Klandestinët shqiptarë strehohen në tenda gjatë natës në Zierbena, Spanjë | Foto nga : Elvis Nabolli

Brenda Kampit të Shqiptarëve në Bilbao, Shtegu i Pasëm i Klandestinëve Drejt Britanisë së Madhe

Dhjetëra të rinj nga Shqipëria qëndrojnë prej muajsh në kushte çnjerëzore në rrethinat e fshatit Zierbena në Spanjë, në përpjekje për t’u kontrabanduar në Britaninë e Madhe. Ndërsa bllokohen çdo ditë nga forcat e shtrënguara të policisë, shpresat e tyre vazhdojnë të mbahen gjallë nga trafikantët e qënieve njerëzore.

Nën strehën e një qendre peshkimi në krah të portit të Zierbenas, një fshat 20 kilometra larg Bilbaos në veri të Spanjës, rreth njëzet djem të rinj nga Shqipëria janë mbledhur përqark zjarrit për t’i mbijetuar temperaturave nën zero të natës dhe rrymave brisk të ftohta që fryjnë nga oqeani Atlantik.

Në rrugën ngjitur, grupe më të vogla djemsh bëjnë ecejake në mes të errësirës.

“A keni zënë çadër? Do bëjmë si do bëjmë, por nuk ju lëmë të rrini jashtë,” u thërret  me të madhe një djalosh i ri energjik, që udhëheq bisedën rreth zjarrit me theksin e tij shkodran.

Ai quhet Mondi, është 26 vjeç dhe po përpiqet dëshpërimisht që të kontrabandojë veten në Britaninë e Madhe.

Mondi qëndron prej një muaji e gjysmë në kampin e improvizuar të fshatit spanjoll të Zierbenës dhe i kalon ditët mes mësymjeve në port dhe çadrës së tij ngjyrë blu, të shtruar me disa batanije që kutërbojnë erë këmbësh. E vendosur rrëzë kodrës, vetëm pak metra larg rrethimit të portit, çadra strehon çdo natë brenda saj deri në katër djem të rreshtuar si sardelet.

“Kam gjithçka gati atje, vetëm të shkoj,” thotë 26-vjeçari, i gatshëm të bëjë gjithçka për të mos u kthyer në fshatin e tij “të pashpresë” në zonën e Nënshkodrës. “E di se një ditë do të hyj në Angli, por ju them me sinqeritet se nuk i imagjinoja gjithë këto vuajtje…,” shton ai.

Dhjetra çadra  të ngjashme që dallojnë vetëm nga ngjyrat janë të shpërndara rrëzë kodrës së Zierbenas. Prej aty, djemtë vëzhgojnë çdo natë kamionët e tonazhit të rëndë që parkohen në pritje të imarkimit në port dhe thurrin plane se si mund të hyjnë vjedhurazi në njërin prej tyre, pa u kapur nga policia.

Fshati Zierbena strehon një pjesë të portit të Bilbaos-i cili shtrihet në formë harku në gjirin e Biskajës. Prej mëse një viti, porti është identifikuar si shteg i ri për emigrantët që synojnë të kalojnë ilegalisht në Britaninë e Madhe.

BIRN verifikoi në fund të nëntorit se rreth 100 djem  të moshave 20 deri në 30 vjeç qëndronin në rrethinat e portit prej javësh në kushte të vështira dhe të përkeqësuara nga ftohja e motit. Shqiptarët përbëjnë grupin më të madh mes tyre dhe sipas një punonjësi të Autoritetit të Portit të Bilbaos, numri i tyre kishte qenë edhe më i lartë gjatë verës dhe vjeshtës 2017.

Intervistat e realizuara nga BIRN me një duzinë djemsh nga Shqipëria tregojnë se arsyet që i shtynë të largohen nga vendlindja janë mungesa e punës dhe kushteve ekonomike për të siguruar të ardhmen.  Ata ushqejnë shpresa të larta për Britaninë, e cila duket vetëm një udhëtim larg nga porti i Spanjës veriore.

Tragetet e kompanisë Brittany Ferries-të cilat lundojnë tre herë në javë në drejtim të porteve britanike të Portsmuthit dhe Polit janë targeti i tyre. Megjithatë, ngjitja ilegale në ndonjërin prej tyre duket një mision i pamundur.

Shtigje të reja klandestinësh 

Fshati me popullsi baske i Zierbenës nisi të gjallërohej pasi autoritetet franceze vendosën të mbyllnin kampin xhungël të Calaisit në Francë si dhe të shtrëngonin masat e sigurisë në Kanalin e La Manshit. Banorët i mikpritën shqiptarët, duke u ofruar ushqim të ngrohtë shtëpie dhe çadra për të kaluar natën.

Pas kësaj, dhjetra të tjerë e devijuan rrugëtimin e tyre drejt jugut në Spanjë. Ndërkohë, prani e lartë e shqiptarëve raportohet edhe në portet e Holandës në veri të Europës.

Autoritetet britanike janë të mësuar me numrin e lartë të shqiptarëve që tentojnë të thyejnë sigurinë e kufijve të tyre-dyfish më shumë se çdo kombësi tjetër sipas The Guardian.

Megjithatë, një zëdhënëse e ambasadës britanike në Tiranë i tha BIRN se rrugët që ata ndjekin janë “shqetësuese” dhe fajësoi për këtë grupet kriminale që qëndrojnë pas rrjeteve të trafikimit.

“Ne kemi qenë në dijeni për një kohë të gjatë tashmë mbi grupet kriminale që ofrohen të lehtësojnë hyrjen e paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar,” deklaroi ambasada britanike.

“Çdo vit shumë persona të pafajshëm humbasin jetën për shkak se u besojnë trafikantëve, qëllimi i vetëm i të cilëve është të fitojnë para, pa marrë parasysh sigurinë e personave që trafikohen,” shtoi ajo.

BIRN verifikoi praninë e rrjeteve që lehtësojnë kontrabandimin si në kampingun e Zierbenës, ashtu edhe përmes të dhënave që ofrojnë autoritetet zyrtare.

Por ndërsa emigrantët potencialë në Spanjë shohin si rrugë të vetme të kalimit rimorkiot e kamionëve, statistikat e autoriteteve britanike tregojnë se shqiptarët e ndaluar në anën tjetër të kufirit kishin hyrë aty përmes dokumenteve të falsifikuara.

Sipas ambasadës britanike në Tiranë, rreth 670 shqiptarë u ndaluan gjatë viteve 2016-2017 në pikat hyrëse të Britanisë, pasi ishin kapur me dokumente të falsifikuara. Një fenomen i ngjashëm-që tregon ekzistencën e grupeve të organizuara të trafikimit, është vënë re edhe në shtegun e ri të Bilbaos.

“23 shtetas shqiptarë janë ndaluar në tre muajt e fundit të 2017-s në përpjekje për të mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet trageteve që nisen nga Bilbao, duke përdorur dokumente të falsifikuara,” tha zëdhënësja e ambasadës britanike në Tiranë.

Vala në rritje e emigrantëve ka vënë në vështirësi autoritetet e portit të Bilbaos, shoferët e kamionëve si dhe kompaninë që menaxhon udhëtimet nga portet spanjolle drejt atyre britanike.

Një punonjës i sigurisë në port i tha BIRN në kushtet e anonimatit se sulmet e përditshme ndaj rrethimit e kanë devijuar plotësisht misionin e tyre.

“Shqiptarët tentojnë të futen çdo natë në port ndërsa autoriteti duhet të kontrollojë në çdo moment për të mos i lejuar ata që të kalojnë në drejtim të Anglisë,” tha ai. “Historia mes shqiptarëve dhe rojeve në port nuk mbaron kurrë,” shtoi punonjësi i sigurisë.

Numri i lartë i shqiptarëve në rrethinat e portit e ka detyruar palën tjetër që të shtojë masat e sigurisë. Forcat e policisë lokale dhe ato të Gardës Civile janë dislokuar aty, bashkë me një ekip të policisë kufitare britanike për t’i bërë ballë situatës së krijuar.

Kompania Brittany Ferries, e cila operon udhëtimet me traget nga portet britanike ka rinovuar gjithashtu masat e sigurisë për të penguar klandestinët që të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Përmes një njoftimi në faqen e vet zyrtare, ajo u bën thirrje shoferëve të kamionëve që të tregojnë vullnet dhe vigjilencë për të mos lejuar klandestinët që të ngjiten në bordet e tyre.

“Çdo informacion që shoferët mund të sigurojnë mbi aktivitetin potencial të pasagjerëve klandestinë do të na ndihmonte ne që t’i mbajmë portet e sigurta, për të mirën e përbashkët,” thuhet në njoftimin e Brittany Ferries.

