. Dhe opsioni i dytë është që të vazhdojë procesi duke i ofruar komisionit të gjithë listën kualifikuese që e kanë përpilu monitoruesit anglez… procesi edhe ashtu tashmë është  i lënduar dhe nuk shoh opsione të tjera”- theksoi ai.

Fillimisht në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, paneli vlerësues për zgjedhjen e Guvernatorit kishin sjellje listën me katër kandidatë. Kryetari i këtij komisioni, Bashkim Nurboja (tani përkohësisht në postin e Guvernatorit) kishte theksuar se dy kandidatë kishin pasur pikët e njëjta gjatë procesit, Shkëndije Himaj dhe Fehmi Mehmeti por që këtë të fundit e kishin lënë jashtë listës.

Kjo kishte ngjallur diskutime në komision, ku deputetët kërkuan sqarime dhe vlerësimin e plotë të komisionit për secilin kandidat.

Nurboja kishte thënë se ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës nuk ka integritet për të qenë pjesë e konkursit për guvernator të ri.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e kishte konsideruar të rëndë deklaratën e Nurbojës për integritetin e Fehmi Mehmetit, guvernator aktual të BQK-së ndërsa për këtë kishte reaguar edhe vet Mehmeti.

Shkëndije Himaj, Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli dhe Nexhat Kryeziu janë kandidatët në listën e ngushtë për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Shkëndije Himaj në vlerësimin e britanikeve është kandidatja me më së shumti pikë ndërsa Ahmet Ismajli në listën e komisionit vendor.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me kryetarin e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Mujën dhe Visar Korenicën, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, por që deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Korenica i ftuar në emisionin, |#KallxoPernime kishte folur për procesin e zgjedhjes së Guvernatori të Bankës Qendrore.

Bashkim Nurboja pjesë e panelit vlerësues për zgjedhjen e Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale?

Guvernatori i Bankës Qendrore, Ministri i Financave dhe Auditori i Përgjithshëm sipas ligjit janë pjesë e panelit/komisionit vlerësues për zgjedhjen e bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale.

Një javë më parë, ish-guvernatori, Fehmi Mehmeti bashkë me Hekuran Muratin, ministër i Financave dhe Vlora Spancën, auditore e përgjithshme kishin raportuar para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Trasnfere për procesin e zgjedhjes se këtij bordi.

Mehmeti gjatë mbledhjes ka treguar për mos-komunikim dhe mos-koordinim të tyre në këtë proces.

Konkursi për anëtarë të bordit të FKPK-së është hapur në nëntor dhe është mbyllur në dhjetor. Që nga atëherë procesi ka mbetur i ngrirë.

Tani, pas përfundimit të mandatit të Fehmi Mehmetit si Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, këtë pozitë e ka marrë përkohësisht Bashkim Nurboja.

Ende është e paqartë nëse Nurboja do të jetë pjesë e komisionit vlerësues për zgjedhjen e Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale. Për këtë KALLXO.com ka dërguar pyetje tek Bashkim Nurboja dhe është në pritje të përgjigjes.

Sipas, Ferat Shalës, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Nurboja me automatizëm është pjesë e panelit të zgjedhjes së Bordit të Trustit.

Ai tha se kjo ka qenë edhe qëllim i partisë në pushtet ndërsa e ka quajtur kapje të të gjitha institucioneve nga LVV-ja.

“Ne jemi edhe në proces të zgjedhjes së bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale e tash me automatizëm, ushtruesi i detyrës së Guvernatorit kalon edhe pjesë e panelit për zgjedhjen e bordit pra autoritete apo individ të përkohshëm janë me automatizëm pjesë e panelit dhe  zgjedhin   bordin. Pra, intenca vetëm po arrihet, skenarët po realizohen, kapja e gjitha institucioneve financiare nga këto institucione të Lëvizjes. Nuk ka pasur qëndrim të prerë pikërisht për shkak të këtyre makinacioneve dhe lojërave që po bëhen”- tha ai për KALLXO.com.

KALLXO.com ka dërguar pyetje tek Hekuran Murati, ministër i Financave dhe Vlora Spanca, auditore e përgjithshme se a kanë vendosur diçka për procesin e zgjedhjes së Bordit të Trustit dhe është në pritje të përgjigjes.

Bordit drejtues të trustit i ka skaduar mandati në nëntor të 2022, por sipas ligjit me të drejtë shtyrje edhe plus tre muaj, pra që nga shkurti trusti është pa bord.