Gjykatësit e Kushtetueses ia rritën pagën edhe vetes

Vendimi i nxjerrë sot nga gjykatësit e Kushtetueses për pagat e rritura të qeveritarëve u ka krijuar favore edhe këtyre të fundit përfshirë rritjen e pagave për gjykatësit e Kushtetueses.

Ligji për Gjykatën Kushtetuese, Neni 15, përcakton se “paga e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është 1.3 herë më e lartë sa ajo e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës”. Ndërkaq, sipas ligjit kryetari i Gjykatës Supreme merr pagë sa të kryeministrit ndërsa gjykatësit e Supremes marrin 90% të pagës së kryetarit.

Paga momentale e gjykatësit kushtetues pa shtesa dhe mëditje është rreth 1,653 euro ndërsa me rritjen e cila vjen pas vendimit të fundit paga do arrijë rreth 3,400 euro.

Gjykatësit kushtetues e morën këtë vendim pas kërkesës së 30 deputetëve të kuvendit të cilët kërkuan interpretim nëse vendimi i qeverisë për rritje pagash ishte në përputhje me Kushtetutën.

Gjykatën Kushtetuese e përbëjnë: Arta Rama- Hajrizi (kryetare) dhe anëtarët: Ivan Çukaloviq, Altay Suroy, Almiro Rodrigues, Snezhana Botusharova- Doicheva, Bekim Sejdiu, Selvete Gërxhaliu- Krasniqi dhe Gresa Caka- Nimani.

Se vendimi i Qeverisë për rritje pagash nuk është në kundërshtim me Kushtetutën kanë vendosur: Arta Rama- Hajrizi Ivan Çukaloviq, Altay SuroySnezhana Botusharova- Doicheva, Bekim Sejdiu dhe Selvete Gërxhaliu- Krasniqi.

Ndërsa, dy gjyqtarët që kanë vlerësuar se vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me Kushtetutën janë: Almiro Rodrigues dhe Gresa Caka- Nimani.