Dekani, Anëtar i PDK-së, Rrëfen Emërimin e Lumnije Thaçit Prodekane

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike në Universitetin e Mitrovicës, Hakif Zeqiri, e pranoi se ka qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës por që sipas tij kjo nuk ka pasur asnjë ndikim në emërimin e Zonjës së Parë të Kosovës, Lumnije Thaçi, në pozitën e prodekanes.

Ai madje ka shkuar aq larg sa ka thënë se e ka lutur gruan e presidentit të marrë këtë pozitë pasi nuk kishte kush ta merrte.

Lumnije Thaçi, bashkëshortja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, u zgjodh prodekane për financa me propozimin e dekanit, Hakif Zeqiri.

Zeqiri ka rrëfyer për KALLXO.com procesin e përzgjedhjes së Thaçit si bashkëpunëtore të tij brenda Fakultetit, proces ky i cili sipas tij është në kompetencë të plotë të dekanit.

“Është kompetencë e dekanit t’i zgjedhë bashkëpunëtorët e vet. Në fillim nuk kam mundur t’i zgjedh sepse kam pasur mungesë të stafit. Pas një viti pune kam ftuar zonjën Thaçi në zyrë dhe i kam ofruar vendin e punës. Ka thënë për momentin nuk mundem. I kam thënë mendo.. Nuk kam kënd tjetër ta vendos”, tha Zeqiri.

Ai po ashtu bëri të ditur se ka qenë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila më parë udhëhiqej nga tani presidenti, Hashim Thaçi, mirëpo sipas tij në asnjë procedurë të përzgjedhjes nuk ka pasur ndikime nga politika apo të tjera.

Për dekanin që është anëtar i partisë së që drejtohej nga Thaçi, Zonja e Parë nuk duhet të diskriminohet.

”Unë jam profesor dhe duhet ta them atë çfarë është. Kam qenë anëtar i Partisë Demokratike dhe jam anëtar i Partisë Demokratike por ndikim nuk ka pasur. Tash unë jam dekan dhe aktivitetet politike i kam të ndërprera, nuk guxoj të jem edhe udhëheqës dhe të merrem me politikë por unë me kënaqësinë më të madhe merrem me politikë”, tha Zeqiri.

KALLXO.com ka folur edhe me vetë profesoreshën Thaçi, e cila duke mos dashur të flasë para kamerës po ashtu theksoi se fakti që është Zonja e Parë nuk ka ndikuar në asnjë proces të avancimit të saj në karrierë.

Disa studentë që ndjekin ligjëratat e Thaçit e vlerësuan lartë atë si mësimdhënëse dhe reaguan ndaj një aksioni protestues që ishte mbajtur ditë më parë kundër emërimit të saj si prodekane dhe që sipas tyre nuk kanë qenë të organizuara nga studentë të atij fakulteti.

Studenti Florian Salihu ka fjalë të mira për ligjëratat e Thaçit në lëndët ekonomike.

“Ne si studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Ekonomike jemi të kënaqur sa i përket ligjëratave dhe ligjërimit të profesoreshës Lumnije Thaçi”, tha ai.

Lorika Kodraliu, një tjetër studente, konsideron se politika nuk duhet të përzihet në universitet në asnjë formë.

“Përveç faktit se jemi në një institucion arsimor apolitik nuk besoj që ka vend për politizime… Ne e dimë që është Zonja e Parë dhe është bashkëshortja e presidentit të Kosovës nuk do të thotë atë ta bëjmë më të veçuar se të tjerët. Unë do të kisha vlerësuar si një profesoreshë shumë të përkushtuar në punë”, tha Kodraliu.

Në anën tjetër, studenti Lavdim Hyseni, protestën e së shtunës e cilësoi politike.

Arrestohen 7 Studentë Protestuan Kundër Prodekanes Lumnije Thaçi

“Nuk i përkrahim ato protesta  që janë bërë kundër profesoreshës Lumnije Thaçi sepse për shkak se këta studentë nuk i përkasin Fakultetit tonë, ajo protestë ka mundur të jetë edhe politike”, tha Hyseni.

Lumnije Thaçi  në vitin 2016 mori titullin Doktor Shkence në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Ekonomisë.

06 Mars 2018 - 21:11

Doruntina Baliu 06/03/2018 - 21:11
NDËRVEPRIMI55
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend