Folklori Inspiron Drejtuesit e Frontit…

Edhe Fronti Demokratik për Bashkim Kombëtar po synon pjesëmarrjen në parlamentin e Kosovës. Para dhjetë vitesh UNMIK-u kishte vlerësuar se ky subjekt kishte nën ombrellë një organizatë terroriste. Por, drejtuesit e Frontit.... thonë se e kanë mbyllur Armatën Kombëtare Shqiptare dhe tash po synojnë që të punojnë për bashkimin e trojeve shqiptare në parlamentin kosovar. Ata thonë se për ta kërkuar këtë “të drejtë” janë inspiruar nga folklori.

Themeluesit e Armatës Kombëtare Shqiptare po bëhen gati të jenë pjesë e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Ata në nëntor të vitit të kaluar kanë marrë miratimin e Komisionit Qendror Zgjedhor që të veprojnë si parti politike.

Subjekti quhet Fronti Demokratik për Bashkim Kombëtar (FDBK) dhe ishte regjistruar më 21 nëntor të vitit 2012.

“Partia politike Fronti Demokratik për Bashkim Kombëtar-FDBK i përmbush të gjitha kriteret e përcaktuara”, thotë Miradije Mavriqi, drejtuese e Zyrës për Licencimin e Subjekteve Politike në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Pranimin e saj KQZ-ja e bazon në nenin 12 të rregullores së saj për regjistrimin e partive politike.

Ky nen përcakton procedura administrative si emri e adresa dhe po ashtu kërkon që subjekti duhet të ketë mbi 500 anëtarë dhe të zotohet se do të respektojë Kodin e Mirësjelljes për Partitë Politike.

KQZ-ja nuk dha shpjegim nëse subjekteve duhet t’i verifikohet historiku i tyre.

Dhjetë vjet më parë një organizatë e themeluar nga drejtues të FDBK-së ishte vlerësuar si terroriste.

Shefi i atëhershëm UNMIK-ut, Michael Steiner, në prill të vitit 2003 kishte nxjerrë një akt administrativ.

“AKSH-ja është organizatë terroriste” , kishte konstatuar UNMIK-u, administruesi i Kosovës deri në vitin 2008. Bazë për këtë vendim kishin qenë e-mailat e lëshuar në emër të AKSH-së.

Vendimi kishte ardhur pasi që AKSH-ja kishte marrë përsipër shkatërrimin e urës hekurudhore në Zveçan më 12 prill të vitit 2003.

“Pjesëmarrja në AKSH, përbën krim të rëndë”, thuhej në vendimin e nxjerrë nga UNMIK-u.

EULEX-i nuk e ka komentuar  vendimin e mëhershëm të UNMIK-ut për AKSH-në. Po ashtu nuk ka dhënë një përgjigje nëse regjistrimi si parti politike i subjektit themelues të AKSH-së përben rrezik sigurie në vend.

Synimet e Frontit…dalin nga folklori

Gazeta Jeta në Kosovë intervistoi Hysni Elshanin, kryetar për Kosovë i Frontit…, dhe Enver Grudën, nënkryetar i këtij subjekti.

 
Enver Grudaj | Foto: Korab Basha  

Drejtuesit e Frontit…që kërkojnë bashkim të trojeve shqiptare pohojnë se për ta kërkuar këtë “të drejtë” janë inspiruar nga këngët e folklorit.

“Këto këngë kanë qenë dhe janë inspirim për neve, dhe tregon se si duhet të sillemi me vendet e rajonit” thotë Gruda posa Elshani mbaron së cituari vargjet e një kënge për Azem Bejtën e cila sipas tij thotë: “Azem vëlla t’kam pas thanë, besë me shkjaun ma nuk ka, atë ditë kur kem tu e fal Bajramin, na vranë Shabanin dhe Ramadanin…”.

Elshani pohon se kur të bëhet Shqipëria e madhe askush nuk do të guxojë t’i pushtojë më shqiptarët.

“Kur të bëhet Shqipëria e madhe atëherë edhe do na kenë friken. Por, edhe do të na shihnin si të barabartë”, thotë Elshani.
 
Ai thotë se qëllimi kryesor i këtij subjekti është bashkimi me Shqipërinë. FDBK-ja operon edhe në Shqipëri ku Gafurr Adili është kryetar.

Drejtuesit e Frontit… thonë  se ndihen të sigurt që populli i Kosovës do t’i votojë në zgjedhjet që do të mbahen. Plani i tyre është që kur të hyjnë në parlament të kërkojnë mbajtjen e një referendumi ku populli do të vendoste nëse do të donte të bashkohej.
 
