Mësimi dual, si do të funksionojë në Kosovë?

23 vjet pas luftës, Kosova ka lansuar mësimin dual – që nënkupton se të gjitha orët praktike një nxënës i një shkolle profesionale do t’i kryejë në biznese të ndryshme.

Në konferencën që u organizua nga Ministria e Arsimit dhe organizata “GIZ” , Majlinda Rizvanolli nga MASHTI ka thënë se fillimisht i kanë hapur katër profile për mësimin dual.

“Profili i floktarisë, profili i muratorit dhe dy në sektorin e hotelerisë, është ai i kuzhinierit dhe asistentit të mikëpritjes hoteliere. Kemi filluar me këto profile sepse këto biznese kanë kërkuar nga ne për shkak se kanë mungesë të fuqisë punëtore. Këtë vit e kemi shtuar numrin e profileve në 8 shtesë” – tha Rizvanolli.

“Tash këtë vit e kemi profilin e automekanikut, atë për tregti me shumicë dhe pakicë, i estetikës dhe floktarisë” – ka shtuar ajo.

21 shkolla nga 67 shkolla profesionale sa janë në Kosovë kanë shprehur gatishmëri për mësimin dual.

“Vetëm 21 shkolla kanë shprehur gatishmërinë që nxënësit t’i dërgojnë për praktikë dhe atë vetëm në profile apo industri aktive. Ne i kemi ofruar këto 12 profile” – tha tutje Rizvanolli.

Sfidat që i përcjellin bizneset për të marrë nxënës si punëtorë

Besim Mustafa nga Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se është e pamundur të gjindet një bashkëpunim i saktë mes biznesit dhe shkollës.

“Është e pamundur me gjetë dikë që tregon saktë se si funksionon bashkëpunimi mes shkollës dhe biznesit. Ne kemi lobuar me vite të tëra që ta gjejmë një modalitet të strukturuar edhe nëse është fillestar” – tha Mustafa

Ai ka shtuar se disa biznese kanë filluar të sillen mirë me punëtorë sepse po mbesin pa punëtorë.

“Bizneset kanë filluar me pasë probleme, pra me mungesë të punëtorëve andaj kanë filluar që të sillen mirë me ta, po flasim për një strukturë të caktuar që kanë filluar t’i japin punëtorëve edhe disa beneficione të tjera përveç pagës. Shumë biznese kanë filluar të mos punojnë në vikend, tash është edhe kjo pjesa tjetër që nuk ka avancuar ende por edhe këta do ta bëjnë” – tha Mustafa nga Oda Ekonomike e Kosovës.