Një mur betoni po avancon me shpejtësi për të zëvendësuar rrethimin poroz të portit. Megjithatë, masat e marra nuk i kanë dekurajuar ëndrrat e dhjetra shqiptarëve për të kaluar ilegalisht në Britani.

Emigrantë të paligjshëm që flenë jashtë pranë portit në Zierbena | Foto nga : Elvis Nabolli

Beteja e përnatshme me policinë

Në kampin e shqiptarëve në Zierbena, lëvizjet shpeshtohen pas mesnatës. Disa prej djemve bëjnë gati çantat e vogla të shpinës, ndërsa të tjerët fillojnë të zbresin kodrën me duart në xhepa.

“Nesër në drekë niset një traget, prandaj ka kaq lëvizje,“ sqaron Mondi.

Në orën 2 të mëngjesit të 27 Nëntorit 2017, grupe të vogla me 2-3 djem i afrohen rrethimit me kangjella hekuri gati 3 metra të lartë  të portit, pas ecjeve të sforcuara në mes të pemëve dhe dritës së dobët që vjen prej prozhektorëve të portit.  Ata kalojnë rrethimin e parë pa vështirësi, por për të mbërritur te rimorkiot e kamionëve u duhet të kalojnë edhe dy pengesa të tjera më të vështira.

Në hapësirën e ndriçuar të portit, djemtë vrapojnë sërish në grupe të vogla. Kamionë të tonazhit të rëndë lëvizin gjithashtu me shpejtësi në të njëjtën hapësirë me ta, por të dyja palët duken indiferentë ndaj njëri-tjetrit.

Në më pak se 30 minuta numërojmë rreth 25 persona që tentojnë të fshihen nëpër kamionë. Por nuk kalon as një orë dhe te porta shfaqet një grup i madh djemsh, të shtyrë jashtë rrethimit nga dy makina policie. Na thonë që asnjëri prej tyre nuk ka mundur që të fshihet.

Një 15-vjeçar nga Tropoja, i cili e prezanton veten si Indriti i tha BIRN se e kishin diktuar teksa po hynte fshehurazi në njërin prej kamionëve të përgatitur për imbarkim.

“Do të futem prapë. Aty me kanë çdo ditë derisa të iki,“ thotë ai i inatosur me forcat e sigurisë së portit.

Vetëm pak minuta pasi u ndaluan nga policia, një grup i dytë djemsh zgjedh një drejtim të ndryshëm për të provuar sërish. Ata i devijojnë përpjekjet nga ana e majtë e portit dhe fillojnë të kacavirren për së dyti nëpër hekura.

Legjislacioni spanjoll është bujar me emigrantët shqiptarë, të cilët po tentojnë të hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe. Ata nuk pengohen të qëndrojnë në rrethinat e portit dhe as nuk deportohen pasi bllokohen nga policia në hapësirat e tij.

Kjo ka krijuar efektin e karuselit, ndërkohë që loja si e maces me miun mes klandestinëve dhe policisë përsëritet vazhdimisht gjatë 24 orëve.

Mondi i tha BIRN se ai vetë përpiqet disa herë në ditë dhe i ka ndodhur që të kapet edhe tetë herë brenda 24 orëve.

“Na është kthyer në fiksim, në një lloj vesi. Kaq shumë që e mendoj hyrjen atje, saqë një ditë ndërsa bleva disa gjëra për të ngrënë përfundova tek rrethimi i portit, në vend që të shkoja në çadër,“ thotë ai duke buzëqeshur.

Kalimi i rrethimit të portit nuk është e vetmja pengesë për emigrantët. Zgjedhja e kamionit është gjithashtu me rëndësi të madhe. Djemtë i quajnë “kamionë të bukur” ata që janë mbushur plot me kuti ushqimesh, ndërsa në ngarkesa me hekur apo produkte të tjera industriale, shanset sipas tyre janë disa herë më të vogla.

Paraditja e 28 Nëntorit i gjen emigrantët të pozicionuar sërish në kodër, duke vëzhguar lëvizjet pranë tragetit që po bëhet gati të nisë lundrimin. Disa prej tyre po bëjnë përpjekjet e tyre të fundit. Loja e nervave mes tyre dhe policisë përsëritet me të njëjtin skenar si një natë më parë. Por forcat e sigurisë kanë këtë herë aleat edhe ndriçimin.