“Populli e dëshiron këtë, edhe ata në Shqipëri, edhe ne në Kosovë e dëshirojmë një bashkim Kombëtar”, thotë Grudaj.

Ndërkohë, për sa i përket vendimit të UNMIK-ut që e vlerësoi AKSH-në si organizatë terroriste,  kryetari i FDBK-së për Kosovë thotë se ajo ishte një akuzë e pabazë e cila u demantua nga vetë pranimi i partisë nga KQZ-ja.

Elshani thotë se AKSH-ja tashmë ka shuar veprimtarinë.

“Kjo strukturë (AKSH ) është shuar së vepruari edhe në Kosovë edhe në Shqipëri”, thotë Elshani.

Por, ai nuk e përjashton mundësinë e mobilizimit të njerëzve të AKSH-së.

“Nëse një ditë do të kërkohet nevoja për me mbrojt sigurinë e trojeve shqiptare edhe populli por edhe ish anëtarët e AKSH-së do t’i dilnin në mbrojtje vendit”, thotë Elshani.

AKSH-ja 

Fillimisht ishte Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptarë që u themelua në vitin 2002. Subjekt Ushtarak i saj ishte Armata Kombëtare Shqiptare.

Bazuar në uebfaqën e këtij subjekti http://fbksh.cabanova.com AKSH-ja ka dy divizione.

Divizioni “Adem Jashari” –  përfshinte Kosovën, apo UNMIKISTANIN siç thuhet në shënimet e Frontit.. ,  si dhe Toplicën e Sanxhakun. Ndërkaq divizioni “Tahir Sinani”, përfshin “Luginën e Vardarit apo Iliridën”.  Adem Jashari figuron se është komandant nderi i AKSH-së.

Kjo organizatë u vlerësua si terroriste nga UNMIK-u menjëherë pasi kishte marrë përgjegjësinë për një sulm në Zveçan në vitin 2003, me komunikatë.

Ndërkohë FBKSH-ja ndryshoi akronimin më 28 nëntor të vitit 2009. Prej asaj kohe është quajtur Fronti Demokratik për Bashkim Kombëtar.

“Nëse një ditë do të kërkohet nevoja për me mbrojt sigurinë e trojeve shqiptare edhe populli por edhe ish anëtarët e AKSH-së do t’i dilnin në mbrojtje vendit” Hysni Elshani.

Kryetar i Frontit… ka vazhduar të jetë Gafurr Adili i cili njëkohësisht ishte edhe komandant suprem i AKSH-së.

Ndryshimi i akronimit do të thoshte sipas Adilit kishte kuptimin e kalimit nga një formacion politiko-ushtarak në një formacion politiko-demokratik.

AKSH-ja ishte mbyllur përkohësisht në bazë të shënimeve në uebfaqën e FDBK-së.

Por, në prill të vitit të kaluar në uebfaqën e këtij subjekti u publikua një paralajmërim i Gafurr Adilit dërguar OKB-së, SHBA-së e NATO-së.

Ai paralajmëronte mundësinë e ri-aktivizimit të AKSH-së  pas rastit të vrasjes së Selver Haradinajt, një shqiptari që banonte në veri të Mitrovicës.

Adili kërkonte nga fuqitë botërore që të ndërhynin në mënyrë që të mos bëhen padrejtësi ndaj shqiptarëve.

Pozita e disfavorshme e shqiptarëve sipas tij ka bërë që të mendohet ri-aktivizimi i AKSH-së.

“… Prandaj, edhe jeni shumë të lutur që, të ndërhyni sa nuk është bërë tepër vonë, me gjithë fuqinë e ligjit dhe edhe të forcës tuaj, të sanksionuar në të drejtën pozitive ndërkombëtare, dhe duke organizuar Konferencën Ballkanike, të parandalojmë Luftën e Re Ballkanike”, thuhej në paralajmërimin e njeriut të nënshkruar si ish-komandant suprem i AKSH-së.

Përkundër deklarimit zyrtar se AKSH-ja është shuar përkohësisht, pjesëtarë të maskuar u shfaqën në një video të publikuar nga KTV-ja dhe thoshin se janë pjesë e njësisë elite Kobra të Armatës Kombëtare Shqiptare. 

Videoja u publikua pas largimit nga autoritetet serbe të lapidarit të UÇPMB-së, në muajin janar, i cili ishte vendosur në Preshevë.

Kryetari i FDBK-së thotë se nuk kanë dijeni se kush janë njerëzit që shfaqën në emër të AKSH-së.

 

ETIKETA

25 Shkurt 2013 - 00:09

Kaltrina Rexhepi 25/02/2013 - 00:09
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Folklori Inspiron Drejtuesit e Frontit...

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend