Thaçi Nominon Njeriun e Partisë për Shef të Privatizimit

Kryeministri Hashim Thaçi ka propozuar, javën e kaluar, një anëtar të partisë së tij për kryetar të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Këtë e bëri vetëm 27 ditë, pasi iu tha ligjvënësve se kishte qenë ai që kishte marrë vendim që të largonte ndikimin politik në këtë agjenci. Ligji për AKP-në nuk tregon qartë nëse Qeveria ka të drejtë të propozojë emra për bord të AKP-së, por Kuvendi i Kosovës thotë se janë bazuar në praktikën e kaluar.

Kur kryeministri Hashim Thaçi foli para ligjvënësve për Agjencinë Kosovare të Privatizimit e përshkroi këtë institucion si të pandikuar politikisht. Ai tha se personalisht ndikoi që të arrihej kjo. 

“Personalisht si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës kam vendosur që për t’i ikur ndikimit politik të mos propozohen ministra në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, ka deklaruar Thaçi, në seancën parlamentare të 2 tetorit të këtij viti. 

Kryeministri deklaroi se para 2008-ës, vit ky kur Thaçi formoi kabinetin e tij qeverisës, privatizimi ishte i ndikuar politikisht. 

Privatizimi kishte nisur në vitin 2001, por prej vitit 2004 në Bordin e Drejtorëve të kësaj agjencie ka pasur anëtarë edhe Qeveria e Kosovës. 

“Nga ky moment kanë filluar që në bord të jenë edhe ministrat e Qeverisë së atëhershme, por gjithmonë vendimet apo vendimet ekzekutive i ka pasur UNMIK-u. Por, politizimi kishte filluar në atë periudhë”, ka thënë kryeministri Thaçi. 

Më 29 tetor, një muaj pas këtij fjalimi, në mbledhjen e kabinetit qeveritar Thaçi ka marrë vendim që është në kundërshtim më fjalimin e bërë para Kuvendit të Kosovës.

Ai ka propozuar pesë veta për Drejtorë Bordi të AKP-së. (shih vendimin)

Për kryesues ai ka propozuar Blerim Rexhën, një anëtarë i Partisë Demokratike i cili ka qenë kandidat i kësaj partie për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Ai gjithashtu kishte mbajtur pozitën e “ministrit nën hije” në Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, kur PDK ishte në opozitë. 

Rexha ishte shef i Departamentit për Telekomunikacion në Kabinetin për Qeverisje të Mirë. Kur PDK-ja erdhi në pushtet, ai u bë zëvendës ministër për Energji e Miniera. 

Zyra e Kryeministrit nuk e ka komentuar përzgjedhjen e Rexhës dhe lidhjet e tij me PDK-në kur është pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë. 

Ndërkohë, as Blerim Rexha nuk ka dhënë përgjigje rreth kësaj çështje. 

Por, pas nominimit nga Qeveria e Kosovës emrat e kandidatëve duhet të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për miratim. 

Kandidatët obligohen të dërgojnë një biografi te Zyra e Sekretarit të Qeverisë së Kosovës. 

Blerim Rexha ka shënuar në biografinë e tij se është i doktoruar në Institutin e Teknologjisë së Kompjuterëve, në Universitetin Teknik të Vjenës si dhe ka mbajtur pozitën e zëvendësministrit për Energji e Miniera, prej vitit 2008 deri më 2011. 

Por, ai nuk ka kallëzuar se para se të merrte këtë pozitë qeveritare, ai ka mbajtur pozitën e shefit të Departamentit për Teknologji, një ministri nën hije në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, organ i themeluar nga Partia Demokratike, kur ishte në opozitë.

Rexha nuk ka dhënë sqarime se pse biografisë së tij i mungon edhe kjo përvojë pune. 

 
Blerim Rexha | Foto: pdk49.com  

 

Krahas Rexhës janë propozuar edhe katër veta të tjerë për anëtarë bordi në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. 

Haxhi Arifi do të përfaqësojë punëtorët në këtë bord, pasi që është kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarur të Kosovës. 

Ai shërben në BSPK që nga viti 2008. Është ekonomist i diplomuar në Tiranë dhe ka punuar në kompaninë Birra e Pejës si drejtor i departamentit për fermentimin e alkoolit. Ndërsa nga viti 2007 deri në vitin 2008 ai ka punuar në një projekt të Komisionit Europian i cili mbështeste BSPK-në.

Arifi është i vetmi nga nga pesë të nominuarit i cili ende nuk ka dërguar ende CV-në e tij në Zyrën e Sekretarit të Zyrës së Kryeministrit. Arifi delegohet në cilësinë e përfaqësuesit të punëtorëve pasi që mban pozitën e kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. 

