Nga një mbledhje e Senatit të UP-së

'Kaosi' i rregullimit të avancimeve akademike në UP

Ndryshimi i rregullores për avancim të stafit akademik në Universitetin e Prishtinës si dhe plotësim-ndryshimi i Udhëzimit Administrativ për këtë çështje në Ministrinë e Arsimit, ka bërë që një numër i publikimeve shkencore të stafit akademik në UP të cilat janë botuar për vite me radhë, të bëhen të pavlefshme.

Si rrjedhojë, kanë pësuar edhe disa profesorë të cilët kanë qenë në fazën e avancimit akademik, pasi që kriteret për këtë çështje janë ndryshuar.

Plotësim-ndryshimi i Udhëzimit Administrativ për avancim të stafit akademik në universitete publike i nxjerrë nga Ministria e Arsimit dhe ndryshimi i rregullores për të njëjtën çështje nga ana e Universitetit të Prishtinës, u kanë shkaktuar probleme një numri të madh të stafit akademik në këtë universitet.

Për shkak të këtyre ndryshimeve, një numër i revistave që para fillimit të këtij viti kanë qenë të pranuara nga UP, me rregulloren dhe UA-në e ri nuk pranohen për avancim.

Kjo ka bërë që një numër i profesorëve të mos mund ta kalojnë fazën e avancimit nga një titull në tjetrin, ku njëri nga kriteret është që të kenë punime të publikuara në revistat e përzgjedhura nga UP dhe MASHT.

Profesori nga Departamenti i Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, Florim Isufi, ligjërues tash e 26 vite në këtë universitet, thotë se iu ka refuzuar avancimi dy herë radhazi, për shkak se janë ndërruar kriteret e avancimit pas mbylljes së konkursit.

“Rregullat kanë ndërruar pasi që është mbyllur konkursi, pasi që janë shkruar referatet dhe pasi që referatet kanë kaluar nëpër këshillat mësimore të njësive akademike. Krejt kur kanë shkuar lëndët në Senat, atëherë Senati e ka parë që numri i madh ose i vogël, ose numri i caktuar i njerëzve ose figurat e caktuara mund të avancohen ose nuk mund të avancohen, ata i dinë këto probleme, dhe që të dyja herët i kanë ndërruar në proces, krejt pas mbylljes së procesit, gati në procesin final i kanë ndërruar rregullat”, tha Isufi

Ndërkohë, Isufi thotë se ka bërë edhe ankesë, duke i sqaruar Rektoratit se revistat ku janë punimet e tij të botuara gjenden në platforma të cilat janë të pranuara nga UP dhe MASHT. Por, sipas tij, përgjigja ka qenë se një gjë e tillë nuk mund të konfirmohet nga universiteti.

“Ndërkohë kanë ndërruar vendimet, njëra prej vendimeve është mos-zbatimi i UA dhe një pike në rregulloren për zgjedhje ku thuhet se punimet të cilat janë të publikuara, në kohën e publikimit nuk duhet të jenë në kuadër të revistave të dyshimta dhe në këtë kontekst ata kanë arsyetuar se ne nuk kemi kapacitete me hi dhe me kontrollu secilin punim kur është botuar. Atëherë unë iu kam shkruar dhe iu kam thënë se 30 sekonda nevojiten, nuk nevojiten më shumë. Bile 15 sekonda nevojiten…. nuk e kanë marrë parasysh, kështu që ne kemi bërë ankesa dhe tani jemi në pritje të zgjedhjes së problemit me ankesa”, tha Isufi.

Edhe profesori nga Departamenti i Kimisë, Ilir Shehu, thotë se është dëmtuar pas ndërrimit të kritereve për avancim nga Rektorati.

Shehu thotë se, megjithëse i kishte plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara me konkurs për avancim nga titulli profesor asistent në profesor të asocuar, Senati i UP-së nuk e kishte marrë parasysh asnjë kriter tjetër siç është rëndësia e punimit, vlera e tij apo vlerësimi të cilin e kishte dhënë Këshilli Shkencor i Fakultetit.

Sipas tij refuzimin për avancim Senati e kishte bazuar në revistën ku Shehu e kishte të botuar njërin nga tri punimet e kërkuara me konkurs, e të cilën UP në shtator, disa muaj pas mbylljes së konkursit, e kishte shpallë të pavlefshme dhe për këtë, Shehu pretendon se Senati e shkeli konkursin.

“Punimet tona kanë qenë të vitit 2015 dhe 2016 në revistën që tashmë po thonë që është revistë jo-kredibile por që ka qenë e indeksuar në “Scopus”, pra të gjitha ato që janë kërkuar ne i kemi plotësuar, mirëpo si duket senati ra në ndikimin e presionit të medieve, organizatave joqeveritare dhe në mbledhjen e 10 shtatorit e shkarkuan revistën ose e vënë revistën si jo-kredibile”.

Ai thotë që refuzimi i erdhi pas publikimit të një artikulli të një punimi joserioz, me emër fiktiv të autorit, i botuar tri vite pasi Shehu e kishte publikuar punimin e tij po në këtë revistë, e i cili u bë publik nga një organizatë joqeveritare që monitoron arsimin e lartë e cila vlerëson se revista në fjalë është jo-kredibile.

Ai insiston se pasi ta pranoj vendimin zyrtarisht nga Rektorati, do të ndjek rrugët ligjore për të kërkuar të drejtën të cilën pretendon se i është shkelur.

“Ne do t’i ndjekim procedurat të cilat janë të përcaktuara edhe me rregullore por edhe me konkursin i cili është shpallur, procedurat e animimit, stadi i parë sa i përket universitetit dhe i fundit është komisioni për ankesa dhe parashtresa, por për ta bërë ankesën së pari duhet t’i marrim vendimet dhe vendimet nuk po na i lëshojnë sepse si duket e kanë parë që kanë gabuar”,tha ai.

Kurse, Driton Vela, ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë, thotë se në konkursin për avancim të tij, Senati ka vendos për kundërkandidaten, anipse sipas tij, Vela i ka plotësuar kriteret për avancim.

“Me rregulloren e MASHT-it nuk të pranohen punimet në revistat e vendeve fqinje, sipas këtyre kritereve unë i kam tetë punime kurse kudnërkandidatja e ka pas 1 punim. Ajo ka qenë në një revistë të Iranit, në një revistë modeste ndërsa unë i kam në revista me impakt faktor, me koeficientin më të vlerësuar në botë që e matë cilësinë e punimit. Edhe plus jam autor i librit të parë nga fusha e Fiziologjisë nga katedra e Fiziologjisë, prej që ekziston katedra qe 40 vite”, tha Vela/

Radio Kosova ka kontaktuar edhe disa profesorë tjerë të cilët kanë probleme të ngjashme me avancim pas ndryshimit të këtyre kritereve, por të cilët nuk kanë dashur të flasin publikisht, me arsyen se mund të dëmtohen edhe më shumë, ose se menaxhmenti i UP-së mund të ju hakmerret.

Politikat që po i krijon Ministria e Arsimit në drejtim të universiteteve publike  por edhe vetë Universiteti i Prishtinës, sipas profesorit universitar dhe shkrimtarit, Milazim Krasniqi, janë kundër zhvillimit të shkencës në Kosovë.

Sipas tij, kriteret e përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Rektorati i UP-së, që revistat të jenë në gjuhën angleze, mos të jenë revista vendore e as të rajonit, e kanë dëmtuar shumë zhvillimin e shkencës në Kosovë.

“Politikat e Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit lidhur me publikimet në revistat shkencore, janë politika idiotike, janë politika antiakademike dhe antishqiptare në esencë. Pse janë antishqiptare sepse duke i nxitur profesorët që të botojnë vetëm në revista të huaja dhe vetëm për tema gjasme universale e kanë shkatërruar mendimin shkencor i cili do të duhej të jepte përgjigje për problemet e shoqërisë, ekonomisë, kulturës dhe përgjithësisht shtetit ë Kosovës”, tha Krasniqi

Krasniqi madje ka thënë se është absurd që universiteti nuk i njeh revistat që i financon vet dhe ko i detyron profesorët të botojnë në çfarëdo reviste vetëm që të avancohen.

Rrjedhimisht, sipas tij me këtë kriter janë dëmtuar edhe revistat vendore, pasi askush më nuk ka ndonjë arsye për të botuar në to.

Ai shton  se një pjesë të fajit për këtë çështje e bartin edhe vet profesorët e UP-së të cilët sipas tij ish dashtë të reagojnë dhe të mos lejojnë politika të tilla.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se Udhëzimi Administrativ “Parimet e Njohjes së Platformave dhe Revistave Ndërkombëtare me Recension”, është hartuar me qëllim që të rregullojë çështjen e revistave ndërkombëtare.

Ndërkohë, Bytyqi thotë se përzgjedhja është bërë duke e pasur parasysh indeksimin e verave të larta të këtyre revistave apo platformave dhe mbi bazën e tyre janë futur në UA.

Megjithatë, vetë ministri nuk sheh siguri të madhe sa i përket përfaqësimit të vlerave shkencore as në këto platforma.

“Nuk mund të marrim qind për qind siguri derisa flasim për botën e digjitalizuar, format e mundësive të manovrimit të cilat mund të bëhen, vetë platformat nganjëherë mund të mashtrohen nga revistat e caktuara por gjithsesi janë shumë më të kontrolluara dhe shumë më të mira se sa që kanë qenë në të kaluarën ku ka pas mundësi në të gjitha platformat të publikohen”, tha Bytyqi.

Ndërkohë, nëse MASHT e ka shkelur Statutin e UP-së me rastin e përcaktimit të platformave për avancim, ministri Bytyqi thotë se nuk e konsideron një gjë të tillë shkelje ligjore.

Sipas Statutit të Universitetit të Prishtinës, Neni 6, Universiteti është institucion publik autonom i arsimit të lartë, që zhvillon arsimim akademik, kërkime shkencore, krijimtari artistike, këshillime profesionale dhe fusha të tjera të veprimtarive akademike.

Ndërsa, sipas Statutit, Neni 10, “Universiteti gëzon autonominë dhe lirinë e mësimdhënies akademike, të kërkimeve shkencore si dhe të krijimtarisë artistike brenda veprimtarisë së tij. Mjediset e Universitetit gëzojnë të drejtën e paprekshmërisë, përveç rasteve të përcaktuara ndryshe me ligje të veçanta”.

Edhe prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, Faton Berisha, thotë se kriteret për avancim të stafit akademik të përcaktuara me rregulloren e re të UP-së, kanë për qëllim rritjen e nivelit të punimeve shkencore të profesorëve të UP-së.

Mirëpo, adaptimi i kritereve të Udhëzimit Administrativ të nxjerrë nga MASHT-i, që revistat shkencore të cilat do të vlejnë për avancim të stafit akademik të mos jenë në gjuhën shqipe dhe të botohen jashtë Kosovës dhe rajonit, Berisha ka thënë se është bërë pasi sipas tij, është vështirë të jetë një revistë kredibile dhe e cituar ndërkombëtarisht nëse botohet vetëm në gjuhën shqipe.

“Universiteti i Prishtinës në atë moment kishte një sistem në bazë të cilit edhe e kishin hartuar një UA zyrtarët e MASHT-it, kështu që UP në vend se në atë moment të merret me çështje legale është apo nuk është ndërhyrje thamë, meqë tanimë po punojmë sipas një sistemi të ngjashëm, fakti që kjo po ngritët në një nivel ndërkombëtar edhe për universitete tjera, shkon edhe në favor të UP-së. UA efektivisht diçka e ka lëshuar pak më poshtë pragun që e kishte rekomandimi i moçëm i senatit, megjithatë mendoj se e ruan frymën e rregullores së Senatit”.

Se platformat e përcaktuara me Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit, nuk janë plotësisht të besueshme dhe kredibile, e thonë edhe përfaqësues të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim ORCA, organizatë kjo e cila e monitoron procesin e avancimit në UP dhe pjesëmarrëse në grupin punues të krijuar nga MASHT-i për plotësim-ndryshimin e këtij UA.

Gramos Buqinca nga kjo organizatë, thotë për Radio Kosovën se hartimi i këtij UA ka rezultuar efektiv deri në një masë, por se sipas tij, edhe në këto platforma mund të ketë revista mashtruese.

“Kjo ka rezultuar efektive deri në një masë kur janë shfaqë disa problematika të reja të tipit që databazat përveç këtyre dy databazave të para, databazat e tjera janë jo-konsistente dhe janë jo-kredibile për aq sa janë këto dy të parat. Kemi po ashtu edhe në këto dy databazat e para nuk janë pa gabime, do me thënë revistat mashtruese janë bajagi të mira që me e paraqitë para databazave vetën  e tyre si të mirëfilltë, në kuptimin bëjnë mashtrime të ndryshme, tregojnë një proces të recensionimit të paqenë duke e dëshmuar me mashtrim me paraqitje të të dhënave joreale para databazave indeksuese dhe rrjedhimisht këto databaza indeksuese duhet një mekanizëm tjetër i cili i shikon revistat edhe pse janë në këto databaza”, tha ai.

Se në këto platforma të përcaktuara me UA mund të ketë edhe revista pa kredibilitet të mirëfilltë shkencor, e thotë edhe njohësi i çështjeve arsimore, Dukagjin Pupovci.

“Aty janë disa platforma që vërtetë kanë njëfarë reputacioni ndërkombëtarë siç është “Ueb of since” dhe “Skopus” por janë edhe disa tjera që më tepër ju shërbejnë njerëzve sa për ta arsyetuar plotësimin e kritereve se sa që janë vërtetë platforma kredibile. Në fakt këto platforma janë të përzgjedhura nga MASHT-i sepse i ka identifikuar me anë të një UA i cili mendoj se ka mangësi në këtë drejtim sepse ka shkuar shumë gjerë sepse i ka lejuar edhe disa platforma që apriori nuk garantojnë cilësi”, tha Pupovci.

Mirëpo, sipas Pupovcit, njëra nga mënyrat për të garantuar punime cilësore është forcimi i kritereve nga Komisionet vlerësuese të departamenteve brenda UP-së.

E përditshmja britanike, “The Guardian”, në një shkrim autorial të John Tennant, shkruan se institucionet më të avancuara botërore sa i përket hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore, tani më kanë filluar t’i bojkotojnë platformat e tilla. “Tani vonë institutet kërkimore suedeze dhe gjermane kanë deklaruar se do të anulojnë parapagimet në “Elsevier” për shkak të shqetësimit, për qëndrueshmëri, çmime të padrejta të marrëveshjeve dhe përgjithësisht mungesë të vlerave”, shkruan Tennant.

Kurse, kërkesë të ngjashme në mbledhjen e fundit të Senatit të UP-së për muajin tetotr, ku edhe u vendos për disa avancime akademike, dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku, kërkoi që rregullorja e UP-së e cila i përcakton këto platforma të ndryshohet.

Ai kërkoi që të fillohen punimet për krijimin e një rregulloreje të re për avancimet e stafit akademik sepse sipas tij, kjo që është në fuqi po shkakton probleme.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.