Ilustrim

Bashkëpunimi i dobët lë të lirë të dyshuarit për krime lufte në Ballkan

Në prag të vendimit në vitin 2014 që e dënoi atë për krime lufte për urdhërimin e një sulmi artilerie në qytetin e Tuzlës, ku mbetën të vrarë 71 vetë, Novak Gjukiq, komandanti i kohës së luftës i grupit taktik të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u arratis në Serbi.

Gjykata shtetërore e Bosnjës e dënoi Gjukiqin me 20 vjet burg, por ai ende jeton i lirë në Serbi, ku autoritetet deri tani nuk kanë rënë dakord të marrin përsipër zbatimin e vendimit që e dënoi komandantin serb të Bosnjës për urdhërimin e sulmit në maj 1995.

Një urdhër arrestimi për Gjukiqin u lëshua në tetor 2014, por Gjykata e Lartë në Beograd ka shtyrë – disa herë – një seancë dëgjimore në të cilën do të diskutohej marrja përsipër e përgjegjësisë për burgosjen e tij.

Rasti i Gjukiqit është vetëm një nga rreth 40 raste në të cilat autoritetet boshnjake po kërkojnë njerëz të dyshuar ose të akuzuar për gjenocid ose krime lufte që aktualisht banojnë në Serbi ose Kroaci. Midis tyre janë ish-ministri i brendshëm serb i Bosnjës Tomislav Kovaq dhe Zlatan Mijo Jeliq, një gjeneral në pension nga forca e kroatëve të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Këshilli Kroat i Mbrojtjes.

Viktimat e luftës nga Bosnja dhe Hercegovina, si edhe kryeprokurori në Gjykatën e Hagës, Serge Brammertz, kanë kritikuar vazhdimisht vonesat e vazhdueshme në Serbi për vënien në zbatim të dënimit në rastin e Gjukiqit.

“Është padyshim një nga rastet që kemi përmendur gjatë dy viteve të fundit, që është e papranueshme që ky vendim nuk po vihet në zbatim. Është një gjykim që është dhënë në Bosnje dhe Hercegovinë, duke respektuar të gjitha procedurat dhe është në detyrën, bazuar në konventat ndërkombëtare, të Serbisë ta vërë në zbatim këtë dënim,” tha Brammertz.

“Lërini të qetë njerëzit tanë”

Ivo Josipoviq, ish president i Kroacisë. Foto: BIRN

Në vitin 2013, zyrat e prokurorëve në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi nënshkruan protokolle që bëjnë të mundur shkëmbimin e lirë të rasteve të krimeve të luftës, investigimeve dhe dokumenteve të rasteve. Pavarësisht faktit se disa çështje janë shkëmbyer dhe proceduar, shumë pak çështje kundër të dyshuarve të rangut të lartë janë transferuar me sukses në juridiksionet e vendeve fqinje.

Për më tepër, të dyshuar të shumtë nuk janë arrestuar asnjëherë dhe as nuk janë zhvilluar procedura kundër tyre.

Puna e autoriteteve gjyqësore serbe për rastet e krimeve të luftës ka qenë objekt kritikash për vite me radhë, si në raport progreset e Komisionit Europian dhe në monitorimin e kryer nga OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd.

“Ne kemi një numër të vogël aktakuzash dhe numri sa vjen e zvogëlohet gjithnjë e më shumë çdo vit,” tha Marina Kljaiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

“Përveç kësaj, në dy vitet e fundit kemi trajtuar vetëm rastet e transferuara nga Bosnja dhe Hercegovina, por ato janë raste të vogla me pak autorë. Anëtarë të rangut të lartë të ushtrisë dhe policisë nuk po procedohen penalisht. Nuk po procesohet gjithashtu asnjë çështje e madhe, por vetëm ato që mbulojnë krime më të vogla me një ose disa viktima. Ne nuk kemi pasur kurrë as edhe një padi për gjenocid,” shtoi Kljaiq.

Serbia nuk i njeh si gjenocid masakrat e Srebrenicës të kryera nga forcat serbe të Bosnjës, pavarësisht nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Autoritetet serbe gjithashtu mbeten politikisht jo të gatshme për të ndjekur penalisht zyrtarë të lartë serbë për krime lufte, mendojnë ekspertët.

