Krasniqi: Ka disa shtete të interesuara për të blerë thëngjill nga Kosova
Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar se janë disa shtete që janë të interesuara që të blejnë thëngjill nga Kosova.
Ai ka thënë se nuk mund t’i tregojë cilat shtete janë pasi kjo dëmton procesin e shitjes dhe se po ashtu është sekret afarist.
Krasniqi ka treguar se interesi i KEK-ut është që thëngjilli që është për shitje të këmbehet me energji elektrike.
“Janë disa shtete që janë të interesuara që të blejnë thëngjill nga ne. Ne do të provojmë në radhë të parë që t’i ofrojmë atyre thëngjill në këmbim të energjisë elektrike. Nuk mund të flas në detaje se cilat shtete, është pjesë e negociatave dhe besoj që na dëmton në pjesën e kryerjes së punës sepse janë sekrete afariste” – tha Krasniqi.
Ai ka treguar se ka pasur tentime që të arrihet një marrëveshje me Maqedoninë e Veriut për këmbimin e rrymës me thëngjill, mirëpo nuk është arritur pasi nga ana e palës tjetër është thënë se kanë mungesë të energjisë.
Kryeshefi i KEK-ut tregoi se për momentin është një tender i hapur për blerje të thëngjillit nga Kosova, për të cilin tha se beson që do të mbyllet pas 10 ditëve.
“Ne kemi shpallur një tender publik ku kushdo që është i interesuar mund të ofertojë për blerjen e 100 mijë tonëve thëngjill” – tha ai.
Krasniqi tregoi se çmimi për shitje të kësaj sasie të thëngjillit do të përcaktohet nga tregu dhe nga ofertat që do t’i marrin.