Në orën 14:00, trageti i Brittany Ferries ngre spirancën dhe niset drejt Portsmuthit. Asnjë prej djemve nga Shqipëria nuk ia ka dalë të fshihet në “barkun” e tij.

Rrjetet e trafikut

“Nëse doni të ikni mund t’ju gjejmë dikë për djegie,” na thotë një 25-vjeçar me theks verior, pasi zbret nga një makinë ku e presin dy djem të tjerë. Ai e prezanton veten si ndërmjetës dhe hamendëson se sapo ka gjetur gjah për rrjetin e kontrabandimit të qënieve njerëzore.

25-vjeçari shpjegon se “djegia” është një manovër për t’ia hedhur sigurisë së shtrënguar të portit dhe në rast se rezulton e suksesshme kushton 4-5 mijë euro për person. Pasi biem dakord të negociojmë, i riu na përcjell tek një person i dytë i cili nis të shpjegojë skemën ndërsa dredh një cigare me duhan të ngrirë.

Porti i Zierbenas, afër Bilbaos në Spanjë | Foto nga | Elvis Nabolli

“Ju do të hyni në kamion bashkë me dy ose tre persona të tjerë, që do ju fshehin mirë nëpër kuti.  Ata vetë do të qëndrojnë në vende të dukshme mes ngarkesave. Në momentin që bëhet kontrolli në kamion, gjejnë ata të tre,” thotë ai.  Me trup të gjatë, tipare të pashme dhe dialekt dibran, edhe ai e quan veten “palë e tretë”.

Një nga vështirësitë e planit janë aparaturat e matjes së gazit karbonik, me të cilat janë të pajisura forcat e sigurisë së portit. Por “ndërmjetësi” garaton se ato e kanë të pamundur të diktojnë se sa persona kanë qenë në kamion.

Çmimi për trafikantët e qënieve njerëzore varion në varësi të garancisë. Kostoja është më e ulët nëse gjysmën e punës e bën vetë, ndërsa shuma e parave rritet nëse e gjithë skema realizohet nga vetë rrjeti.

“…gjithçka e përgatisin ata. Ju hyni direkt në karroceri kur t‘ju thonë. Në momentin që ju të keni zbritur nga kamioni dhe keni fjetur një natë në Angli, atëherë i duhen dhënë lekët atyre çunave,” shton ai.

Kontrabandimi i qënieve njerëzore është një biznes që gjeneron të ardhura marramendëse si për drejtuesit e rrjeteve kriminale ashtu edhe për ndihmësit e tyre të shumtë.

Një ish-ushtar i tyre në Londër, Astriti, i tha BIRN se kishte punuar për disa vite si shofer furgoni për klandestinët që mbërrinin në Britaninë e Madhe me kamionët e tonazhit të rëndë dhe paguhej 300 euro për person.

Astriti nuk e konsideron si krim punën e tij, ndërsa e përshkruan atë si një ndër aktivitetet e zonës gri që shqiptarët bëjnë në Londër.

“I merrja sapo zbrisnin nga kamioni pasi kalonin Kanalin dhe i dorëzoja te familjarët e tyre në një parking në Ilford të Londrës,” shpjegon ai.

Astriti thotë se transportonte zakonisht 4 deri në 5 klandestinë nga Shqipëria, por tregon edhe raste me 8 persona në furgon. Të gjithë ata sipas tij kishin mbërritur aty përmes një zinxhiri të organizuar në çdo hallkë.

Ai thotë se rolin kryesor e kanë shoferët e kamionëve të vendeve të Lindjes, të cilët i fusin klandestinët nëpër kutitë e ngarkesave apo në vende të improvizuara qëllimisht për ta.

“Me këta je 90 për qind i ikur. Janë të gjithë të organizuara copë për copë,” thotë Astriti. Ai shpjegon se udhëtime të tilla në hapësira të ngushta janë të rrezikshme, por jo të pamundura.

“Janë shumë ngushtë nëpër këto ndarje, por në “first class” nuk të çon kush,” shton ai.

Në borxh me trafikantët

Në qytezën e Krumës në veri të Shqipërisë, Hysniu, 67 vjeç dhe baba i gjashtë fëmijëve jeton i vetëm me gruan e sëmurë në një apartament në katin e tretë të një pallati. Katër prej fëmijëve të tij jetojnë në Londër, ndërsa dy vajzat e tjera janë të martuara.

Pothuajse çdo familje e Krumës në qarkun e Hasit ka minimumi një pjestar të saj në ishullin britanik.  Familjarët i thanë BIRN se secili prej tyre ka paguar 10 mijë deri në 12 mijë pound në llogaritë e rrjeteve të trafikut për të hyrë ilegalisht në Britani.

“Aq sa fiton një ditë në Angli, këtu nuk i merr tanë muajin,” thotë Hysniu, i cili pohon më tej se djemtë i kanë shlyer borxhet dhe u bëhen krah edhe familjarëve të tyre. “Ç’ka me ba, kështu është kjo jetë,” shton ai.

Njësoj si Hysniu, edhe bashkëmoshatari i tij, Mustafai i ka të gjithë fëmijët në Londër.

“Hasjanët janë lidhë me Londrën se parja atje është. Ku me shku Hasi tjetër përveç Londrës,” thotë i moshuari në shëtitoren kryesore të qytezës.

Por ndryshe mendon Aleksi, një 21 vjeçar nga fshatrat e Shkodrës që ndodhet prej dy vitesh në Londër. I riu ka marrë 7 mijë pound borxh për të realizuar “ëndrrën britanike”, por krahu i lirë i tij i punës nuk mjafton për t’i shlyer.

“Të paguash këtë shumë për të hyrë në Angli është gabim i madh. Puna është e rëndë, pagesa është e vogël, paragjykimet nga më të ndryshmet dhe e kam të pamundur të çoj ndonjë lek në shtëpi për të ndihmuar familjen,” i tha ai BIRN përmes telefonit.

Aleksi jeton prej dy vitesh në zonës 5 të Londrës dhe paguan 200 pound në muaj për qiranë e shtëpisë që e ndan me 5 veta të tjerë. Ai i tha BIRN se punon herë në lavazh dhe herë në ndërtim me 30-40 pound dita dhe se duart e tij janë gjithmonë të vrara nga puna e rëndë.

21-vjeçari i tha BIRN se nxitja kryesore për të ikur në Angli ishin kushtet e vështira ekonomike të familjes së tij në fshat, por edhe fotot e shokëve të tij emigrantë në Facebook, të cilët shfaqeshin të veshur bukur dhe në vende luksoze. Për të ndryshuar jetën e tij, Aleksi thotë se u lidh me një trafikant nga Lezha, i cili i kërkoi 7 mijë pound-tre prej të cilave paradhënie.

Qyteza e Krumës. Foto: Elvis Nabolli

“Lekët i mora borxh tek të afërmit, pak nga dajat e pak nga tezet. Ai kishte një listë të gjatë pritjeje dhe ne duhet vetëm të rrinim në gatishmëri,” shton ai.

Të lodhur nga pritja, Aleksi dhe dy shokë të tjerë të tij u nisën vetë fillimisht drejt Holandës dhe më pas në Calais të Francës. Ai shtoi se në xhep kishte vetëm 50 euro dhe 5 pound. Në Calais u lidh sërish me rrjetin që i premtoi udhëtimin dhe më në fund e pa veten mes kutive me perime në rimorkion frigorifer të ftohtë të një kamioni me targa bullgare.

“Kemi kaluar plot 20 orë brenda. Kur mbërritëm në Angli, kamioni ndaloi në një zonë brenda territorit të portit të Denverit. Kemi grisur paksa tendën nga padurimi dhe kur e pamë se ku jemi, zbritëm me vrap. Ecëm disa kilometra në këmbë dhe nuk kishim as lekë dhe as bateri në telefon,” tregon ai peripecitë e udhëtimit.

Prej dy vitesh në Londër, Aleksi e sheh veten të ngecur në vend dhe të trajtuar si mos më keq nga punëdhënësit shqiptarë. Ai nuk mund të kthehet pas pa paguar borxhet e kontrabandimit të tij në Britani, ndërkohë që e sheh këtë të pamundur edhe pse punon çdo ditë që i jepet mundësia.

“E them me bindje se po të isha dhe njëherë në Shqipëri dhe pa këta borxhe mbi shpinë, nuk do ta bëja këtë veprim,“ përfundon ai.

Hulumtim i marrë nga Reporter.al.

26 Janar 2018 - 22:11

Elvis Nabolli, Taulant Kopliku | BIRN | Tiranë, Krumë dhe Zierbena 26/01/2018 - 22:11
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend