Viti i frikës

Për serbët e Kosovës, viti 2018 u shënua me frikë, kanosje dhe pasiguri, dhe viti 2019 nuk duket se do të jetë diçka më ndryshe.

Slobodan Petroviq, kreu i Partisë Liberale Serbe, SLS dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, tha të hënën për BIRN se ai ishte i frikësuar dhe ishte subjekt i marrjes në pyetje nga Agjencia e Sigurisë së Serbisë, e njohur ndryshe si BIA, si pjesë e një fushate nga ana e Serbisë për të frikësuar rivalët e partisë Lista Serbe, parti kjo në Kosovë e cila gëzon mbështetje nga Beogradi.

Kjo, për fat të keq, nuk është diçka e re.

Për serbët që jetojnë në Kosovë, viti i kaluar mund të përmblidhet shumë lehtë: ky ishte vit i frikës.

Konfrontimi i Petroviqit me zyrtarët serbë e nisi dramën politike të vitit 2019 për serbët e Kosovës dhe duket se shumë pak nga politika e Serbisë do të ndryshojë për ta në 12 muajt në vijim.

Përderisa problemet mes Serbisë dhe serbëve të Kosovës ekzistonin shumë kohë përpara vitit të kaluar, këto probleme asnjëherë nuk kanë qenë më intensive dhe aq evidente sikurse gjatë vitit 2018.

E tëra filloi me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, kreut të Partisë për Iniciativën Qytetare, SDP, në janar të vitit të kaluar.

Pas vrasjes së tij, një heshtje e sikletshme e cila nuk ishte parë ndonjëherë më parë, u përhap tek serbët. Qysh atë ditë, frika u bë një fakt i jetës së përditshme dhe lufta kundër saj pothuajse nuk ekzistonte.

Sot, rrallë mund të gjenden serbë nga Kosova të cilët janë të gatshëm të ballafaqohen me heshtjen dhe të thonë me zë të lartë se si qëndron situata me të vërtetë, ose të pranojnë atë lloj të manipulimit politik me të cilin serbët duhej të jetonin.

Që nga janari i vitit 2018, pothuajse për çdo javë, përfaqësuesit politikë nga Beogradi dhe Prishtina krijonin një atmosferë të atillë që përforconte, përsëriste dhe normalizonte frikën.

Thjesht, të provosh të mbash në mend përmbledhjen e të gjitha ngjarjeve të vitit të kaluar, është sfidë.

Pas vrasjes së Ivanoviqit, shumë gjëra pasuan pastaj. Kosova festoi 10 vjetorin e pavarësisë së saj, ndërsa Serbia, në veçanti Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, gërmoi nëpër vendet më të largëta të botës duke kërkuar prej tyre tërheqjen e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.

Viti i kaluar ishte gjithashtu një vit me trazira për drejtorin e të ashtuquajturës Zyra për Kosovë e Metohi në Beograd, Marko Gjuriq, i cili e kaloi kufirin midis Kosovës dhe Serbisë pa marrë paraprakisht lejen nga autoritetet e Kosovës. Gjuriq u arrestua nga njësia speciale e Policisë së Kosovës në veri, u soll në Prishtinë dhe më pas u kthye në Serbi në po të njëjtën ditë. Individët e përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë janë individët e njëjtë të arrestuar për arsyen e lëvizjes ndërmjet dy vendeve.

Për shumë njerëz, ky ishte një lloj marifeti i provokuar nga autoritetet e të dy vendeve,  e cili kishte si qëllim dërgimin e sinjaleve paralajmëruese për Brukselin se situata në mes të Kosovës dhe Serbisë po përshkallëzohej.

Serbia krijoi një reality show, me Kosovën si temë kryesore në të, dhe episodi i ardhshëm i kësaj shfaqjeje pasoi me vizitën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kosovë.

Gjatë vizitës së tij dy-ditore, serbëve në Kosovë iu premtuan vende të reja pune, situatë më të mirë ekonomike si dhe ndihmë në problemet e tyre të përditshme. Sigurisht, kjo doli të mos jetë e vërtetë. Edhe pasi u shfaq në televizionin kombëtar serb gjatë vizitës në Kosovë për t’i bërë publike këto premtime, Vuçiq mezi e qoi deri në fund një prej premtimeve të tij. Sinqerisht, nuk është se dikush priste diçka më ndryshme, edhepse njerëzit janë të prirur që të mos i besojnë politikanëve, megjithatë, këta njerëz ende mbajnë disa shpresa.

