Kryeshefja e IPK-se Miradie Kelmendi - 20.02.2019 - KALLXO

IPK po i heton 128 policë për mashtrim me pensione invalidore të UÇK-së

Pas pjesës së parë ku kryeshefja e IPK-së raportoi para Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme për pjesëtarin e policisë në lodhje me rastin e Drenasit, në pjesën e dytë po diskutohet raporti vjetor i Inspektoratit të Policisë së Kosovës.

Në lidhje me këtë rast sipas deputetit Rexhep Selimi në IPK është shtuar numri i stafit dhe është ulur numri i rasteve të zgjidhura.

Gjithashtu deputeti Selimi pyeti kryeshefen e IPK-së në lidhje me zyrtarët policor të arrestuar për marrje ryshfeti.

Ai shtoi se në raport është vetëm një, ndërsa shtoi se arrestimet e vitit 2016 kur 59 zyrtarë policor ishin arrestuar për marrje ryshfeti.

Në lidhje me këtë rast emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ kishte transmetuar edhe emision ku shihen zyrtarët policor të trafikut deri sa marrin para në këmbim të lirimit të automjeteve ose mos dënimit të tyre.

Kryeshefja e IPK Kelmendi tha se “Rasti i 59 zyrtarëve policor, operacioni në atë kohë është zhvillu në vetëm tre operacione dhe për shkak të policëve invalid të cilët janë duke u hetuar nuk kemi arrit me zhvillu operacionin edhe në pjesën e dytë”.

Deputetja e PSD-së Aida Dërguti, kërkoi sqarime për zyrtarët policor invalid.

“Është përfolur çështja e policëve që janë përfitues të pensionit invalid si pjesëtar të luftës. Policia duhet të jenë fizikisht mirë. Sa raste të tilla jeni duke i trajtuar dhe ku i keni kategorizu?”, pyeti deputetja.

“Këto raste nuk janë kategorizu pasi qw jemi duke hetuar rastin dhe të premten kemi marrë një autorizim të prokurorit. Fillimisht kemi kërkuar suspendimin e 92 pjesëtarëve policor. I kemi dërguar në ekzaminim mjekësor dhe e kanë tejkaluar fazën e çështjes shëndetësore. Është informuar qendra për punë sociale e cila bën pagesën. Zyrtarët policor me autorizim të prokurorit do të intervistohen të gjithë janë gjithsejtë 128. Fillimisht konsiderojmë që kemi të bëjë me veprën e mashtrimit”, tha Kelmendi.