Gratë të Pakënaqura me Ndarjen e Buxhetit 2013

Në letrën dërguar anëtarëve të parlamentit të Kosovës, RrGGK thotë se nuk pajtohet me mënyrat sesi përfaqësuesit e zgjedhur kanë vendosur t’i shpenzojnë paratë e tatimpaguesve kosovarë. “Besojmë se ky buxhet nuk pasqyron interesat kryesore të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në letrën, e cila iu është shpërndarë dhe medieve.

Sipas Rrjetit, planifikimi buxhetor ne vitin 2013 përkundër premtimeve nuk ka mundësi të ndajë mjete të mjaftueshme, të cilat do të ndikojnë në mirëqenien e femrave në përgjithësi.

“Me buxhetin e ndarë për Agjencinë për Barazi Gjinore, gjithsej 185 770 euro, kjo shumë nuk ka mundësi të mbulojë as për se afërmi nevojat e kësaj agjencie për programet e planifikuara e që gjithsesi do të ketë ndikim në mundësinë e kësaj Agjencie për të siguruar se barazia gjinore është bërë pjesë kyç e zhvillimit e të gjitha niveleve në Kosovë, në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore”.

RrGGK shpreh shqetësimin e thellë që shpenzimet kapitale përbëjnë 41 për qind të buxhetit qendror të Kosovës. “A na duhen edhe më shumë ndërtesa qeveritare? Çka përfiton një qytetar i Kosovës nga Shtëpia e Bardhë prej 1 milion eurove për Presidencën?  Pos kësaj, jemi të tmerruara për shkak se më shumë se 22% e buxhetit tonë janë nda për rrugë (267 700 000 euro). A janë rrugët më të rëndësishme se mirëqenia e Kosovarëve?”, theksohet më tutje, në letrën e hapur.