Dështimi për t’i mbrojtur gazetarët dhe komunitetin LGBTI nga dhuna
Në emisionin ‘Kallxo Përnime’ është duke u transmetuar debati lidhur me efikasitetin e organeve të drejtësisë, prokurorisë e gjykatës, në trajtimin e rasteve penale ndaj gazetarëve dhe komunitetit LGBTI.
BIRN ka publikuar analizën që tregon për trajtimin joprioritar të sulmeve ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBTI.
Për këto të dhëna është duke u diskutuar sonte në “Kallxo Përnime”.
Për të trajtuar punën e organeve të drejtësisë për këto vepra penale debatojnë Dren Rogova, nënkryetar i Gjykatës së Prishtinës, Kreshnik Gashi, kryeredaktor i KALLXO.com, Labinot Leposhtica shef i zyrës ligjore të KALLXO.com dhe Blert Morina, aktivist nga organizata CEL.
Ndërsa nga Prokuroria e Shtetit përkundër përpjekjeve për të siguruar një zyrtar nga ky institucion, askush nuk ishte i pranishëm.
Në emision diskutohet për të dhënat që tregojnë se prej 18 aktakuzave, gjykatat kanë përfunduar 3 lëndë, ku dy prej tyre kanë përfunduar me dënime me kusht.
Të dhënat e transmetuara në emision tregojnë që në prokurori vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura 24 lëndë.
Përveç rasteve të gazetarëve u tha se ngjashëm është situata në trajtimin e lëndëve ku viktima janë pjesëtarët e komunitetit LGBTI, ku në prokurori janë 4 raste të pazgjidhura të sulmeve ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti, ndërsa në gjykata vazhdojnë mos të marrin trajtimin 5 lëndë.
Kreshnik Gashi tha se të dhënat për 4 vite nuk janë inkurajuese në trajtimin e rasteve për këto dy kategori, duke filluar nga prokuroria ku tregohet se numri i lëndëve ku nuk është gjetur kryerësi i veprave penale është më i lartë sesa rastet që janë zgjidhur nga prokuroria.
Gashi tha se edhe gjykatat kanë një qasje të ‘butë’ ndaj këtyre rasteve, mbështetur në statistikat e analizës së këtyre rasteve.
Gjithashtu, Kreshnik Gashi e konsideroi si problematike edhe qasjen e prokurorisë në këto raste, duke pasur parasysh që statistikat tregojnë se asnjë rast nuk është hapur me vetiniciativë.
Blert Morina, aktivisti i CEL, tha se nuk pajtohet me statistikat e Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor, pasi, sipas tij, në realitetet ka shumë më shumë raste te raportuara.
Morina tha se kjo situatë është krijuar pasi është policia e cila paraprakisht nuk i klasifikon rastet ndaj komunitetit LGBTI si ‘krime të urrejtjes’, që dërgon pastaj deri të statistikat që u prezantuan.
“Problematika kryesore se si zinxhiri polici, prokurori e tutje është duke dështuar për shkak të mosklasifikimit të rasteve në mënyrën e duhur, mosreferimit të neneve me Kodin e ri Penal, e mos të harrojmë që në Kodin e ri Penal në 7 nene orientimi seksual dhe identiteti gjinor janë të mbrojtura”, tha Morina.
Ai shtoi se te komuniteti LGBTI vërehet një hezitim për të raportuar rastet te organet kompetente, pasi trajtimi i këtyre rasteve nuk tregon efikasitet, pasi nga ajo çka tha ai këto raste trajtohen diku pas 10 vjetësh.
Nënkryetari i Gjykatës, Dren Rogova, tha se janë shqetësuese këto të dhëna në një drejtim, por vlerësoi se në krahasim me vendet e rajonit, e duke pasur parasysh ngarkesën me lëndë dhe numrin e vogël të gjyqtarëve, sipas tij përpjekjet nuk kanë qenë të vogla nga gjykatat e Kosovës për trajtimin e këtyre lëndëve.
Lidhur me politikën ndëshkimore për këto raste, nënkryetari tha se udhëzuesi i nxjerrë nga Gjykata Supreme në vitin 2018, po tregon impaktin e tij në këto vite, ku është bërë një harmonizim i politikës ndëshkimore dhe sipas Rogovës rezultatet priten edhe në vijim.
“Gjyqtarët në një farë forme kanë qenë të hendikepuar që t’i trajtojnë këto lëndë pasi nuk kanë qenë të prioritizume dhe pastaj ka ardhur deri të zvarritja apo parashkrimi i tyre, dhe me miratimin e strategjisë së KGjK-së do të prioritizohen dhe më nuk do të ketë justifikim për mostrajtim”, tha nënkryetari Rogova.
Më këtë nuk është pajtuar Kreshnik Gashi, i cili tha se numri prej 11 lëndëve për të dy kategoritë është i ulët, dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të këtë parasysh se raportet ndërkombëtare matjet i tregojnë sidomos në këto dy kategori.
“Kjo tregon për gjendjen e demokracisë në vend, niveli i respektimit të standardeve demokratike, fakti se për 11 lëndë lejojmë me pasë minusa në raportet ndërkombëtare është shqetësues pasi numri i lëndëve është i ulët”, tha Gashi.
Në anën tjetër, shefi i zyrës ligjore të KALLXO.com, Labinot Leposhtica, tha se mosperputhshmëria e të dhënave të LGBTI, AGK me të dhënat e KGjK-së dhe KPK-së, duhet shikuar nga pikënisja e tyre, pra nga policia.
Leposhtica tha se nga momenti i raportimit në polici duhet shënuar rrethanat kualifikuese sepse në të kundërtën evidentohet si vepra të rëndomta sulmi etj, duke anashkaluar kështu edhe motivin e kryerjes se këtyre veprave.
“Kodi jonë Penal nuk e ka një vepër te veçante për gazetarët dhe komunitetin LGBTI, ne pasi bëhet fjalë për dy kategori si me të cenueshme duhet të konsiderojmë seriozisht sanksionimin si vepër të veçantë”, tha Leposhtica.
Ai tha se kryerësve të këtyre rasteve u lehtësohet dënimi pasi shumë rrethana kualifikuese nuk evidentohen askund.
Leposhtica shtoi se edhe politika ndëshkimore te këto raste është shqetësuese sepse në dy raste që janë zgjidhur nga gjykatat, kryerësve i është dhënë sanksioni më i lehtë penal – urdhër ndëshkimor, çka sipas tij nuk shihet si efekt parandalues për kryerjen e këtyre veprave në të ardhmen.
Si shumë e rëndësishme u vlerësua edhe incizimi i bisedave telefonike nga policia të prokurori kujdestar, kjo për shkak te mënyrës se si transmetohet dhe interpretohet rasti nga policia.
Sipas Gashit, vazhdimisht është bërë rekomandim që kjo bisedë të incizohet por që në këtë drejtim nuk ka pasur asnjë hap pozitiv deri më sot.
Gjatë emisionit u diskutua edhe për hapat që duhet marrë nga institucionet e drejtësisë për trajtim të duhur në këto raste penale ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBTI.