Ministri i PDK-së: Falë punësimit të Lumnije Thaçit një drejtim në Mitrovicë është aktiv

Ministri në Detyrë i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala i ka dal në ndihmë bashkëshortes së presidentit Hashim Thaçi, Lumnie Thaçi, që është prodekane në Universitetin e Mitrovicës.

Muzafer Shala tha se punësimi i saj në këtë universitet ka rezultuar me mos-mbylljen e një programi në këtë fakultet.

“Tu ua jap një informatë për Lumen. Ka qenë programi i Inxhinierisë Ekonomike, që ka qenë para mbylljes. Nëse s’ke mjaftueshëm doktor shkencë mundet me t’u mbyllë programi. Kur është pranu ajo në punë, një program është aktiv falë punësimit të saj”, tha Muzafer Shala në #DebatPernime.

Lumnije Thaçi ishte zgjedhur prodekane në Universitetin e Mitrovicës në mars të vitit 2018.

“Ka qenë kërkesë e dekanit pasi ka qenë vakante kjo pozitë për shkak të numrit të studentëve të shumtë. Kam qenë e detyruar, jo me pëlqimin tim, nuk e kam marrë me pëlqimin tim për shkak të angazhimit shumë të madh që e kemi me ligjërata mirëpo e kam parë të arsyeshme, pasi jam pjesë e stafit të jem e angazhuar edhe në këtë drejtim”, kishte thënë Lumnije Thaçi për KALLXO.com pas punësimit si prodekane.

EKSKLUZIVE: Lumnije Thaçi Flet për Emërimin e Saj si Prodekane

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Shyqiri Bytyqi dhe Besa Luzha nga koalicioni AAK-PSD, Xhavit Rexhaj dhe Faton Peci nga LDK, Yll Rugova dhe Venera Llunji nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Gashi e Muzafer Shala nga PDK dhe Rexho Kojiq e Anesa Çollakoviq, NDS (Nova Demokratska Stranka/Partia e re Demokratike).

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.