Të jetosh mes luksit të politikanëve me 150 euro rrogë

Dita e 1 majit i gjen punëtorët e kompanive të pastrimit në Kosovë me pabarazi të madhe shoqërore, me të hyra më të ulëta se paga minimale në vend dhe tjera vështirësi në këtë sektor.

 

Pak kate më poshtë vendit ku po mbante mbledhje kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj me 35 këshilltarët e tij, Valbona Jashari, e vetme pastronte në njërën nga sallat kryesore të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Dy kate komplet të kësaj ndërtesë, me 40 zyra dhe 12 toalete, janë përgjegjësi e saj çdo ditë, nga dita e hënë deri të premten.

“Jemi vetëm 7 punëtore që e pastrojmë krejt ndërtesën e Qeverisë”, thotë Valbona, teksa ndalon së punuari pas vizitës së ekipit të BIRN, në ndërtesën e Qeverisë.

Ajo ka më shumë se një vit që punon si pastruese në Qeverinë e Kosovës. Më gjithë punën e madhe që bën, paga e saj është vetëm 180 euro në muaj, apo rreth 16 herë më e vogël se ajo e kryeministrit të vendit, prej 2,950 euro.

Sektori ku punon Valbona, pra kompanitë e pastrimit, vlerësohet se i ka pagat më të ulëta në Kosovë. Në shumë raste pagat janë edhe në pragun e pagës minimale.

Paga minimale në Kosovë është në dy kategori. Për personat mbi 35 vjec, paga minimale është 170 euro. E personat që janë nën 35 vjec, paga minimale është vetëm 135 euro. Asnjë qeveri nuk e ka përfillur kërkesën e sindikatave për rritjen e pagës minimale. Mos-ndryshimi i pagës minimale ka bërë që kompanitë që ofrojnë shërbime për institucionet publike t’i paguajnë punëtorët në kufirin e pagës minimale.

Nga ankesat që ka pranuar Sindikata e Sektorit Privat, pagat tek kompanitë e pastrimit sillen diku rreth 150 euro. Kryetari i kësaj Sindikate, Jusuf Azemi, tregon për shumë shkelje në këtë sektor, që bëhen nga punëdhënësit.

“Kemi ankesa të shpeshta rreth kushteve të punës në përgjithësi, mungesë të kontratave, mungesë të pajisjeve, dhe pagave e ulëta që shumë herë është më e vogël se paga minimale”, ka thënë ai.

Mirëpo paga nuk është dallimi i vetëm mes Valbonës dhe Kryeministrit. Për kohën sa punon në qeveri asaj i është rritur paga vetëm dhjetë euro.

Përderisa kryeministri Haradinaj përmes një vendimi në dhjetor të vitit 2017ia dyfishoi vetës pagën. Prej 1 mijë e 500 euro sa e kishte, e rriti në 2,950 euro. Nga kjo, rritje rreth 100 për qind të pagës përfituan edhe zëvendëskryeministrat dhe këshilltarët politikë të kryeministrit. Te ministrat rritja është 70 për qind e pagës, derisa rritje gati 80 për qind pati edhe tek asistentët dhe shoferët e qeverisë.

Me këtë pagë, Haradinaj është bërë kryeministri më i paguar në rajon, kurse paga mesatare prej 460 euro në vend është po ashtu ndër më të ultat në rajon. E kundërta është me Malin e Zi. Atje paga mesatare është 751 euro, derisa paga e kryeministrit prej 1,130 euro nuk e tejkalon dyfishin e pagës mesatare.

Valbona thotë se nuk është ndjerë aspak mirë kur ka dëgjuar për këtë vendim.

“Është ndjenjë shumë e keqe me punu me pagë 180 euro me një vend ku ka paga shumë të larta. Kryeministri asnjëherë nuk ndalet me na pyet, se qysh i kemi pagat. Ai nuk është në lëkurën tonë për më e ditë”, shprehet ajo.

Gjendje pak a shumë e njëjtë është edhe tek punëtorët e pastrimit që mirëmbajnë godinën e Kuvendit të Kosovës. Ata ndajnë të njëjtat hapësira të punës me deputetët, por dallimi në paga mes tyre është alarmant.

Me Ligjin e ri për Pagat, deputetëve u është rritur paga bazë nga 1,488 euro në 2031 euro. Kjo rritje i bën ata më të paguarit në rajon. Pas tyre, janë deputetët e Malit të Zi, paga bazë e të cilëve është 1,200 euro, deputetët e Shqipërisë me 1080 euro dhe ata të Maqedonisë e Serbisë me 1,000 euro pagë mujore.

Rritja e pagave të deputetëve nuk ka kaluar pa i rënë në sy *Artanit, punëtor teknik në Kuvend, i cili paguhet 300 euro bruto. Ai është punëtor i kompanisë së pastrimit “Schafberger”, e cila ka fituar tenderin për ta kryer pastrimin dhe mirëmbajtjen në objektin e Kuvendit të Kosovës.

“Shpesh ndodh që bëhemi shumë nervozë për këtë farë pune, po në Kosovë po jetojmë. Deputetët është dashur të diskutojnë më shumë në Kuvend për kushtet e punëtorëve në sektorin privat para se me ikë shumë qytetarë jashtë vendit”, thotë ai.

Artani* po u referohet rritjes së vazhdueshme të kosovarëve që po lënë vendin në kërkim të një jete më të mirë duke migruar kryesisht në vendet e BE-së, që në 5 vitet e fundit ka kaluar numrin 170,000, apo rreth 10 përqind të popullsisë së përgjithshme.

Pagat e punëtorëve që pastrojnë në Kuvend sillen rreth 200 euro bruto.

Artani* thotë se po të mos e kishte mbështetjen e familjarëve të tij, me ketë pagë nuk do të arrinte ta mbante familjen e ngushtë. Ai ka një kërkesë konkrete nga institucioni ku punon.

“Problemi që na shqetëson më shumë është se institucionet po i japin këto kontrata me çmime shumë të ulëta për kompaninë dhe kjo pastaj po ndikon në pagat tona”.

Ndryshe, Kosova është e para në rajon sa i përket hendekut në mes të pagave të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe atyre që punojnë në kufirin e pagës minimale.

Me këto paga, një familje në Kosovë mezi po ia del të ushqehet shëndetshëm e lërë më të kenë qasje cilësore për fëmijët e tyre në arsim, shëndetësi, e veshmbathje. Sipas Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin  2017, një familje në Kosovë ka pasur në dispozicion mesatarisht 7 mijë e 803 euro buxhet vjetor. Prej tyre, 3 mijë e 89 euro, shpenzohen për ushqim dhe pije joalkolike, për banim 2 mijë e 272 euro dhe vetëm 359 euro për veshmbathje. Ndërsa më së paku u bije të shpenzojnë për shëndetësi e arsim. Për shëndetësi, familja kosovare i ka në dispozicion buxhet vjetor mesatarisht 265 euro, kurse për arsim, duket e pabesueshme, por mesatarja është vetëm 24 euro. Mos të flasim për rekreacion, që po ashtu shpenzimet janë minimale, prej vetëm 49 euro.

Marrë parasysh problemet me të cilat përballen punëtorët tek kompanitë e pastrimit, numri i ankesave të tyre në Inspektorat, sipas Kryeinspektorit Basri Ibrahimi, është tejet i vogël.

Në vitin 2018, totali i ankesave nga të gjithë sektorët ka qenë 1,700 ankesa, prej të cilave janë shqiptuar vetëm 270 gjoba.

Kryeinspektori thotë se ka raste që nga ankesat që marrin, pagat e punëtorëve janë edhe nën pagën minimale.

“Tek kompanitë e pastrimit kryesisht problemet më të mëdha janë të pagat. Pagat në këtë sektor janë vërtetë të ulëta. Kemi disa raste që ankohen që janë edhe nën pagën minimale”, ka thënë ai.

Kompanitë e pastrimit dhe tek sigurimet fizike, sipas kryeinspektorit, janë dy sektorët më pagat më të ulëta në Kosovë. Në këtë po ndikojnë edhe institucionet të cilat po vendosin kushte të pafavorshme për kompanitë e pastrimit.

“Problem është edhe dhënia e tenderëve nga autoritetet kontraktuese. Shumë herë ndodh që institucionet kur angazhojnë kompanitë e pastrimit, qesin kushte jo të favorshme duke ndikuar edhe tek punëtorët. Autoritetet kontraktuese munden më i thënë kompanisë që nëse e merrni tenderin njëri nga kriteret duhet të jetë paga më dinjitoze e punëtorëve,” thekson kryeinspektori.

Kur është pyetur se a ka pasur inspektime në këto dy institucione, ai është arsyetuar me mungesën e inspektorëve. 40 inspektorë janë gjithsej për krejt Kosovën. Sipas të dhënave të ATK-së, janë rreth 60 mijë  biznese aktive, prej 160 mijë sa janë të regjistruar në total në MTI. Kjo i bije se një inspektor i vetëm i ka në dispozicion rreth 1,500 biznese për kontroll.

Në ndërkohë, kompanitë e hedhin fajin tek institucionet.

BIRN ka kontaktuar edhe me drejtuesit e dy kompanive që pastrojnë në Kuvend dhe Qeveri, për të kuptuar rreth arsyeve që i kanë shtyrë ata të ofrojnë paga kaq të ulëta.

Valmire Bujupi, menaxhere e kontratës me Kuvendin nga kompania “Schafberger”, tregon se janë gjithsej 43 punëtor në kuadër të kontratës për pastrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

“Problemin më të madh e kemi me kushtet që përcaktohen në tender nga institucioni. Sikur të ishin kushtet më të favorshme për kompaninë, kjo sigurisht se do të reflektonte edhe tek pagat e punëtorëve”, vlerëson Bujupi.

Bexhet Haxholli, drejtor në kompaninë e pastrimit Mobile Sanitary Services, MSS, e cila është përgjegjëse për pastrimin e objektit të Qeverisë, thotë së paga më e ulët për punëtorët e pastrimit në Qeveri është 170 euro.

“Pagat e pastruesve janë rreth 200 euro bruto, kurse 300 euro bruto paga e punëtorëve teknik. Në hapësira të vogla aplikohet paga 170 euro. Të çështja e pagave domosdoshmërisht kam me lëvizë në të ardhmen”, thotë Haxholli, derisa si arsye kryesore për këto paga edhe ky jep kushtet jo të favorshme të tenderit të dhënë nga Qeveria.

“Kontrata nga Qeveria është 2,800 euro në muaj për 12 punëtorë”, thotë ai.

Haxholli nuk e ka parë me sy të mirë një iniciativë të një partie parlamentare në Kuvend për rritjen e menjëhershme të pagës minimale. Propozimi është që paga minimale të rritet nga 170 euro në 250 euro.

Me 170 euro, Kosova është vendi me pagën minimale më të ultën në rajon.  Sipas të dhënave  të zyrës së Statistikave të Bashkimit Evropian (Eurostat), jo shumë larg Kosovës me pagë minimale qëndron vetëm Mali i Zi, me 193 euro, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 203 euro, si dhe Bosnja e Hercegovina me 208 euro. Në Shqipëri ky nivel i pagës është 211 euro, ndërsa në Serbi është 231 euro.

Sipas Haxhollit, rritja e pagës minimale të duhej të bëhej gradualisht, pasi mund të shkaktojë probleme tek kompanitë.

“Te ne, të gjithë punëtorët janë me kontrata”, vlerëson ai.

Megjithatë, për Valbonën, me 180 euro pagë sa merr, kontrata e punës nuk është se ka ndonjë rëndësi të madhe.

Ndonëse e ndan të njëjtin vend të punës me kryeministrin, ajo thotë se asnjëherë nuk ka arritur t’ia qaj hallin e saj. Për këtë, me këmbëngulje ka kërkuar nga ekipi i BIRN që në artikull, t’i shtrohet kryeministrit një pyetje që ka kohë që asaj po i sillet në kokë. – “Kryeministër, a e dinë me çfarë rroga punojmë na?”

 

Artani* është emër fiktiv për ta ruajtur identitetin e mirëmbajtësit të Kuvendit të Kosovës.