Gjykimi i Policit për Marrje Ryshfeti

Përderisa polici i trafikut Xhevdet Xhemajli po akuzohet nga prokuroria për marrje të ryshfetit, kolegu i tij Shemsi Zejnullahu ishte në cilësinë e dëshmitarit dhe raportuesit të ngjarjes për të cilën prokuroria pretendon se paraqet vepër penale.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores së rastit Ikramije Bojaxhiu dëshmitari tregoi se si ka ndodhur ngjarja për të cilën po akuzohet kolegu i tij.

“Kemi ndalur një kundërvajtës, ai ka qenë në shpejtësi, kanë qenë pesë persona në veturë duke shkuar në drejtim të Prishtinës me tabela të Shqipërisë,” tha Zejnullahu.

Polici Zejnullahu tregoi më pas se si rrodhi ngjarja për të cilën tani kolegu i tij po akuzohet për marrje të ryshfetit.

Dëshmitari tregoi se dokumentet nga vozitësi i automjetit me targa të Shqipërisë Gentian Kastrati i kishte pranuar kolegu i tij, tani i akuzuar, ndërsa më pas dokumentet i ishin kthyer vozitësit.

Zejnullahu tregoi se gjatë kësaj ngjarjeje kishte qëndruar në largësi prej 3-4 metra larg kolegut të tij, ndërsa përveç dokumenteve kishte vërejtur edhe diçka tjetër.

“Kam vërejtur që vozitësi ka tentuar dhe ia ka lënë tani të akuzuarit në xhep 10 euro,” tha Zejnullahu.

Zejnullahu tha se e kishte vërejtur qartë kartëmonedhën prej 10 eurove, ndërsa pasi që kishte vërejtur këtë veprim i ishte drejtuar kolegut të tij me fjalët “pse po i merr këto para?”.

Dëshmitari tregoi se më pas ia kishte marrë paratë nga xhepi të akuzuarit dhe për këtë rast e kishte ftuar në vendngjarje eprorin Hysen Beqiri.

Pyetje për dëshmitarin pati edhe avokati i të akuzuarit, Tahir Rrecaj. Ai u interesua të dijë nga dëshmitari se nëse kishte dëgjuar se klienti i tij i kishte kërkuar ryshfet vozitësit të ndaluar.

A mund të konstatohet se ju nuk e keni dëgjuar të akuzuarin duke i kërkuar para vozitësit të automjetit Gentian Kastrati ? ishte pyetja e Rrecajt drejtuar dëshmitarit.

“Jo nuk e kam dëgjuar,” u përgjigj Zejnullahu.

Avokati Rrecaj e pyeti dëshmitarin se a kishte vërejtur i akuzuari Xhemajli se vozitësi ia kishte futur paratë në xhep, ndërsa edhe në këtë pyetje përgjigja ishte negative.

Seanca e radhës në këtë rast është caktuar për muajin maj.