Fshati Osojan

Osojani - Shembull i kthimit dhe këmbënguljes për të qëndruar

Kushdo që ka pasur rastin ta vizitojë Luginën e Osojanit padyshim që ka shijuar bukuritë e peizazhit të kodrave të afërta që përqafojnë lumin Kujavc, ndërsa në largësi duket kisha e ngritur lartë.

Në epiqendër të kësaj bukurie natyrore është fshati më i madh i serbëve të kthyer në Kosovë – fshati Osojan. Ky vendbanim gjendet 17 kilometra nga Istogu, qytezës që ndodhet rrëzë malit Mokragorë, në Komunën e Pejës. Sot aty jetojnë rreth 350 serbë të kthyer.

Para luftës, në Osojan jetonin rreth 2000 serbë të cilët, pas përfundimit të luftës, u detyruan t’i linin shtëpitë e tyre pasi ato u shkatërruan dhe fshati u braktis. Osojanasit ngurrojnë ta kujtojnë kohën e kaluar në mërgim. Jeta si refugjatë ishte shumë e vështirë për këta njerëz që dëshironin dhe ëndërronin të ktheheshin në shtëpitë e tyre të djegura.

Të kthyerit e parë në Osojan erdhën pas dy viteve. Kthimi i parë i organizuar i komunitetit serb në Kosovë u bë pikërisht këtu, në këtë luginë.

Tendat që u ngritën pranë shtëpive të djegura ishin më komode për të kthyerit e parë sesa jetesa si refugjatë. Më në fund e patën ndjenjën se ishin përsëri në vendin e tyre. Ata vëzhgoheshin nga ushtarët spanjollë të KFOR-it, të cilët ishin përgjegjës për sigurinë e të kthyerve. Kështu, filloi procesi i kthimit në fshat i cili ende përbën komunitetin më të madh të të kthyerve në Kosovë. Shpejt filloi rinovimi i shtëpive, shkollave dhe kishave.

Ndërtesa madhështore e shkollës fillore “Rados Tosic” në atë kohë kishte rol shumë të rëndësishëm në historinë e këtij fshati të kthyer. Të kthyerit ushqeheshin në të. Këtu u hapën edhe zyrat e para të cilat kishin rëndësi të madhe për të kthyerit.

Sot në këtë shkollë vijojnë mësimin 33 nxënës nga klasat 1 – 8, kurse në kuadër të shkollës funksionon edhe paralelja e veçantë e gjimnazit “Sveti Sava” nga Gorazhdeci.

Shkolla është qendër e të gjitha aktiviteteve kulturore. Aty zhvillohen shfaqje, e ndonjëherë shërben edhe si kinema.

Sot në Osojan ka shumë të rinj, por edhe fëmijë të vegjël, që është shembull i rrallë i kthimit të suksesshëm të organizuar.

Megjithatë, të rinjtë në Osojan e ndajnë fatin e bashkëmoshatarëve të tyre të zonave të tjera dhe kanë jetesë të vështirë, pa mundësi të shoqërohen e të dalin jashtë, gjë që ndikon në largimin e tyre. Këtu, pothuajse çdo ditë është e njëjtë, e secila i ngjason asaj të mëparshmes. Problem i madh është papunësia.

Përkundër të gjitha problemeve, njerëzit janë të vendosur të qëndrojnë dhe të jetojnë atje. Për vendasit, Osojani është vendi më i bukur në botë dhe vendi ku ndihen më së miri.

Autorja Isidora Đurić është nxënëse në fshatin Gorazhdec.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.