Hapet ekspozita ‘Veronikë, 20 vjet’ me fotografi të Hazir Rekës

Është hapur sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, ekspozita “Veronikë, 20 vjet” me fotografi të Hazir Rekës, të bëra gjatë luftës në Kosovës.

Bashkangjitur me fotografitë janë ekspozuar  edhe një sërë artikujsh – reportazhe lufte të botuara në gazeta të huaja, gjatë luftës në vitin 1998.

Protagonistja e kësaj ekspozite ishte vogëlushja e lindur atë kohë në male, tash studente, Veronique Zekaj, (Veronika Zekaj).

Historiku i saj ishte regjistrua nga gazetarja  Veronique Pasquier, në një reportazh për luftën e Kosovës, dhe kapur nga objektivi i aparatit të Rekës.

Edhe emërtimi i kësaj ekspozite është bërë sipas protagonistes, e cila kur lindi mori emrin e gazetares zvicerane Pasquier, Veronikë.

Përveç fotografive të Veronikës, që janë me ngjyra, në kuadër të kësaj ekspozite janë ekspozuar edhe fotografi bardh e zi, që përkujtojnë të strehuarit në Kishnarekën gjatë luftës më 1998.

Ekspozita “Veronikë, 20 vjet”  është hapur në të kuadër aktiviteteve të Ambasadës së Francës për të shënuar njëzetë vjetorin e përfundimit të luftës në Kosovë, në bashkëpunim edhe me institucione tjera.

Ekspozita “Veronikë, 20 vjet”  do të qëndrojë e hapur në hollin e Bibliotekës Kombëtare, “Pjetër Bogdani” deri më 8 maj.