Shkatërrimi i grupit 'AlbKings' - Foto: Kallxo Pernime

‘AlbKings’, perandoria e shantazhit dhe ngacmimit ndaj vajzave të Kosovës 

Qindra vajza në mesin e të cilave edhe një gazetare e KALLXO.com, janë viktima të publikimeve pirate në rrjetin social “Telegram” në Kosovë.

Deri para disa muajsh, rrjeti social “Telegram” ishte njëri nga rrjetet me përdorimin më të ulët në Kosovë. 

Në fundin e vitit 2023, një grup me emrin “AlbKings” hapet dhe në të nisin të publikohen materiale kryesisht pornografike të vajzave shqiptare. 

Duke përdorur materialet pornografike si kontentin kryesor, grupi do arrinte të grumbullonte rreth 100 mijë njerëz, duke ndryshuar kështu edhe statistikat e përdoruesve të “Telegramit” në Kosovë.

Materialet e shpërndara në këtë grup ishin kryesisht pirate, përfshirë filmime nga marrëdhëniet seksuale apo fotografi nudo. 

Publikimet e natyrës së tillë do të ishin normale, ndërsa administratorët lejuan që edhe numra të telefonëve të shpërndaheshin në këtë rrjet.

Anëtarë të grupit do shpërndanin numrat e telefonit të vajzave me mbishkrime, e të njëjtat janë prostituta apo ofrojnë shërbime seksuale me pagesë.

Prokuroria e Prishtinës e cila po heton rastin, ende nuk ka arritur të identifikojë saktësisht numrin e viktimave nga grupi.

Elza Bajrami Kastrati, prokurorja që po e heton rastin i tha “Kallxo Përnime”, se numri i viktimave supozohet të jetë i madh.

Prokurorja Bajrami Kastrati gjatë javës së fundit të majit doli me njoftimin se shtatë persona – anëtarë të grupit janë arrestuar, në mesin e të cilëve edhe administratorët. 

Njëri nga ta është nga Gjilani dhe është vetëm 19-vjeçar.

“Kallxo Përnime” filmoi momentin kur Policia e Kosovës hapi telefonin e tij dhe aty dëshmohej se ai ishte në mesin e personave që kishte krijuar rrjetin.

Policia do bastiste shtëpinë e tij, por atje nuk u gjetën pajisje të tjera kompjuterike.

I tërë grupi sipas hetuesve, ishte menaxhuar nga telefoni që po e përdorte i riu nga Gjilani.

Shkatërrimi i grupit ‘AlbKings’ – Foto: Kallxo Pernime

Viktimat gazetare

Raportimet në media për grupin nisën qysh në muajin dhjetor të vitit 2023, ndërsa situata u bë më e rrezikshme kur grupi nisi të përdorej për të sulmuar gazetarët hulumtues.

Në muajin prill dhe maj 2024, “Kallxo Përnime” kishte publikuar dy hulumtime serioze – njërin për ngacmime seksuale dhe tjetrin për dhunë në familje.

Më pak se tri orë pas publikimit të hulumtimit për dhunën në familje, numri i gazetares që hulumtoi rastin u shpërnda në rrjet me mbishkrimin “Thirreni për naj intervistë!”

Nga veprimi në fjalë, dhjetëra anëtarë të grupit u motivuan për të nisur fushatën me ngacmime në drejtim të gazetares.

Situata do përsëritej edhe disa herë, pasi numri u vendos sërish me mesazhe të tjera që motivonin ngacmimin.

Pas denoncimit në Policinë e Kosovës, personi i parë që do arrestohej ishte një shitës i një dyqani që jetonte në Prishtinë. Një tjetër me profesion arkitekt do arrestohej po ashtu, si person i dyshuar për ngacmimin e gazetares.

Ndaj këtyre personave sipas prokurores Bajrami, do inicohet hetim penal për veprën penale të ngacmimit, ndërsa krijuesit e “AlbKings” do ndiqen për vepra të tjera penale. 

Pse është ilegale veprimtaria e “AlbKings”?

Çdo numër personal apo e dhënë personale e dikujt, që shpërndahet pa aprovimin paraprak të personit, konsiderohet vepër penale, ndërsa çdo kërkesë që nuk aprovohet të mos shqetësohet dikush konsiderohet ngacmim. 

Prokurorja e cila është pjesë e ekipit për hetimin e grupit “AlbKings”, Elza Bajrami Kastrati në një intervistë për “Kallxo Përnime” jep detaje në lidhje me rastin, duke bërë të qarta edhe veprimtaritë ilegale që mund të kryejnë personat përmes këtij grupi. 

“Prokuroria e Prishtinës ka nisur me u marrë me këtë rrjet për shkak të informacioneve që kemi marrë fillimisht nga portalet vendore që është kriju një grup në ‘Telegram’ dhe në të cilin po postohen, video, fotografi dhe të dhëna të personave kryesisht të gjinisë femrore dhe këto video e fotografi janë të ndjeshme, intime të këtyre personave e gjithashtu emrat, mbiemrat, numrat kontaktet e tyre me ç’rast ka krijuar shqetësim te personat e prekur”- thotë prokurorja Bajrami Kastrati. 

Ajo shpjegon edhe pjesën ligjore të atyre që shpërndajnë të dhëna të tilla. 

Është e kundërligjshme fillimisht sepse të dhënat personale të dikujt nuk ka të drejtë t’i publikojë askush pa miratimin paraprak, për këtë arsye e kemi nisur edhe hetimin sipas detyrës zyrtare në mënyrë që të ndërmirren veprimet e para hetimore që të identifikohen personat që kanë krijuar grupin dhe kanë menaxhuar atë grup, si dhe personat e tjerë që janë kyç dhe kanë keqpërdorur apo kanë shqetësuar personat kryesisht të gjinisë femrore”- shpjegon Prokurorja. 

“Personat që kanë krijuar këtë grup e kanë krijuar për qëllimin e denigrimit të dinjitetit të personave konkretisht të gjinisë femrore”- vazhdon të shpjegojë hetimin prokurorja.

Ajo tregon edhe se sa të arrestuar janë, e që dyshohet se e krijuan grupin famëkeq. 

“Prej atyre që kanë themeluar grupin janë tre persona në masën e paraburgimit, dy të parët janë arrestuar më parë dhe të njëjtëve u është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj, ndërsa administratori kryesor dhe krijuesi i grupit është arrestuar së fundmi në këtë muaj, javën e kaluar dhe i njëjti është në masën e paraburgimit”- shton prokurorja. 

Përveç denigrimit, shqetësimit të grave e vajzave, grupi dyshohet se pati edhe përfitime financiare. 

“Të dhënat që kemi deri tani, tregojnë që qëllimi nuk ka qenë veç publikimi, por ka dyshime që janë kryer edhe vepra tjera penale për të cilat nuk mund të jap detaje për shkak të hetimit dhe ndjeshmërisë së rastit nuk do doja të i theksoja konkretisht, por dyshimet janë edhe për përfitime materiale si rezultat i veprimeve të kryera në grupin ‘AlbKings’- thotë prokurorja. 

Prokurorja Bajrami Kastrati dha detaje edhe për rastin të cilin e ka raportuar gazetarja e KALLXO.com. 

“Rasti është i ndërlidhur, por personat që janë të përfshirë në rastin e gazetares suaj janë persona që kanë kryer një vepër ndryshe nga ajo e administratorëve dhe të njëjtit janë duke u hetuar drejt veprës penale të ngacmimit, për shkak të marrjes së numrit të telefonit në grupin ‘AlbKings’ dhe më pas shqetësimit të gazetares përmes thirrjeve, mesazheve e shkrimeve të ndryshme”- shpjegon prokurorja. 

Prokurorja Bajrami Kastrati, shpjegon edhe se kur një person konsiderohet se po kryen veprën penale të ngacmimit. 

“Vepra penale e ngacmimit është e paraparë në Kodin Penal të Kosovës dhe çdo komunikim me personin tjetër pa pëlqimin e atij personi tjetër hynë në kuadër të veprës penale të ngacmimit dhe kjo krijon shqetësim pasiguri për jetën dhe shëndetin e personit konkret, dhe vet fakti i marrjes së numrit, po të ishte vetëm fakti i marrjes së numrit, por mos-ndërmarrja e atij veprimi me atë numër atëherë nuk do të kishte ndonjë pasojë, por fakti i insistimit të personave, shkrimit, thirrjeve tek personat që ju ka marrë numri atëherë menjëherë kalon në domenin penal”- tregon prokurorja.

Ajo shton edhe se qytetarët ende nuk janë të vetëdijësuar sa duhet, se edhe një mesazh më i thjeshti nëse bëhet pa pëlqimin e palës tjetër konsiderohet vepër penale. 

“Arsyeja se pse kemi mbajtur edhe konferencën së bashku me kryeprokurorin ka qenë vetëdijësimi i qytetarëve dhe tu bëjmë apel atyre që të mos ndërmarrin veprime të tilla sepse do të ndiqen penalisht, pra veprimi më i vogël i shqetësimit të palës tjetër do të na aktivizojë nese si Prokurori në ndërmarrje të veprimeve ligjore në drejtim të tyre”- shtoi prokurorja. 

Bajrami dha detaje edhe se çka u përdor për të lokalizuar të dyshuarit, administratorët dhe ata që ngacmuan vajzat e gratë, konkretisht edhe gazetaren e KALLXO.com. 

“Veprimet janë ndërmarrë me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe në bazë të autorizimeve kemi arritur që të bëjmë edhe identifikimin e personave, numrave të tyre dhe të sigurojmë venbanimet e tyre dhe të njëjtit t’i sjellim para ligjit”- shton prokurorja.  

Gjatë bastisjeve që u realizuan nëpër shtëpitë e të dyshuarve që ndërlidhen me rastin e “AlbKings”, prokurorja Bajrami Kastrati tregon se ishte e rëndësishme si veprim për të parë nëse janë përdorur edhe pajisje të tjera për të krijuar grupe apo shpërndarë materiale. 

“Pikërisht për shkak të sekuestrimit të pajisjeve, por gjithashtu të njëjtat janë dërgu edhe në ekzaminim kështu që presim rezultate shumë të mira nga ana e ekzaminimit të telefonave dhe pajisjeve të tjera që janë sekuestruar nga të pandehurit”- shtoi ajo. 

Bajrami Kastrati apeloi që kushdo që ka raste të ngjashme sikurse ajo i gazetares së KALLXO.com apo që ndërlidhen me rastin e ‘AlbKings’, të raportojnë në stacionin më të afërt duke siguruar se të gjitha raportimet do të merren parasysh. 

“Ne ju kemi bërë apel qysh në fillim, kemi lëshuar komunikatë kemi bërë thirrje dhe kemi ripërsëritur që të gjitha viktimat, të gjithë personat kryesisht ato të gjinisë femrore sepse atyre u janë bërë publikimet të lajmërojnë në Polici apo direkt në prokurori te ne, të marrim provat dhe të trajtojmë rastin deri në fund. Deri më tani kemi persona që janë lajmëruar do të doja të shfrytëzoj rastin të bëj apel – të gjitha viktimave që janë pre e këtyre veprimeve të paraqiten në Polici, te ne, për të denoncuar rastin sepse ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe jemi të interesuar që asnjë person që kryen vepër penale të mos rezultojë pa u dënuar”- thotë prokurorja. 

Ajo riktheksoi disa herë se çdo veprim sikurse ai që është realizuar në grupin ‘AlbKings’, marrja e të dhënave personale, shpërndarja e tyre dhe rishpërndarja e të njëjtave të dhëna nga persona të tjerë pa miratim paraprak nga pala që i përkasin të dhënat, inkriminohen dhe kryejnë vepër penale e që të njëjtit do të ndiqen penalisht pasi të identifikohen.

Prokurorja Bajrami Kastrati paralajmëroi edhe ata që janë duke u gjurmuar tutje për tu identifikuar, e të cilët janë jashtë Kosovës me vendbanim. 

“Patjetër, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike është duke punuar në gjurmim për të gjithë pavarësisht a janë vendorë apo të jashtëm sepse ka raste të tilla që personat edhe pse janë të Kosovës kanë përdorur edhe numra të huaj, pra kanë tentuar që t’i humbin gjurmët, mirëpo kjo nuk ka rezultuar me sukses”- thotë prokurorja Bajrami. 

Viktimat që ranë pre e grupit “AlbKings” sipas prokurores Bajrami Kastrati, në rast se nuk dëshirojnë që të identifikohen për shkak të situatave të ndryshme, do të mbesin si dëshmitare, e që privatësia e tyre do të ruhet. 

“Padyshim që e garantojmë këtë, ne identifikojmë edhe raste kur duhet të bëhet anonimiteti i personave të dëmtuar apo dëshmitarëve, kështu që ne do të kemi parasysh për shkak të ndjeshmërisë së rastit do të marrim të gjitha masat e sigurisë për të gjithë ato viktima që dëshirojnë të mbesin anonim për shkak edhe të turpit, frikës së përhapjes e që kanë hezituar të lajmërohen, por një gjë e tillë nuk do të ketë mundësi të ndodhë sepse jemi gjithmonë dhe kemi obligim që të ruajmë çdo të dhënë që jepet para neve”- tregon prokurorja.