Takimi i Nivelit të Lartë të Sundimit të Ligjit, Foto: Ramush Haradinaj- Facebook

Haradinaj: Askush nuk është mbi ligjin

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka deklaruar se askush nuk është mbi ligjin dhe Kosova ka kapacitete e guxim për t’u ballafaquar me raste komplekse.

Kryeministri këto deklarime i ka bërë në takimin e sotëm të Nivelit të Lartë të Sundimit të Ligjit, ku në fokus ishte roli i institucioneve tona në veprimin e tyre kundër mosndëshkimit.

“Për ta çrrënjosur mentalitetin se dikush është i paprekshëm kemi investuar në forcimin e Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave, kemi ndryshuar dhe forcuar ligjet, si dhe kemi vendosur politika të reja ndëshkimore për profilet e larta”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas kryeministrit, sistemi i drejtësisë duhet ta ketë parësore përfundimin me sukses të të gjitha rasteve të shënjestruara.

“Të vetdijshëm se kemi ende punë për të bërë për të dëshmuar sa duhet vullnet politik dhe vendosmëri në vendosjen e shtetit ligjor, në etapën para nesh sistemi i drejtësisë duhet të ketë synim parësor përfundimin me sukses të të gjitha rasteve të shënjestruara dhe të luftojë me efikasitet mosndëshkueshmërinë”, thuhet në publikimin e Haradinajt.