Foto-ilustrim

Hajnat Vjedhin Pajisje në Shkollën e Batincës

Drejtori i shkollës fillore në fshatin Batincë të Maqedonisë, Qenan Imeri, kur hapi derën e zyrës së tij pa se mungonin shumë kompjuterë dhe se shumë kabllo elektrike ishin prerë.

Edhe pse shkolla është e pajisur me kamera sigurie ato nuk ndihmuan kësaj radhe, pasi që hajnat e kishin marrë kompjuterin kryesor ku janë filmuar nga kamerat e sigurisë.

“Kur hyra këtu vërejta se prej zyrës time janë vjedhur dy kompjuter loptop si dhe gjashtë kompjuterë tjerë. Po ashtu është i vjedhur edhe serveri i video kamerave, janë të prerë të gjitha kabllot. Po ashtu është i vjedhur edhe lexuesi i orarit të punës”, u shpreh Qenan Imeri.

Ndërsa, përveç zyrës së drejtorit janë vjedhur edhe dy kabinete tjera, ajo e biologjisë dhe e gjeografisë.

Përveç tre mikroskopëve që kishin vjedhur në kabinetin e biologjisë, kanë grisur edhe  fotografitë e shkollës.

Drejtori Qenan Imeri thotë se kjo nuk është hera e parë por, për tre vjet katër herë është vjedhur shkolla.

“Kam një lutje deri tek rina e fshatit Batincë, që mos ta dëmtojnë inventarin shkollor mjetet mësimore sepse e gjitha kjo shkon në dëme të 1412 nxënësve, ku dëmtojnë procesin edukativo-arsimor”, shtoi Imeri.

Në vendin e ngjarjes dolën edhe inspektorët policorë për të hetuar rastin.

TV21 kontaktoi Ministrinë e Punëve të Brendshme ku thonë se nesër do të dalin me një raport më të gjerë për vjedhjen në Batincë.

Dëmi i përgjithshëm që kanë shkaktuar hajdutët është 750 mijë denarë, raporton TV21. /21Media