Stina e verës mori fund me shfaqjen e Vuçiqit dhe ishte vetëm çështje kohe para se një akter tjetër të provokonte një dramë të re. Dhe sigurisht, ajo çfarë pasoi, ishte më shumë se një dramë: shkëmbimi territorial u bë temë kryesore në mediat serbe dhe kosovare; Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vizitoi Liqenin Gazivodes në të njëjtën ditë kur protestat kundër propozimit të tij arritën kulminacionin; Kosova nuk u anëtarësua në Interpol; Kosova zgjeroi mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke u afruar më pranë kapaciteteve të një ushtrie.

Viti përfundoi me vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe dhe tani për tani nuk ka shenja ndryshimi në lidhje me këtë çështje, përderisa e njëjta masë vazhdon edhe në vitin e ri.

Pothuajse, të gjitha këto situata çuan në takime urgjente të nivelit të lartë politik në Serbi. Për më tepër, çdo dramë provokonte një arsye më shumë për disa media dhe politikanë të caktuar që të nisnin një ‘luftë të re’.

Të  bësh një përmbledhje për vitin e kaluar nuk është aspak e lehtë. Ishte vit i gjatë, i egër dhe çdo ngjarje ishte e manipuluar nga politikanët, dhe njerëzit e ndienin se secili muaj zgjaste  pothuajse po aq sa një vit.

Pavarësisht kësaj, pyetjet thelbësore mbeten pa përgjigje. Ku qëndrojnë serbët e Kosovës në vitin 2019? Për më tepër, a do të sjellë ky vit diçka ndryshe për ta apo, ndoshta diçka edhe më të mirë për ta?

Duke gjykuar nga mënyra se si po ecën deri tani, është e vështirë të besohet se do të ketë ndonjë përmirësim. Pesimizmi u shtua me vizitën e Presidentit rus Vladimir Putin në Serbi në janar.

Çfarë saktësisht shkoi keq atje? Përveç një cirku që u pasua pas ardhjes së tij, qeveria serbe vendosi të sjellë njerëz në Beograd, jo vetëm nga e gjithë Serbia, por edhe nga Kosova, për të treguar dashuri e respekt për Vladimir Putinin.

Kjo ishte e pakuptimtë – megjithëse serbët nga Kosova nuk ishin të vetmit që mbushën autobusët dhe udhëtuan për shumë orë për të përshëndetur presidentin rus, fakti është se secili që punon në sektorin publik në veri të Kosovës ose që shpreson të gjejë punë atje, ishte i detyruar të shkonte në Beograd.

Fotografitë e përfaqësuesve lokalë politikë i paraqesin si shumicë serbët nga Kosova në këtë tubim të turpshëm dhe qesharak, organizuar për nder të vizitës së presidentit Putin. Për ta përkeqësuar situatën edhe më shumë, në ditën e vizitës së presidentit Putin, pankartat falënderuese për Rusinë u shfaqën në të gjithë veriun e Kosovës.

Viti që lamë pas ishte përplot frikë, manipulim dhe me pyetje pa asnjë përgjigje. Duket qartë se viti që kemi përpara nuk ka filluar diçka më ndryshe nga viti që lamë pas. Njerëzit vazhdojnë të bëjnë atë që duan politikanët, vetëm sa për të mbijetuar përgjatë muajit, për të mbajtur familjen e tyre të sigurt dhe për të pasur siguri ekonomike.

Pas një viti aq tronditës siç ishte viti 2018, pozicioni i serbëve të Kosovës mbetet pezull: midis Serbisë dhe Kosovës, pak këtu dhe pak atje, duke u përpjekur të kuptojnë, por ende duke u përdorur si kukulla për qëllime politike. Dhe sigurisht, ende, me frikë.

Shkrimi origjinal u publikua në Prishtina Insight

Opinionet e shprehura në rubrikën Mendime janë vetëm të autorit dhe nuk reflektojnë domsdoshmërisht pikëpamjet e Kallxo.com.

29 Janar 2019 - 10:00

Nevena Radosavleviq, Prishtina Insight 29/01/2019 - 10:00
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend