Vakuumi Ligjor si Parim Kushtetues

Thonë se ‘pagat në sektorin publik janë të vogla, por fitimi i madh’. Por, shumë shpejt zyrtarët e lartë qeveritarë përveç fitimit, mund të marrin edhe paga të larta. Më 20 dhjetor 2017, Qeveria mori vendim për rritjen e pagave në disa pozita ekzekutive, duke përfshirë dyfishimin e pagës së Kryeministrit, rritjen e pagës së ministrave dhe zëvendësministrave, këshilltarëve politikë e disa pozitave të seleksionuara nga shërbimi civil.

Ky vendim i Qeverisë u mor vetëm disa ditë pasi që Qeveria aprovoi Projektligjin për Buxhetin 2018, në të cilin nuk kishte paraparë rritje të pagave. Po ashtu, vendimi u mor në kohën kur vet Qeveria është në proces të aprovimit të një Ligji për paga, i cili edhe ashtu do të rregullonte çështjen pagave të zyrtarëve të lartë qeveritarë. Por, ky nuk është rasti i vetëm kur Qeveria Haradinaj merr vendime kontradiktore.

Reagimet kundër këtij vendimi ishin të shumta, si nga shoqëria civile e mediat, ashtu edhe nga partitë opozitare. Në janar 2018, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) vlerësoi se vendimi pjesërisht ka të bëjë me konflikt interesi, ngase Kryeministri dhe ministrat kanë marrë vendim për rritjen e pagës së tyre. Qeveria ishte e shpejtë në reagim duke deklaruar se nuk do ta marrë për bazë opinionin e AKK-së.

Pas kësaj, 30 deputetë të Kuvendit të Kosovës e dërguan vendimin në Gjykatën Kushtetuese, me arsyetimin se vendimi ishte jo kushtetues, ngase përmban elemente të konfliktit të interesit, krijon pabarazi dhe cenon ndarjen e pushteteve. Më 11 qershor 2018, Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin se vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave nuk është në kundërshtim me nenet në të cilat janë thirrur deputetët me rastin e dërgimit të ankesës në Kushtetuese.

Në retrospektivë, ankesa e deputetëve duket e paargumentuar mirë. Për shkak se Kushtetuta e Kosovës nuk përmend askund konfliktin e interesit dhe korrupsionin, deputetët që kanë dërguar ankesën janë thirrur në nene tjera të cilat indirekt mund të ndërlidhen me konfliktin e interesit. Por, njëkohësisht, edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese duket absurd, për tri arsye:

Së pari, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar si të pranueshme kërkesën e 30 deputetëve, duke vlerësuar se lënda bie në kompetenca të Gjykatës Kushtetuese dhe si e tillë do të vlerësohet (paragrafët 74-91 të aktgjykimit). Por, më vonë, Gjykata bie ndesh me komplet arsyetimin për pranueshmëri të rastit, kur konsideron “se parashtruesit e kërkesës nuk kanë dëshmuar se si Qeveria ka cenuar kompetencat kushtetuese të Kuvendit, që kanë të bëjnë me miratimin e buxhetit shtetëror, apo ndonjë kompetence tjetër kushtetuese. Rrjedhimisht, në rastin konkret, Gjykata nuk është e bindur se vendimi për rritjen e pagave përbën çështje të nivelit kushtetues” (paragrafi 110).

Nëse Gjykata nuk është e bindur se rritja e pagave përbën çështje të nivelit kushtetues, atëherë përse e ka vlerësuar si të pranueshme kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë? Do të ishte veprim shumë më i drejtë që Gjykata Kushtetuese të deklaronte që në muajin shkurt 2018 se kërkesa është e papranueshme.

Së dyti, Gjykata deklaron se të gjitha vendet e Forumit të Komisionit të Venecias, të cilat janë marrë si rast studimor në arsyetimin e vendimit të Gjykatës, kanë ligje të veçanta me anë të të cilave rregullohet çështja e pagave në sektorin publik (paragrafi 99). Në rastin e Kosovës, që nga viti 2004 rritja e pagave bëhet me vendime ekzekutive të Qeverisë, duke zvarritur tani e 14 vjet aprovimin e një ligji për pagat. Gjykata kërkon që të aprovohet një ligj i tillë për paga, për të shmangur rastet e “marrjes së vendimeve në vakum ligjor”. Nëse Kushtetuta është akti më i lartë juridik dhe ligjet e aktet tjera juridike duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën (neni 16 i Kushtetutës), dhe nëse një vendim nxirret në vakum ligjor, si mundet ai vendim të jetë konform Kushtetutës, kur nuk ka as bazë ligjore?

Së treti, Gjykata vlerëson se nuk është brenda funksionit të saj që të vlerësojë nëse vendimi ka të bëjë me konflikt interesi. Sipas Gjykatës, këtë vlerësim e ka dhënë Agjencia Kundër Korrupsion. Tani, nëse Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik është konform Kushtetutës, nëse AKK është institucioni adekuat për të vlerësuar çështjet e konfliktit të interesit dhe vlerëson se vendimi për paga përbën konflikt interesi, atëherë si mundet Gjykata të konstatojë se vendimi është kushtetues, edhe pse mund të mos jetë konform ligjit?

Këto tri shkarje logjike në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese janë lehtë të identifikueshme edhe për një laik të kësaj fushe, ashtu siç e konsideroj veten. Përfundimet që nxjerr Gjykata Kushtetuese janë komplet kundër me shtjellimet që bëhen përgjatë aktgjykimit.

Por, ashtu sikurse ka konflikt interesi në vendimin e Qeverisë për të rritur pagat për vetë anëtarët e Qeverisë, ashtu ka konflikt interesi edhe në Gjykatën Kushtetuese kur ka të bëjë me vlerësimin e këtij vendimi. Paga e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është e ndërlidhur me nivelin e pagës së Kryetarit të Gjykatës Supreme, paga e të cilit është e ndërlidhur me pagën e Kryeministrit. Kësisoj, vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave në Qeveri, indirekt rrit pagat edhe në institucionet gjyqësore, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.

Nëse do të kishim një qeverisje të arsyeshme, do ta lexonte aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kështu: Vendet anëtare të Komisionit të Venecias pagat në sektorin publik i rregullojnë me ligj. Në Kosovë që nga viti 2004 pagat rregullohen me vendime ekzekutive, rrjedhimisht vendimet merren në vakuum ligjor. Për të shmangur këtë, Qeveria duhet ta anulojë vendimin e dhjetorit 2017 për rritjen e pagave dhe ta procedojë në Kuvend një ligj për pagat, i cili do të shmangte konfliktin e interesit, ashtu siç ka konsideruar në opinion e saj edhe AKK.

Por, Kosova nuk ka një qeverisje të arsyeshme, andaj gjasat më të mëdha janë që Qeveria Haradinaj do të vazhdojë të veprojë në vakuum ligjor. Ngase nga tani vakuumi ligjor është edhe parim kushtetues.