Një ekspert nga Beogradi për drejtësinë tranzicionale, Ivan Jovanoviq, gjithashtu vuri në dukje se në Serbi nuk janë ngritur padi për të dyshuar të rangut të lartë.

“Kjo është për shkak se politika ka ndikim në proceset e drejtësisë tranzicionale, përfshirë gjyqet për krime lufte,” tha Jovanoviç.

Edhe në rastet që në gjykatat serbe portretizohen si të suksesshme, siç është gjyqi për masakrën në Strpci ose gjyqi për vrasjen e boshnjakëve nga Srebrenica në fshatin Kravicë, që po zhvillohen aktualisht në Beograd, ka pasur shumë kritika për mënyrën si janë kryer procedurat.

Ndryshimi në klasifikimin e krimeve të Srebrenicës nga gjenocid në një krim kundër civilëve, si dhe shtyrja e vazhdueshme e seancave nga gjykata e Beogradit, i kanë irrituar disa vëzhgues.

Eksperti ligjor dhe ish-presidenti kroat Ivo Josipoviq argumentoi se shkaku kryesor i situatave të tilla ishte “filozofia që thotë se ‘duhet t’i lëmë të qetë njerëzit tanë’”.

“Kriminelët gjithmonë i përkasin kombësive të tjera dhe mendoj se ky është një parim universal i aplikuar nga të gjitha vendet e rajonit. Strukturat qeverisëse padyshim nuk kanë qëndrim korrekt për krimet e luftës. Pra, në njërën anë ata po mbrojnë autorët, në një mënyrë ose në tjetrën, dhe nga ana tjetër, viktimat nuk po marrin kënaqësinë që duhet të marrin,” tha Josipoviq.

“Pse është kështu? Së pari, sepse ka një ndjenjë kombëtare, e cila, sipas mendimit tim, është e shtrembëruar dhe e gabuar, dhe së dyti, disa njerëz të akuzuar për krime lufte i përkasin strukturave qeverisëse ose kanë një pozicion të mitizuar në arenën publike, kështu që qeveritë nuk guxojnë të marrin masat e nevojshme ligjore,” shtoi ai.

Por avokati i shtetit i qarkut në Zagreb, Jurica Iliq, nuk u pajtua me Josipoviqin, duke argumentuar se bashkëpunimi i Kroacisë me vendet e tjera të Ballkanit për rastet e krimeve të luftës ka qenë “i përshtatshëm”.

E vetmja arsye e mundshme për mosmarrjen e një ndjekjeje penale nga një vend tjetër do të ishte “kriteret strikte të vendosura nga gjykatat kroate,” insistoi Iliq.

“Ne duhet t’i ndjekim këto kritere dhe, për të njëjtat arsye, në shumicën e rasteve kur merret përsipër një ndjekje penale, fillohet një hetim. Ne mbledhim prova mbi bazën e kritereve që duhet të përmbushim dhe vetëm atëherë ngremë një aktakuzë,” shpjegoi ai.

Por kryeprokurorja e përkohshme e prokurorisë shtetërore në Sarajevë, Gordana Tadiq, këmbënguli se, sipas protokolleve të bashkëpunimit që kanë nënshkruar të tre vendet, Bosnja mund të dërgojë një rast në çdo moment dhe nëse ka grumbulluar një “sasi të konsiderueshme provash”, duhet të ngrejë një aktakuzë, pavarësisht kritereve që përdorin gjykatat kroate.

“Duhet të aplikohen standardet e gjykatave ndërkombëtare”

arina Klajiq

Avokatja veterane boshnjake dhe ish-gjyqtarja Vasvija Vidoviç shprehet se institucionet gjyqësore në rajon duhet të ndjekin standardet ndërkombëtare dhe të ndjekin precedentët e vendosura nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë.

“Prandaj, nëpërmjet zbatimit të këtyre standardeve, mund të kapërcejmë pabarazinë midis qëndrimeve dhe pikëpamjeve rreth ngjarjeve të caktuara dhe klasifikimit të tyre ligjor,” tha Vidoviq.

Aktualisht, Kroacia refuzon të pranojë se ka marrë pjesë në një sipërmarrje të përbashkët kriminale së bashku me krerët kroatë të Bosnjës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, siç ka gjetur ICTY, ndërsa Serbia refuzon të ndjekë penalisht njerëz për gjenocid në Srebrenicë, të pranojë vendimin e Gjykatës së Hagës se masakrat përbënin gjenocid, dhe në vend të kësaj i gjykon ata për krime kundër civilëve.

Kryeprokurori i Hagës, Serge Brammertz, tha se ishte i zhgënjyer me mungesën e vazhdueshme të bashkëpunimit midis Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë, por bashkëpunimi midis Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kroacisë ka qenë edhe më i keq.

“Ka një sërë rastesh që kemi transferuar vite më parë në Sarajevë. Disa prej tyre, ndërkohë, janë transferuar në Kroaci, sepse autorët fizikë janë atje. Ne shohim shumë pak progres. Ajo që është veçanërisht zhgënjyese, për të mos thënë e papranueshme, është se ka një përfundim politik të ndërmarrë nga qeveria disa vite me parë për të mos bashkëpunuar në raste të caktuara, që për mendimin tonë është ndërhyrje politike në procesin gjyqësor,” theksoi Brammertz.

Pas arrestimit në Bosnje dhe Hercegovinë në nëntor të vitit 2016 të disa ish-oficerëve të forcës kroate të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Këshilli Kroat i Mbrojtjes, nën dyshimin se morën pjesë në krimet e luftës në zonën e Orasjes, qeveria kroate mori një vendim për të mos dhënë dokumentet që i nevojiteshin autoriteteve të Sarajevës në lidhje me këtë rast.

Të dyshuarit ishin të gjithë shtetas kroatë dhe refuzimi i Zagrebit për të dorëzuar provat e mundshme vë në dyshim qëndrueshmërinë e çështjes në fjalë.

Qeveria kroate e mori vendimin sepse në përshkrimet e krimeve të dërguara me kërkesën për dokumentet, autoritetet gjyqësore të Bosnjës i akuzonin burrat për “pjesëmarrje në një sipërmarrje të përbashkët kriminale që përfshin anëtarë të ndryshëm të forcave të armatosura, policisë, sigurisë dhe shërbimet e inteligjencës së Republikës së Kroacisë”.

Kjo çështje është politikisht e papranueshme për autoritetet e Zagrebit pasi aktakuza në mënyrë indirekte thotë se forcat e Kroacisë morën pjesë aktive në luftën në Bosnje dhe Hercegovinë, gjë të cilën ata e mohojnë.

Qeveria kroate ka urdhëruar Ministrinë e Drejtësisë, kur të shqyrtojë kërkesat nga Bosnja, të refuzojë të veprojë për çdo kërkesë që “shkel interesat shtetërore” – që do të thotë ato në të cilat Kroacia përmendet si pjesëmarrëse në një sipërmarrje të përbashkët kriminale gjatë konfliktit në Bosnjë.

Jurica Iliq i Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Qarkut në Zagreb tha se arsyetimi i qeverisë bazohej në faktin se një “sipërmarrje e përbashkët kriminale” nuk është një koncept i njohur në ligjin kroat.

“Unë duhet të them se një sipërmarrje e përbashkët kriminale si e tillë nuk ekziston në ligjet e Republikës së Kroacisë, por kjo nuk është një pengesë për të ofruar ndihmë. Prandaj, me sa di unë, deri më tani nuk kemi marrë ndonjë kërkesë nga Bosnja dhe Hercegovina apo Serbia për ndihmë apo dokumentacion që lidhet specifikisht me një sipërmarrje të përbashkët kriminale, kështu që nuk kemi hasur në probleme të tilla,” tha Iliq.

Ai shtoi se nuk ishte në dijeni të ndonjë rasti në të cilin sistemi gjyqësor kroat nuk kishte vepruar bazuar në kërkesat e mara nga Bosnja dhe Hercegovina ose Serbia.

Prokurori Brammertz tha megjithatë se ka pasur situata të tilla. “Ne e kemi përjetuar këtë të paktën në një rast në Zagreb,” tha ai.

Ai tha gjithashtu se do të donte “të shikonte ministrat e drejtësisë të dështojnë në trajtimin e kërkesave për ndihmë”.

“Gjyqet kryhen pa të pandehur”

Tribunali i Hagës

Ndërsa Kroacia dhe Serbia kryesisht refuzojnë të bashkëpunojnë kur marrin kërkesa nga Bosnja dhe Hercegovina, përveçse kur rastet janë kundër të dyshuarve të rangut të ulët, Zagrebi dhe Beogradi gjithashtu kanë të dhëna të dobëta bashkëpunimi me njëri-tjetrin.

Jelena Djokiç nga OJQ-ja Dokumenta në Zagreb tha se prokurorët kroatë zakonisht përdorin gjyqe në mungesë të të pandehurit, sepse të dyshuarit serbë nuk janë më në vend dhe nuk do të marrin pjesë në seancat gjyqësore.

“Procedimet penale kryhen në mungesë të të pandehurve, të cilët në shumicën e rasteve jetojnë në Serbi. Kjo do të thotë se referimi i ndjekjeve penale është pothuajse jo-ekzistent,” tha Gjokiq.

“Ky është një problem i madh, sepse gjyqet kryhen në mungesë të të pandehurve dhe kur vendimet bëhen të formës së prerë dhe të pandehurit bëhen të disponueshëm për sistemin gjyqësor kroat, ata autorizohen të kërkojnë rigjykim të procedurave, që çon në rritje të shpenzimeve dhen burimeve të tjera,” shtoi ajo.

Fondi për të Drejtën Humanitafre ka vënë re se mangësitë në bashkëpunim midis Kroacisë dhe Serbisë janë rritur që kur ICTY u mbyll në fund të vitit 2017.

“Kur vjen puna te Serbia dhe Kroacia, pas mbylljes së Gjykatës së Hagës, mund të ndieje një lloj lehtësimi dhe pastaj ndodhi bllokimi. Njësoj sikur çështja e procesimit të krimeve të luftës të mos ishte më e rëndësishme për ta,” tha Kljaiq.

“Edhe pse nëse e konsiderojmë faktin se asnjë nga tre shtetet – Serbia, Bosnja dhe Kroacia – nuk i ekstradon qytetarët e vet, bëhet e qartë se e vetmja mënyrë për të ndaluar mosndëshkimin për krimet e luftës është ekskluzivisht nëpërmjet bashkëpunimit rajonal,” shtoi ajo.

Ekspertët besojnë se problemi kryesor që pengon bashkëpunimin midis Bosnjës dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Kroacisë është mungesa e vullnetit politik.

Prokurori i Hagës Brammertz tha se kolegët e tij në të tre vendet po bëjnë më të mirën që munden, por qëndrimi i politikanëve ndaj krimeve të luftës po i pengon ata.

“Ne kemi një numër politikanësh në rajon që lavdërojnë kriminelë lufte, kriminele të dënuar lufte, dhe u organizojnë një mirëseardhje prej heroi pasi ata kanë kryer dënimet e tyre. Kjo sigurisht nuk është një shtysë që hetuesit dhe prokurorët të punojnë dhe dëshmitarët të bëhen të gjallë,” shpjegoi Brammertz.

Kljajiq tha se rritja e bashkëpunimit do të jetë një detyrë e vështirë në rrethanat aktuale pa mbështetje të madhe nga komuniteti ndërkombëtar.

“Mundësia e vetme që ne shohim është të prezantojmë ndryshime në juridiksion, të forcojmë rolin e Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në mënyrë që ai të ushtrojë ndikim për të bërë më shumë gjëra përsa i takon bashkëpunimit rajonal,” tha ajo.

Ish-presidenti kroat Josipoviq tha se beson se nuk ka gjasa që politikanët në rajon të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj ndjekjes penale të krimeve të luftës që janë kryer nga vetë qytetarët e tyre.

“Është e mundur, por duhet të ketë vullnet politik, që duket qartë se mungon,” tha ai.

“Nëse pikëpamja e publikut të gjerë do të ishte ndryshe, me siguri edhe politika do të ishte ndryshe. Megjithatë, ajo që është tipike e publikut të gjerë në vendet në rajon, përfshirë Kroaci, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, është se të gjithë i konsiderojnë njerëzit e tyre si heronj dhe shohim viktima vetëm në anën e tyre.”

 

BIRN do të organizojë një konferencë dy ditore në Sarajevë me 3-4 tetor për të diskutuar problemet e bashkëpunimit rajonal të ngritura në këtë artikull, me titull “Pas ICTY: Bashkëpunimi Rajonal, Llogaridhënia, E Vërteta dhe Drejtësia në Ish-Jugosllavi”.