Ndërkohë i nominuari tjetër Skënder Komoni ka shënuar në biografinë e tij se është ekonomist i diplomuar. Ai ka theksuar se nga viti 1999 deri më 2002 ka punuar në “Help International”-Shelter  – program i një organizate jo qeveritare me program rindërtimi. Aty kishte pozitën operator i bazës së të dhënave ne Deçan.  Kurse nga viti 2003 e deri më tash ka punuar si Inspektor i Lartë në Doganat e Kosovës.

E propozuara tjetër, Maja Milanoviq do të përfaqësojë komunitetet joshqiptare në bord.

Ajo ka shënuar se është ekonomiste e diplomuar në Universitetin e Prishtinës. Sipas biografisë, nga prilli i vitit 2007 deri në mars të vitit 2009 ka punuar në Agjencionin Kosovar të Privatizimit, zyra në Mitrovicë në projekte, financa dhe çështje ligjore. 

Ndërsa, e nominuara tjetër Dardane Peja ka shënuar se është e diplomuar në fushën e ekonomisë dhe ka punuar në sektorin privat nga viti 1992 deri në vitin 1999. Nga viti 2000 ka punuar në menaxhim projektesh në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombar (USAID).

Edhe Dino Asanaj ishte një mik i Thaçit 

Para katër vitesh, në korrik të vitit 2008, Qeveria e Kosovës kishte propozuar Dino Asanajn për kryetar të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. 

Po ashtu në mars të vitit 2010 e kishte propozuar të njëjtin për një mandat të ri në krye të AKP-së. 

Asanaj ishte një afarist që në New York merrej me biznesin e transformimit të brendshëm të ndërtesave. Ai kishte në pronësi kompaninë “DD Interiors”, me bazë në New York. 

Ai nuk e mohonte se e kishte mik të mirë kryeministrin Thaçi. Por, sipas tij, miqësia mes tyre nuk kishte ndikuar që ai të merrte pozitën e kryetarit të Bordit të AKP-së. 

“Qeveria më ka propozuar, ndërsa Kuvendi më ka zgjedhur kryetar Bordi. Megjithatë, nuk e mohoj se e kam mik të mirë Kryeministrin”, pat deklaruar Asanaj për Gazeta Jeta në Kosovë. 

Por miqësi, kishte thënë ai, ka pasur edhe me ish-kryeministrin Agim Çeku. Asanaj kishte mbajtur pozitën e këshilltarit për diasporë në vitin 2007, kur Çeku drejtonte Qeverinë e Kosovës. 

Ai më herët kishte qenë përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në SHBA, e pastaj përfaqësues i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës të udhëhequr nga Hashim Thaçi. Po ashtu, Asanaj ishte këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje.

Me Thaçin, ka pranuar Asanaj, kishte pasur kontakte të vazhdueshme para dhe pas luftës së Kosovës. 

Ish-kreu i AKP-së fillimisht kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë vitin e kaluar. Më vonë ishte kthyer në detyrë, pasi që nuk ishte pranuar dorëheqja e tij. 

Ndërkohë në mesditën e 14 qershorit të këtij viti, Asanaj u gjet i plagosur me thikë në zyrën e tij në Fshatin Ndërkombëtar në Hajvali të Prishtinës. Ai vdiq dy orë më pas në Spitalin e Prishtinës. 

Mjekësia ligjore konstatoi se bëhet fjalë për vetëvrasje dhe se Dino Asanaj kishte therur veten 11 herë me thikë. Edhe Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë e kualifikoi si vetëvrasje dhe mbylli hetimet. Por, prokurorët po e hetojnë nëse i ndjeri është shtyrë në vetëvrasje.

“Një i ngjashëm me Asanajn nuk duhet të jetë kryetar Bordi”

“Një i ngjashëm me Asanajn nuk duhet të jetë kryetar Bordi” Andrea Capussela 

Prej vdekjes së Dino Asanajt në qershor, tash e pesë muaj Agjencia Kosovare e Privatizimit ka mbetur pa bord drejtues. 

Andrea Capussela, një ish-anëtar i Bordit të AKP-së, i deleguar nga Zyra Civile Ndërkombëtare, ka vlerësuar se kjo është një papërgjegjësi. 

“Bordi duhet të aprovojë të gjithë tenderët dhe të gjitha shitjet. Pa bord, AKP-ja mundet vetëm ta administrojë veten, duke mos kryer punën e saj”, ka thënë Capussela për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai ka thënë se në krye të Bordit të AKP-së nuk duhet të vijë edhe një i ngjashëm me Dino Asanajn. 

“Gabimi për të vendosur një si i ndjeri Dino Asanaj ishte se ai ishte i mbifuqishëm, por kryesisht ai mungonte në punë. Menaxhmenti de fakto kishte nevojë për pëlqimin e tij, për çdo vendim të vogël, por ai nuk punonte brenda në AKP tërë ditën”. 

Kryesuesi i ri që vjen, sipas tij, duhet të jetë një njeri që do të ketë pjesëmarrje me të gjithë anëtarët e tjerë të bordit në mbikëqyrje sa më të mirë të menaxhmentit.

“Por, jo dikush, që falë ndikimit politik apo personal, komandon me menaxhmentin”, tha Capussela.

Derisa anëtarët vendas në Bordin Drejtues duhet të ndërrohen, janë tre anëtarët ndërkombëtarë të cilët kanë mandat deri në vitin 2014.

“Anëtarëve vendas të Bordit të Drejtorëve iu ka skaduar mandati më datë 22 korrik. Aktualisht Bordi nuk ka shumicën e anëtarëve që mundësojnë funksionimin (nuk ka kuorum) dhe i mungon edhe kryetari. Bordi aktualisht ka tre anëtarë nga stafi ndërkombëtar, ashtu siç është e përcaktuar me Ligjin e AKP-së, me mandat deri në vitin 2014”, ka deklaruar Ylli Kaloshi, zyrtar i lartë për marrëdhënie me publikun në AKP. 

Agjencia Kosovare e Privatizimit sipas tij ka njoftuar institucionet përgjegjëse për kohën e skadimit të mandatit të anëtarëve te Bordit Drejtues. 

Ligji për AKP-në nuk qartëson propozuesin e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve 

Kabineti Qeveritar kur vendosi të nomionojë pesë anëtarët e rinj të Bordit të Drejtorëve të AKP-së u bazua në Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. 

Por, ky ligj nuk përcakton qartë kush duhet të jetë nominues i anëtarëve të këtij trupi drejtues, përveç se është decidive që emërues është Kuvendi i Kosovës. 

Zyra Ligjore e Kuvendit i jep të drejtë Zyrës së Kryeministrit të nominojë anëtarë, duke u bazuar në praktikat e deritashme. 

Zyra Ligjore në Zyrën e Kryeministrit nuk ka dhënë shpjegime kur është pyetur nga gazeta rreth konfuzioneve në Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të miratuar në gusht të vitit 2011. 

Neni 12.2 i këtij ligji thotë se Kuvendi emëron anëtarët. Ndërkohë neni 12.8 thotë se institucionet e tjera mund të delegojnë anëtarë bordi në AKP. 

Zyra Ligjore e Kuvendit të Kosovës ka dhënë një interpretim se kujt i referohet ky nen.

“Ligji nuk i ka specifikuar institucionet tjera me përjashtim të përfaqësuesit të sindikatës së punëtorëve”, ka thënë Daut Beqiri, drejtor i Zyrës Ligjore në Kuvendin e Kosovës. 

Zyra Ligjore e Kuvendit i jep të drejtë Zyrës së Kryeministrit të nominojë anëtarë, duke u bazuar në praktikat e deritashme. 

Megjithatë Zyra Ligjore nuk përmend asnjë nen të këtij ligji i cili i jep të drejtë Qeverisë së Kosovës që të bëjë nominimin e anëtarëve vendas në Bordin e Drejtorëve të AKP-së. 

Zyra Ligjore në përgjigjet e saj përmend ndryshimet që janë bërë në Ligjin për AKP-në, përkatësisht paragrafit 3 të nenit 12. 

Por, ky paragraf nuk përmend nominimin e anëtarëve vendas, por atyre ndërkombëtarë.

“Zyra Ligjore nuk ka dhënë vërejtje rreth kësaj praktike dhe unë kam vepruar konform kësaj praktike” Zenun Pajaziti

“Nga praktika e deritashme, si dhe duke u bazuar në ndryshimet e fundit të ligjit sipas të cilit ‘Kuvendi pas propozimit nga Qeveria zgjedh tre anëtarë ndërkombëtarë drejtorë të bordit’, Qeveria i ka bërë edhe propozimet e reja për emërimin e anëtarëve të Bordit të AKP-së”, ka thënë Beqiri. 

Bazuar në këtë praktikë, edhe Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri ka thënë se janë bërë edhe nominimet e fundit për anëtarë bordi në AKP. 

Ky komision pasi është informuar nga AKP-ja për skadimin e mandatit të anëtarëve të bordit ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të nominojë pesë veta për Bordin e Drejtorëve të kësaj agjencie. 

“Zyra Ligjore nuk ka dhënë vërejtje rreth kësaj praktike dhe unë kam vepruar konform kësaj praktike. Derisa Zyra Ligjore nuk jep vërejtje, ne kemi të drejtë të vazhdojmë kështu”, ka thënë Pajaziti.

ETIKETA

12 Nëntor 2012 - 04:00

Parim Olluri 12/11/2012 - 04:00
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Thaçi Nominon Njeriun e Partisë për Shef të Privatizimit

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend