Foto: KALLXO.com

Kaçiu: Mbi 2 mijë padi vetëm këtë vit janë ngritur ndaj institucioneve shtetërore nga qytetarët

Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Kreshnik Kaçiu, ka thënë se në Departamentin për çështje administrative të këtij institucioni trajtohen të gjitha paditë e ngritura kundër institucioneve shtetërore.

Kaçiu shtoi se paditës janë edhe persona juridikë por edhe fizikë.

“Kemi edhe organizata të ndryshme joqeveritare që janë të përkushtuara për t’i trajtuar tema të caktuara dhe për t’i ngritur çështje të ndryshme në gjykatë. Për këtë vit në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë mbi 2 mijë padi në konflikt administrativ” – tha Kaçiu.

Ai tutje ka thënë se kapacitetet e Gjykatës Themelore të Prishtinës janë të limituara për trajtimin e gjithë këtyre lëndëve.

“Në Departamentin tonë jemi 9 gjyqtarë mirëpo me krijimin e Gjykatës Administrative konsideroj që do të krijohen mundësi edhe më të mira, në mënyrë që të zgjerohen kapacitetet edhe në aspektin e shtimit të numrit të gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë por edhe të profilizimit edhe të shtimit të numrit të zyrtarëve ligjorë të cilët do të ndikojnë që numri i lëndëve të zbresë” – thotë ai.

Kaçiu tha se prej këtyre mbi 2 mijë lëndëve, kategoria e pensioneve prin me numrin më të madh të tyre.

“Kemi kërkesa për pensione që i marrin personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, ata që s’mund të lëvizin, pastaj pensione për paaftësi të përhershme dhe jo të plotë, pensionet kontributdhënëse por edhe pensionet e tjera të ndryshme” – tha Kaçiu.

www.kallxo.com