A e dënoi Izraeli sulmin terrorist në Banjskë? Flet ambasadorja izraelite - VIDEO

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka folur rreth sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Ajo tha se Izraeli ka shprehur ngushëllime për humbjen e jetës së policit të Kosovës, Afrim Bunjaku që u vra atje.

“Izraeli ka shprehur ngushëllimet e veta të thella për humbjen e jetës së zyrtarit të Policisë që u vra, dhe sigurisht, i ka dënuar të gjitha sulmet terroriste kudo në botë. Fakti që unë kam shkruar për këtë si përfaqësuese e qeverisë ka qenë formale. Në fakt, sulmi ishte pikërisht në festën e shenjtë të Yom Kippur, që është dita në të cilën askush nuk është në valë telefonike. I gjithë vendi është plotësisht i fikur. Dhe atë ditë, unë isha ajo që reagoi ndaj këtij sulmi”, – tha Ziv.

Ajo në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se realiteti i Kosovës është unik ashtu si i Izraelit dhe Gazës që janë unik.

“Mendoj se rrethanat e asnjë vendi nuk janë si në vendet e tjera. Realiteti në Kosovë është unik, dhe realiteti në Izrael dhe Gaza është unik, dhe këto janë shumë, shumë të ndryshme nga njëri-tjetri. Mendoj se nuk mund ta krahasoni mënyrën se si Policia e Kosovës u kujdes për këtë sulm terrorist në veri të Kosovës me realitetin që kemi në Izrael. Mendoj se çdo vend i trajton problemet e tij ndryshe”, – tha tutje ambasadorja për emisionin “Kallxo Përnime”.